Mafiopolitika bllokon Republikën

  • 11 June 2015 - 07:32
Mafiopolitika bllokon Republikën

Degradimi institucional në Kosovë

Në pozita vihet me lidhje, para dhe dallavere 

"Askush që ka vlera, është i paanshëm dhe ka merita, nuk mund të vihet në asnjë mënyrë, në asnjë pozicion, me dije dhe me përvojë, për arsye se këtë nuk e lejojnë subjektet politike në pushtet, dhe nuk lejojnë grupet formale dhe joformale të ndryshme brenda dhe jashtë pushtetit", tha prof. Baraliu për "Kosova Sot" 

Krimi i organizuar dhe korrupsioni vazhdojnë ta sfidojnë zhvillimin ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit, po e mbajnë peng perspektivën evropiane të Kosovës, liberalizimin e vizave dhe MSA-në. Mafiopolitika ka depërtuar thellë në blerjen për interesat e veta kriminale, pozitat e larta në institucionet e shtetit. Analistët politikë dhe njohësit e sundimit të ligjit konsiderojnë së kjo kapje e madhe e shtetit nuk ka të bëjë vetëm me sistemin e drejtësisë, por është një zinxhir i tërë institucionesh shtetërore, që blihen ose uzurpohen nga mafiopolitika kosovare, duke filluar nga prokuroria, Gjyqësori, në Doganat, inspektorët e shtetit, e madje edhe blerjen e vetë deputetëve, që kinse zgjidhen me votën e lirë. Eksperti i së drejtës, Mazllum Baraliu, shprehet me tone mjaft kritike ndaj kësaj situate të rëndë. "Askush që ka vlera është i paanshëm dhe ka merita, nuk mund të vihet në asnjë mënyrë, në asnjë pozicion, me dije dhe me përvojë, për arsye se këtë nuk e lejojnë subjektet politike në pushtet, dhe nuk lejojnë grupet formale dhe joformale të ndryshme brenda dhe jashtë pushtetit", tha prof. Baraliu për "Kosova Sot".

Meritorët po shkelen

Baraliu tha se duke provuar mafiopolitika, që të realizojë qëllimet e veta ka zgjatur më shumë se një vit emërimi i kryeprokurorit të shtetit, se po me këtë qëllim po zvarritet edhe tani kompletimi i disa institucioneve të tjera, duke filluar nga Avokati i Popullit, më pastaj bordet e ndërmarrjeve publike, rasti i freskët i ditëve të kaluara të bllokimit të funksionimit të kombinatit 'Trepça' vetëm për kalkulimet politike të resurseve kadrovike për t'i vendosur njerëzit e vet dhe dirigjuar me ta dhe përfituar nga sjellja e tyre aty. "Merreni me mend qënë shekullin 21 pamundësohet dhe pengohet funksionimi i mirëfilltë biznesor i një gjiganti të madh, sikur që është 'Trepça' për interesa të caktuara të kalkulimeve politike, për t'i dirigjuar ata dhe për të përfituar ndoshta prej tyre.
Unë e përmendna 'Trepçën', por është edhe AKP-ja janë edhe shumë institute të tjera dhe agjenci të pavarura, është Këshilli i Konkurrencës e shumë institucione të tjerë, që kanë rëndësi serioze e që nuk po funksionojë, sepse nuk shpallen konkurset, punësohen njerëzit pa konkurse, ose përgatiten njerëzit paraprakisht, ju bëhen favore të ndryshme ose merren vesh për to dhe më pastaj konkursi mundë të shpallet dhe vetëm formalisht", tha Baraliu për "Kosova Sot".

Funksionimi i shtetit i rrezikuar

Se fenomeni i blerjes së pozitave të larta shtetërore, ose ushtrimi i ndikimit nga grupet e mafiopolitikës, është praktikë që rrezikon funksionimin normal të të gjitha shteteve në fazën e tranzicionit politik nga sistemi monist në ndërtimin e demokracisë së re, pajtohet edhe prof.Riza Smaka. "Në vendin tonë jo rrallëherë keqkuptohet pavarësia e institucioneve të ndryshme e Gjyqësorit nga Legjislativi e Ekzekutivi, si dhe anasjelltas. Kjo ngase nuk ekziston as nuk duhet të ekzistojë pavarësia absolute, por përkundrazi, pavarësia relative nga kon-
trollimi reciprok i atyre tri transheve qeveritare e pushtetare 'Checs and Balances' ", tha prof. Riza Smaka. Sipas tij, derisa në Shqipëri është hartuar një raport analitik nga një komision parlamentar, në Kosovë këtë nuk po e bën askush, sepse mafiopolitika nuk e lejon këtë. "Përderisa në Shqipëri, së paku, bëhen analizime kritike dhe publikohen të dhëna indikative për trajtën e infiltrimit të krimit dhe korrupsionit në institucionet e larta të shtetit, edhe në atë të funksionimit të Gjyqësorit , në Kosove as ky aktivitet i nevojshëm, madje i detyrueshëm nuk përfillet", tha Smaka. Për këtë arsye ai ka pohuar se edhe stoqet e gjykatave dhe Prokurorisë së shtetit janë të mbingarkuara me plot lëndë të pazgjidhura, të cilat me kalimin e kohës bëhen të vjetërsuara dhe parashkruhen.

Kosova e kopjoi modelin e keq shqiptar

Politikologu Faik Krasniqi vlerëson se me fenomenin e blerjes së pozitave të larta nga mafiopolitika, si në Doganat, te inspektorët e shtetit, te deputetët dhe pozitat e larta në hierarkinë shtetërore, korrupsioni po dëshmohet se është rreziku i një shoqërie për dështim, që po e nxin jetën e shqiptarëve, si dhe padrejtësitë e
tjera të mëdha ku gjithçka bëhet me miqësi, nepotizëm, klane mafioze, grupe me dredhi të fshehta, dinakëri e marrëveshje paraprake. "Pra, gjithçka antiligjore të pamundurën e bëjnë të mundshme dhe anasjelltas. Kosova për fat të keq e ka kopjuar për të keq shtetin amë Shqipërinë në mënyrën e qeverisjes së shtetit dhe drejtësisë, duke u shndërruar në një shtet që fjalën kryesore për postet më të rëndësishme të drejtësisë, doganave, agjencive, bordeve dhe në hierarkinë më të lartë të shtetit, e ka mafiopolitika, që ka zaptuar shtetin dhe
ka krijuar monopol", tha Krasniqi për "Kosova Sot". Kreu i AKK-së, Hasan Preteni, dëshiron të jetë më i përmbajtur rreth konstatimit se në shtetin tonë po blihen ose kontrollohen në mënyrë masive pozitat e larta në institucionet e shtetit, por nuk e mohon ekzistimin e manipulimeve.

(Kosova Sot)