Lidhja nga FB, u njoh me ‘Toni Montanën’, si përfundoi prostitutë vajza nga Korça

  • 23 July 2016 - 18:26
Lidhja nga FB, u njoh me ‘Toni Montanën’, si përfundoi prostitutë vajza nga Korça

Njohja me “Toni Montanën” në rrjetin social “Facebook” pasoi një fund të dhimbshëm për një vajzë 23 vjeçe nga Korça.

“I dashuri” virtual, i divorcuar dy herë më parë, e kishte bindur vajzën me iniciale E.M., që të braktiste familjen e saj dhe të nisej për një jetë të re në Lezhë. Por Filip Shtjefni, i cili në rrjetin social ishte regjistruar si “Toni Montana”, e ka mbajtur atë peng për tri ditë dhe e ka shfrytëzuar në një lokal që dyshohet se e përdorte për qëllime të tilla. Pas tri ditësh, ajo ka mundur të largohet dhe të bëjë denoncim në Policinë e Lezhës. 

Në gjendje të tronditur, me sa duket ka pasur frikë të shkojë në banesën e saj në Korçë, ndaj i ka kërkuar policisë që ta dorëzonin te një kushërirë e saj në Tiranë. Por në kushtet e një tronditjeje të fortë psikologjike, si pasojë e shfrytëzimit jashtë dëshirës së saj dhe zhgënjimit nga i dashuri, ajo ka tentuar të vetëvritet duke u hedhur nga kati i dytë. Gjendja e saj është mjaft e rëndë, ndërsa policia dje ka arrestuar të dyshuarin, Filip Shtjefni (me nofkën Toni Montana), 49 vjeç, nga fshati Gramsh i Lezhës dhe Lula Marku, 47 vjeçe, nga qyteti i Lezhës. Sipas Policisë, këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri­tjetrin kishin marrë një lokal me qira në rrugën e “Shtrausit” dhe e përdornin prej disa kohësh si kamuflim për shfrytëzim prostitucioni.

Vajzat gjendeshin nga ana e 49­ vjeçarit, nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Ai dyshohet se “peshkonte” vajza, kryesisht nga rrethe të tjera të vendit, të cilat, pasi i bënte të dashuroheshin pas tij që në bisedat virtuale, më pas i ftonte për takim në Lezhë.

Pikërisht këtu niste aventura, pasi në vend të martesës dhe jetës së lumtur, ashtu siç iu premtonte në biseda më parë, ai i detyronte ato të prostituonin në lokalin e marrë me qira. Ka qenë denoncimi i 23­ vjeçares nga Korça, e cila çoi në zbulimin e kësaj baze prostitucioni. Vajza me iniciale E.M. ka deklaruar disa ditë më parë në Polici se 49­-vjeçari nga Lezha e kishte mashtruar, duke e detyruar që të vinte në Lezhë 

(Kosova Sot)