Të harruar nga familjarët, pleqtë e braktisur bëhen me shtëpi

  • 25 July 2016 - 19:27
Të harruar nga familjarët, pleqtë e braktisur bëhen me shtëpi

Sa herë që organizoheshin zgjedhje lokale dhe parlamentare në Pejë nuk harrohej të premtohej nga ata që kërkonin votën e qytetarëve se në këtë qytet do të ndërtonin edhe ndonjë objekt për azil pleqsh,por premtimet si shumë të tjera i merrte era. Më në fund duket një dritë në fund të tunelit. Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, këtë vit e ka bërë publik këtë vendim, duke kërkuar në njërën nga seancat e kaluara të Asamblesë komunale që ish- objektit të Institutit Rajonal të Shëndetit Publik t'i jepen edhe dy ngastra kadastrale që gjenden përreth këtij objekti, duke krijuar hapësira shtesë, një lulishte me pisha, por edhe hapësira që japin mundësi për të zgjeruar këtë objekt, sipas nevojës që aty të vendoset Shtëpia e Pleqve, shkruan gazeta Kosova Sot.

E vetmuar dhe mallin e fëmijëve jashtë vendit

Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Petrit Loci i ka thënë gazetës "Kosova Sot" se Komuna do të shqyrtojë mundësitë që këtë objekt t'ia japë në shfrytëzim ndonjë operatori që ka interes që ta rregullojë objektin me të gjitha standardet për Shtëpi Pleqsh, kurse për kompensim komuna do të përzgjidhte disa të moshuar që nuk kanë mundësi pagese dhe e kanë të domosdoshme vendosjen aty, ngase nuk ka kush të përkujdeset për ta. Ai shpreson se brenda këtij viti do të përfundojnë të gjitha procedurat dhe në fundvit apo në fillimin e vitit që vjen Peja do të ketë Shtëpinë e Pleqve. B.Z., një e moshuar, e cila nuk dëshiron t'i bëhet publik emri ,ngase jeton e vetmuar në një shtëpi trekatëshe, thotë se veç verës kur i vijnë fëmijët e djemve i gëzohet kësaj shtëpie. Ajo jeton ditët e pleqërisë së saj të zymtë së bashku me burrin e saj. "Të dy djemtë dhe vajza jetojnë me familjet e veta në Gjermani. Po errem e po çelem vetëm. Po na duket se po na ha shtëpia. As dushmanin mos e pafsha në këtë ditë. Bëra fëmijë për botën", shprehet ajo, me një zë të butë që i del i mekur si me vaj.

"Malli i dynjasë nuk më duhet"

Edhe më e rëndë duket ta ketë Arif Uka nga një lagje tjetër e qytetit, që në moshë të shtyrë ka mbetur i vetmuar. "Nuk kam me kë të ndërroj dy fjalë". Një djalë që kishte thotë se i ka ikur në azil, diku në Perëndim tash e sa vite dhe se prej atëherë nuk ka se kush të përkujdeset për të. Pasurinë më të madhe e quan telefonin celular, të cilin pos për biseda me djalin në mërgatë, i shërben për të thirrur taksitë sa herë që i përkeqësohet shëndeti për ta dërguar deri në ndonjërën nga ambulancat e qytetit. "Mos me pas edhe këtë telefon isha çmend pa pas me kë me folë", thotë ky i moshuar në të parë zotëri, i cili jo rrallë kafen e mëngjesit e pi në njërën nga kafenetë në qendër të qytetit. "Vetmia po më ha", thotë ai dhe shikimi në sytë e mekur të tij i humb diku larg thuajse është ne pritje të diçkafit. "Nga gjashtë djem që kisha kemi mbetur veç me plakën", thotë një i moshuar tjetër nga një fshat i afërt me iniciale M.D., i cili kishte ardhur në njërën nga ambulancat e qytetit për një vizitë mjekësore në QKMF në Pejë. "Mallin e dynjasë me e pas s' më kënaq", thotë ai, që pos shtëpisë dykatëshe ka edhe dhjetë hektarë tokë, që ua jep fqinjëve të vet për t' ia punuar. Ai thotë se disa vjet më parë në shtëpinë e tij ishte rrahur deri në alivanosje, nga një grup hajnash, që i kishin kërkuar para. Mbi një muaj i ishin dashur atij, që t' i kurojë plagët e trupit në spitalin e Pejës. " Mezi i shërova plagët e trupit, por në shpirt gjithmonë jam me plagë", thotë ai. Raste si këto ka edhe shumë e shumë të tjera, ku pleq të moshuar kanë ngelur të vetmuar, pa përkujdesje të merituar nga fëmijët e tyre, shumë nga ta për fatin e tyre materialisht qëndrojnë mirë, por kanë një ndjenjë të thellë vetmie, frike nga keqbërës, por edhe mungesë miqsh për të këmbyer mendime.

Rudolf Krasniqi, menaxher i OJQ "Duart plot mëshirë", thotë se sektori shëndetësor i kësaj OJQ -je kujdeset për afro 600 persona të sëmurë e të vetmuar dhe të moshuar, për të cilët nuk ka kush të kujdesët. Ai kishte kërkuar që moti nga kryetari Muhaxheri që të bëjë të pamundurën për një përkujdesje institucionale për këtë kategori qytetarësh, të cilët janë në gjendje të rëndë. Edhe Agron Kelmendi, sekretar i Kryqit të Kuq të Kosovës, dega në Pejë, thotë se ka afro 300 persona të moshuar në komunën e Pejës, të cilët ose kanë ngelur të vetmuar, ngase fëmijët e tyre janë tretur si mërgimtarë gjithandej Evropës dhe Amerikës. Shumë nga ta kanë nevojë për përkujdesje institucionale dhe hapja e një Shtëpie Pleqsh është më se e domosdoshme. Atë e gëzon lajmi për vendimin e marrë nga kreu i Komunës që ish- objekti i Institutit të Shëndetit Publik të shndërrohet në Shtëpi Pleqsh.

(Kosova Sot)