Grabitja e Rinasit, Saimir Tahiri bën fajtorë deputetët e PD dhe LSI

  • 25 July 2016 - 21:37
Grabitja e Rinasit, Saimir Tahiri bën fajtorë deputetët e PD dhe LSI

Po bëhet një muaj nga grabitja e Rinasit dhe policia nuk ka ende asnjë gjurmë nga autorët. Asnjë të dyshuar, asnjë të identifikuar dhe sigurisht asnjë të arrestuar. Nuk ka autorë, por ka fajtorë. Ministri i Brendshëm i gjeti në parlament në radhët e deputetëve të LSI dhe Partisë Demokratike. Janë deputetët e këtyre dy forcave politike që nuk pranuan të miratojnë projektligjin për kamerat e sigurisë, me arsyetimin se kishte kosto të mëdha. Saimir Tahiri ia kujtoi sot në parlament deputetëve, duke i fajësuar për grabitjen e Rinasit.

“Jeni marrë pa fund me vjedhjen në aeroport, një ngjarje super e rëndë, për të cilën ka, një zinxhir i tërë institucionesh, përgjegjësi. Por nëse ai ligj do ishte miratuar dhe nuk do merreshit politikisht, me kush është minstër dhe kush është drejtor policie, dhe mos ta miratojmë këtë, se po miratuam këtë do bëjnë kështu e ashtu… ajo ngjarje nuk do kishte ndodhur” tha Ministri i Brendshëm në Kuvend.

Kur u grabitën miliona euro në pistën e aeroportit, ishte normale të mendoje dorëheqjen e Saimir Tahirit. Grabitja e Rinasit ishte e fundit nga një seri vjedhjesh të ngjashme të bankave. Të gjitha kanë mbetur pa autor. Por Saimir Tahiri e di se në Shqipëri çudia më e madhe, zgjat vetëm 3 ditë, ndaj nga i akuzuar për situatën e rendit dhe sigurisë, sot është kthyer në akuzues. 

(Kosova Sot)