Kryeministri hungarez: Migrantët janë si "helm" dhe s’na duhen

  • 27 July 2016 - 13:06
Kryeministri hungarez: Migrantët janë si

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ka përshkruar ardhjen e azilkërkuesve në Evropë si "helm", duke thënë se vendi i tij nuk dëshiron dhe nuk ka nevojë për "as edhe një emigrant të vetëm".

Vrasja e priftit në Francë ishte e fundit në një varg sulmesh të dhunshme që po tronditin Evropën këtë verë, tha Orban, duke i thurrur lëvdata planeve të Donald Trumpit për politikën e jashtme të SHBA-së.

“Hungaria nuk ka nevojë për as edhe një emigrant të vetëm që ekonomia e saj të funksionojë, apo që popullata ta mbajë veten gjallë, apo që vendi të ketë një të ardhme,” tha ai në një konferencë të përbashkët për media me kancelarin austriak, Christian Kem, në Budapest.

“Prandaj politika e përbashkët për emigracionin evropian nuk është e nevojshme: kushdo që ka nevojë për emigrantë, le t’i marrë ata, ama mos na detyroni neve t’i marrim ata, ne s’kemi nevojë për ta,” tha Orban.

Sipas asaj që shkruan “The Guardian", lideri popullist ka shtuar se “çdo emigrant përbën rrezik terrori, si dhe ndaj sigurisë publike.”

“Për neve, emigracioni nuk është zgjidhje por problem... s’është ilaç, por helm, s’kemi nevojë për të dhe s’do ta kapërdijmë,” përfundoi ai.

Orban është një kundërshtar i ashpër i planit të Bashkimit Evropian për një ndarje të emigrantëve në të gjithë bllokun nën një sistem të detyrueshëm të kuotave.

Hungaria ka kundërshtuar këtë propozim dhe do të mbajë një referendum për pjesëmarrjen e saj në skemën e BE-së më 2 tetor.

(Kosova Sot)