Mbahet forumi i parë i nënoficerëve të lartë të FSK-së

  • 27 July 2016 - 16:53
Mbahet forumi i parë i nënoficerëve të lartë të FSK-së

Në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës zhvilloi punimet “Forumi i parë i nënoficerëve të lartë’’ nën organizimin e MFSK-së dhe me pjesëmarrje të nënoficerëve të lartë të FSK-së dhe atyre ndërkombëtarë nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë, Qendra trajnuese e ushtrisë së 7-të, KFOR-it, Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se punimet e Forumit i shpalli të hapura rreshter-majori i Forcës së Sigurisë, Genc Metaj, i cili njëkohësisht ishte edhe kryesues i forumit, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Në emër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, një fjalë rasti e mbajti drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi, i cili i falënderoi nënoficerët nga Komanda e Ushtrisë amerikane për Evropë, nënoficerët e KFOR-it, Ekipin Ndërlidhës Këshillues të NATO-s për FSK-në(NLAT), pastaj ata të Ekipit Këshillues të NATO-s për Ministrinë e FSK-së(NAT), si dhe të gjithë trupën e nënoficerëve të FSK-së, për gatishmërinë për pjesëmarrje dhe kontributin e tyre gjatë zhvillimit të punimeve të forumit.

Gjeneral Halimi tha se synimi i KOMFSK-së është që përmes këtij Forumi të shkëmbehen përvoja me qëllim të arritjes së standardeve më të larta të kërkuara.

Gjithashtu, gjeneral Halimi vuri theksin tek synimi i komandantit të FSK-së, për krijimin e Korit të Nënoficerëve ë avancuar, i cili ka për qëllim ngritjen e nivelit të punës dhe profesionalizimit në FSK, e posaçërisht në këtë kohë të përgatitjeve për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

Në fund të fjalës së tij, gjeneral brigade Zymer Halimi tha se janë të bindur që gjatë diskutimeve do të analizohen të gjitha punët që janë realizuar bashkërisht, edhe ato që kanë mundur edhe më mirë të realizohen gjatë aktiviteteve të përbashkëta që kanë pasur.

Rreshter majori i Komandës së Ushtrisë amerikane për Evropë, Sheryl Lyon u shpreh se ndjehet e lumtur që kthehet serish në Kosovë, dhe atë për punë dhe aktivitet me FSK-në. Rreshter major Lyon, gjithashtu tha se në këtë forum solli përshëndetjet e komandantit të Komandës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë, gjenerallejtënant Ben Hodges.

Rreshterja amerikane shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje për FSK-në, në drejtim të zhvillimit dhe profesionalizimit të nënoficerëve në përgjegjësitë dhe detyrat që ata bartin, si dhe në drejtim të zhvillimit të gjithëmbarshëm të institucionit dhe rritjes së ndërveprueshmërisë me partnerët.

Nga ana e tij kryesuesi i Forumit, rreshter majori i FSK-së, Genc Metaj foli lidhur me hartimin e koncept- dokumenteve dhe rregulloreve, ndër të cilat përmendi Rregulloren për menaxhimin e karrierës dhe Rregulloren për konceptin zhvillimor të nënoficerëve.

Më pas, rreshter major Metaj foli edhe për planin e përbashkët të bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës në kuadër të partneritetit shtetëror Kosovë- Ajovë. Ai po ashtu tha se është duke u punuar që të kompletohet struktura e kanalit të nënoficerëve, si dhe shkurtimisht foli mbi Kursin e reagimit të lidershipit.

Në punimet e Forumit ishin të pranishëm edhe rreshter majori i Brigadës për Reagim të Shpejtë, Shefqet Hasani, i cili gjatë fjalës së tij foli rreth përgatitjeve që janë duke u zhvilluar për mbarëvajtjen e ushtrimit fushor të FSK-së ,,Shqiponja 5’’. Ndërkaq, rreshter majori Xhevdet Mataj foli për rishikimin e kurrikulave të kurseve specialistike, rreshter major Jeffrey Sweezer për pikëpamjet e Akademisë së Nënoficerëve të Ushtrisë së shtatë, rreshter major i Komandës së KFOR-it, Amedeo Russo foli mbi bashkëpunimin e KFOR-it me FSK-në dhe përshtypjet për ushtrimin e përbashkët ,,Shpata e argjendtë’’, rreshter major i Komandës së Grupit Shumëkombësh Lindje(Bondstill), Timothy Hileman, informimi për kursin e lartë për lider, rreshter major i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, Mathew Sides, rreshter majori i NLAT-it, Dusan Ivancic, etj.

Gjatë punimeve të Forumit të parë të nënoficerëve, u debatua për trajnimin, ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, harmonizimin si dhe për një varg çështjesh të cilat kanë të bëjnë me avancimin e rolit dhe kontributit të nënoficerëve në çdo ushtri, e në veçanti të nënoficerëve të FSK-së, në këtë fazë .

Pas përfundimit të punimeve të Forumit të parë të nënoficerëve të lartë, të gjithë pjesëmarrësit, ata të FSK-së dhe mysafirët, vizituan Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj për t’u njohur nga afër me kushtet dhe mundësitë trajnuese, stërvitore dhe të shkollimit që ka KDS-ja.

(Kosova Sot)