Hotelet në Prizren nuk janë korrektë me vizitorët

  • 29 July 2016 - 19:35
Hotelet në Prizren nuk janë korrektë me vizitorët

Ruzhdi Kurtishaj tregon se disa nga hotelet në Prizren nuk po tregohen korrektë ndaj mysafirëve. Ai kërkon që të fillojë respektimi real i marrëveshjeve për turnetë e turizmit,shkruan Gazeta Kosova Sot.

Vapa që po mbretëron këto ditë vere i ka detyruar një numër prizrenasish që të mësyjnë pishinat e shumta dhe grykat e lumenjve për t'u freskuar, derisa shumë të tjera kanë marrë rrugën drejt bregdetit. Mirëpo, kushtet e vështira ekonomike të shumë familjeve prizrenase kanë bërë që shumë prej tyre as të mos mendojnë për ndonjë pushim disaditor në ndonjë nga plazhet e vendeve të rajonit apo më tej. "Ne mezi po ushqehemi me bukë... e për deti, këtë vit valla as që po mendojmë", na thotë Arif Berisha. Edhe Miftar Mehmeti e Ardian Gashi shprehen se sivjet kanë zgjedhur të qëndrojnë në Prizren, ngase nuk i kanë mundësitë financiare. Megjithatë, nuk janë të pakta familjet që mësyjnë bregdetin shqiptar apo atë malazez. Por, Prizreni po ashtu pret shumë turistë gjatë verës, të cilët vijnë për të vizituar disa nga resurset e saj kulturo-historike. 

Bregdeti shqiptar mbetet destinacioni kryesor

Haxhi Seferqaj, drejtor i Turizmit në Komunën e Prizrenit, tregon se këtë verë ka pasur fluks më të shtuar të vizitorëve në qytetin e Prizrenit. "Mund të them se jemi përkushtuar jashtëzakonisht shumë që këtë vit turistët të mirëpriten me respekt dhe të kenë lehtësira të konsideruara për qasje drejt monumenteve historike të Prizrenit. Në këtë kontest kemi hapur tashmë tri qendra turistike të vendosura në hyrje-dalje dhe një tjetër në qendër të Prizrenit kemi bërë takime me ciceronët dhe po kështu me pronarë hotelesh dhe me operatorë janë bërë edhe koordinime si edhe viteve të tjera me turistë", ka thënë Seferqaj. Sipas tij, fluksi i turistëve është në rritje dhe invazioni pritet të arrijë gjatë kohës sa mbahet festivali "Dokufest". Edhe pronarë hotelesh në Prizren tregojnë se këtë vit është gjendja e mirë. "Krahasuar me vitin e shkuar, mund të themi se këtë vit ka më shumë turistë se vitin që shkoi, prandaj mund të themi se kjo ka bërë që ne si hotele të jemi më stabil", ka thënë një pronar hoteli brenda qytetit. Sipas ekspertëve të turizmit, në Prizren vijnë vizitorë nga Shqipëria dhe hapësirat e tjera shqiptare, derisa nuk mungojnë edhe turistë nga vendet e tjera të Evropës dhe më gjerë. Pronarët e hoteleve thonë se turizmi në këtë qytet duket tashmë e ka marrë të mbarën dhe kjo për faktin se tashmë ka edhe mysafirë të shumë ndërkombëtarë dhe se po punojnë me kapacitete të plota. Mirëpo, me sjelljen e turneve turistike nuk është i kënaqur shumë njëra ndër agjencitë që më së shumti sjell turistë në Prizren.

Pronari i agjencisë "Sharr travel", Ruzhdi Kurtishaj, tregon se disa nga hotelet në Prizren nuk po tregohen korrektë ndaj mysafirëve, por kjo nuk po ndodh me rastin në Bogë. Ai kërkon që të fillojë respektimi real i marrëveshjeve për turnetë e turizmit. "Sepse nëse ndodh respektimi mund të them se Prizreni do të këtë turizëm gjatë tërë vitit, por nëse vazhdon të shkelen të thuash parimet druaj se turizmi do të shkojë drejt Bogës", ka thënë Kurtishaj. Sa i përket përzgjedhjes së prizrenasve për të kaluar pushimet e tyre, ai shprehet se destinacioni kryesor mbetet bregdeti shqiptar. Sipas tij, Velipoja dhe Shëngjini janë ndër plazhet shumë të kërkuara, derisa janë shtuar edhe udhëtimet drejt Sarandës, Ksamilit, Dhërmisë, Jalës, Himarës, Borshit, Qeparos etj. Sa i përket turizmit, ekspertët mendojnë se investimet për një vend pune në turizëm janë më të ulëta se në çfarëdo veprimtarie tjetër ekonomike. "Fatkeqësisht Kosova nuk ka eksperiencë për turizëm e as për tregti të mirëfilltë", thotë Muhamed Krasniqi. Samir Hoxha, pohon se shënimet e Institutit për Trashëgimi nxjerrin se ka më shumë turistë ditorë në Prizren.

Tiranasit magjepsen pas Prizrenit

Shkodran Kryeziu, nga Drejtoria e Turizmit, shprehet se në Prizren ka 5 deri në 8 mijë vizitorë që vijnë dhe kalojnë ditën. Shumë turistë vijnë nga Shqipëria. Afërdita Liko nga Tirana tregon se vjen në Prizren gati në secilin vikend për shkak të bukurisë së qytetit. "Jam këtu shpesh, sepse Prizreni është mrekullia e të gjitha qyteteve të shqiptarëve dhe të Ballkanit. Vij këtu sepse relaksohem dhe ndihem mirë", thotë Liko. Edhe Mimoza Korlidha, po kështu nga Tirana, flet me admirim për qytetin historik të Prizrenit. "Prizreni është i bukur, i lirë për të jetuar dhe ka tipare të një qyteti të traditës së vjetër shqiptare. Është vendi ku më me dëshirë vjen. Këtu jam shpesh, sepse Prizreni ka burimin e "Shatërvanit" dhe shumë bukuri të tjera. Më pëlqejnë edhe njerëzit dhe kultura e tyre", thotë ajo. 

(Kosova Sot)