Erdogan propozon të marrë kontrollin mbi Ushtrinë dhe inteligjencën

  • 31 July 2016 - 11:26
Erdogan propozon të marrë kontrollin mbi Ushtrinë dhe inteligjencën

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ai dëshiron t’i mbyllë Akademitë ushtarake në vend, ndërsa Agjencinë e Spiunazhit dhe Shefin e ushtrisë ta vë nën kontrollin e tij, shkruan BBC,

Erdogan ka njoftuar se propozimin e tij do ta sjellë për votim në parlament.

Këto janë masat e fundit ndër të shumtat që Erdogan i ka marrë pas natës së tentim-puçit në Turqi, me 15 korrik.

“Ne do ta bëjmë një prezantim të vogël të pakos ligjore, e cila nëse aprovohet, sjellë Organizatën e Inteligjencës Nacionale dhe Shefin e Ushtrisë nën kontrollin e Presidencës”, ka thënë Erdogan për A Haber të shtunën.

“Shkollat ushtarake do të mbyllen, ndërsa do ta formojmë një Universitet për mbrojtje nacionale”.

Presidenti turk po ashtu ka thënë se numri i xhandarmërisë do të zvogëlohet, por do të shtohen armët.

Erdogan-it i nevojiten dy të tretat për të adaptuar planin prandaj për kalimin e këtij propozimi ka nevojë edhe për mbështeten e një pjese të opozitës.

Qysh nga puçi i dështuar në Turqi janë shkarkuar rreth 40 për qind e gjeneralëve dhe admiralëve të ushtrisë.

Më shumë se 66.000 punëtorë të sektorit publik janë larguar nga puna dhe 55.000 pasaporta janë shpallur të pavlefshme, ndërsa vetëm në Ministrinë e Brendshme po hetohen 1.300 veta.

Shteti ka mbyllur 142 media dhe burgosur dhjetëra gazetarë, derisa Turqia vazhdon të mbete në gjendje emergjente për tre muaj, e shpallur pas puçit.

Erdogan është marrë po ashtu edhe me politikanë nga vende të ndryshme që kanë folur për masat e tepruara, duke u thënë se “nuk është puna juaj çfarë ndodhë në Turqi”. 

(Kosova Sot)