Shteti i xhunglës i tremb investitorët

  • 24 August 2016 - 07:49
Shteti i xhunglës i tremb investitorët

Qeveria po dështon në tërheqjen e investimeve të huaja.

Mosfunksionimi i shtetit, gjykatave, korrupsioni, shantazhet dhe informaliteti ndikojnë drejtpërsëdrejti në investimet e huaja,raporotn Gazeta Kosova Sot

Në të gjitha raportet e huaja si, BE-së, KE-së, BB-së dhe FMN-së, që flasin për efikasitetin e shtetit të ri të Kosovës nga paslufta e deri më sot e veçanërisht kohën që nga pavarësia e deri më sot, ato tregojnë qartazi se njëra nga pikat më të dobëta të funksionimit të këtij sistemi pa dyshim se është sistemi i drejtësisë. Ndaj analistë të ekonomisë, deputetë opozitarë dhe përfaqësues të biznesit, janë të mendimit se vetëm rritja urgjente e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë, si edhe një sundim i mirë- filltë i ligjit në vendin tonë është faktori kyç, që do të mund të përmirësonte dukshëm ofertën e palës kosovare përballë investitorëve të huaj. Mirëpo, analistët e ekonomisë dhe deputetët nga opozita, janë skeptikë se me këta politikanë që janë kapur për interesa dhe inate nuk mund të ketë sundim të ligjit për të pasur investime të mëdha të huaja që gjenerojnë punësim. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori opozitar, Bali Muharremaj(AAK), pajtohet me konstatimin se vetëm rritja e efikasitetit të institucioneve të fushës së drejtësisë dhe një sundim i mirëfilltë i ligjit do të mundeshin që të përmirë- sonin ofertën e palës kosovare karshi investitorëve të huaj. Mirëpo, opozitari Muharremaj thotë se me këta politikanë aktualë e me këtë koalicion që është pushtet nuk mund të ketë sundim të ligjit për të pasur investime të mëdha të huaja, që gjenerojnë punësim.  

Kjo Qeveri nuk po hap vende pune Njohësi i çështjeve të ekonomisë në Kosovë, Haki Shatri, ka thënë se mosfunksionimi i shtetit dhe gjykatave, korrupsioni, shantazhet dhe informaliteti ndikojnë drejtpërsëdrejti në investimet e huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Sipas Shatrit, Qeveria e tanishme ka dështuar në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për investime dhe punësim. "Qeveria nuk po hap as vende pune, por edhe nuk po krijon as ambient për zhvillim, rritje ekonomike dhe përmirësim të gjendjes sociale, përmes punësimit dhe programeve të tjera. Këto asnjërën nuk i ka arritur kjo Qeveri", theksoi ai. Sipas Shatrit, Qeveria ka dështuar në përmirësimin e ambientit për biznes, për siguri më të madhe për investimeve, si edhe për rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë te institucionet shtetërore. Ndërsa përfaqësues të shoqatave ekonomike, të cilat mbrojnë interesat e bizneseve në Kosovë kërkojnë nga autoritetet që të rrisin efikasitetin e institucioneve të drejtësisë, si dhe kërkojnë sundim të mirëfilltë të ligjit. Kjo, thonë ata, është parakusht për përmirësimin e ofertës para investitorëve të huaj, për të cilët Kosova ka nevojë. Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se çështja për të cilën flitet është e një rëndësie të veçantë për komunitetin e bizneseve për të diskutuar mbi funksionimin e institucioneve të drejtësisë, të cilën Oda Amerikane e konsideron si vital për të garantuar mes të tjerash funksionimin e institucioneve demokratike dhe ofrimin e mjedisit të barabartë për të bërë biznes. "Rritja e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë dhe një sundim i mirëfilltë i ligjit, është parakusht edhe për përmirësimin e ofertës para investitorëve të huaj, për të cilët vendi ka nevojë", ka thënë Zeka. 

Legjislacionit komercial t'i jepet përparësi Lidhur me çështjen e mosefikasitetit të sistemit të gjyqësorit në Kosovë javën e shkuar ishte organizuar nga AMCHja një debat, ku ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, ka thënë se infrastruktura ligjore dhe zbatimi i ligjit janë parakushte të të bërit biznes në Kosovë. Sipas saj, në mesin e problematikave në sistemin e drejtësisë, numri i madh i lëndëve paraqet problem kyç për sistemin e sundimit të ligjit. "Duhet të fokusohemi në sundimin e ligjit mbi bazën e transparencës, efikasitetit dhe llogaridhënies. Hapësirë e veçantë duhet t'i jepet edhe legjislacionit komercial, i cili luan rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik te vendit", ka theksuar Hoxha. Ajo tha se në mesin e problematikave në sistemin e drejtë- sisë, numri i madh i lëndëve paraqet problem kyç për sistemin e sundimit të ligjit, duke shtuar se si ministre e Drejtësisë konsideron se duhet të fokusohemi në sundimin e ligjit mbi bazën e transparencës, efikasitetit dhe llogaridhënies. Ndërsa lideri i AKB-së, Agim Shahini, thotë se sundimi i ligjit është shumë i rëndë- sishëm për zhvillimin e Kosovës, duke përmendur dy shtylla kryesore drejt këtij zhvillimi: zhvillimi i sistemit gjyqësor dhe nxitja e investimeve të huaja në vend, edhe pse Kosova ka ende punë për të bërë. Sipas Shahinit, në këtë drejtim ndihmën e tyre sikurse edhe më parë mund ta japë Ministria e Drejtësisë në Kosovë, që me ekspertët e tyre mund të asistojnë në këtë drejtim për të përmirësuar transparencën, llogaridhënien dhe kualitetin e shërbimeve, me theks të veçantë uljen e numrit të lëndëve të pazgjidhura. Shahini thotë se në mungesë të funksionimit të Bordit të ankesave, që tashmë është shuar, duhet të bëhet edhe rritja e numrit të gjyqtarëve që konsideron prioritet, në mënyrë që procedurat e zgjidhjes së kontesteve të jenë më efikase.

Bizneset e paligjshme të politikanëve Analisti i ekonomisë, Nehat Emrullahu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se në asnjë deklarim të liderëve deri tani sundimi i ligjit nuk ka qenë prioritet numër një. "Gjithnjë deklaratat e tyre kanë qenë të bazuara në zhvillim ekonomik, përkrahje të investitorëve, krijim të vendeve të punës, integrime euroatlantike, sundim të ligjit etj.". Prandaj, sipas Emrullahut "sundimi i ligjit i është dhënë theks vetëm sa për të plotësuar formën e fjalimit në forume ose medie. Ai shtoi se derisa të kemi afera politike dhe ekonomike të llojit të vet, sigurisht që deklaratat janë formale dhe nuk sigurojnë funksionim të plotë të sistemit të drejtësisë dhe realizim të premtimeve. "Kjo pa dyshim se është bërë me vetëdije të plotë, në të kundërtën gjyqësia do të veproje duke marrë masa me persekucione të paimagjinueshme të pjesëtarëve të klaneve, të familjarëve (nepotistave) dhe në fund të vetë përfaqësuesve politikë dhe juridikë në të gjitha nivelet". Sipas Emrullahut, "sundimi i ligjit edhe mund një ditë deklarativisht të aprovohet, mirëpo vështirë se mund të zbatohet me të njëjtët njerëz, që sot udhëheqin Republikën e Kosovës, sepse në këtë proces janë të involvuar një numër i konsiderueshëm shumicë i njerëzve në pushtetin lokal, atë qendror dhe gjyqësor. Pastaj, gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës, duhet pranuar se përfitimet e tyre tashmë kanë arritur legalizim që bizneset e tyre të jenë legale dhe të fuqishme, që nënkupton se gjithçka kanë legalizuar dhe ligjërisht janë në rregull ". Ai thotë se pronat, tenderët dhe qindra mijëra euro në banka tashmë janë legale. "Pa dyshim se në të gjitha këto struktura ka individë me vlera dhe meritorë, që kanë gatishmëri që ta përkrahin fuqishëm procesin e sundimit të ligjit". Emrullahu thotë se sundimi i ligjit mund të realizohet nga individë të përgjegjshëm dhe me vullnet të mirë me interes për një Kosovë të qëndrueshme politike dhe të zhvilluar ekonomike. "Sundimi i ligjit duhet të kuptohet si prioritet i vetëm. Atëherë do të veprohet drejt për të gjithë qytetarët, shantazhet, aferat politike, korrupsioni, krimi i organizuar do të minimizohet dhe me këtë do të fillojë zhvillimi ekonomik. Me zhvillimin ekonomik do të kemi edhe shëndetësi, arsim, kulturë dhe zbutje të problemeve sociale. Institucionet e drejtësisë duhet të reformohen, përkrahen dhe pavarësohen me qëllim të funksionalizimit të drejtë të sundimit të ligjit, i cili do ta bënte realisht Kosovën e pavarur të pranuar dhe të respektuar nga partnerët e saj", theksoi ai.

 

(Kosova Sot)