Dështakët e ‘Brezovicës’ dhe " Trepçës" të japin llogari

  • 25 August 2016 - 07:50
Dështakët e ‘Brezovicës’ dhe

Qeveria nuk ka marrë asnjë masë ndaj ministrave përgjegjës.

Analistët thonë se dështimi i projektit të investimeve në "Brezovicë" dhe në kombinatin "Trepça" është dështim direkt i ministrave përkatës, por edhe i krejt Qeverisë së Kosovës, me në krye Isa Mustafën dhe, si rrjedhojë, duhet të pasojnë masat përkatëse,raporton Gazeta Kosova Sot

Dështimi i dy projekteve madhore ekonomike nga ana e Qeverisë së Kosovës, sikurse që ishte dështimi me privatizimin e kompleksit të "Brezovicës" dhe dështimi i miratimit të Strategjisë dhe Projektligjit për "Trepçën" deri tash ka kaluar pa asnjë llogaridhënie, qoftë të Qeverisë apo edhe ministrave kompetentë për këta sektorë. Ndërkaq, kjo indiferencë e krerëve të shtetit dhe heshtja e tyre përballë këtyre dy dështimeve, sipas njohësve të kësaj fushe dhe opozitës, tregon se në çfarë niveli të ulët ka rënë kjo qeverisje. Deputeti opozitar, Bali Muharremaj (AAK) thotë se është për keqardhje që nuk do të ketë asnjë lloj përgjegjësie as nga Qeveria "Mustafa", e madje askush edhe nga ministrat përkatës të kësaj Qeverie, që janë përgjegjësit dhe fajtorët kryesorë për dështimin e projekteve të mëdha ekonomike, sikurse që ishin "Brezovica" apo edhe "Trepça". Ndërsa, analistët e ekonomisë janë të mendimit se me të gjitha këto lëshime nga Qeveria dhe ministrat tanë lirshëm mund të thuhet se aktualisht në vendin tonë nuk është e qartë se çka është përgjegjësi publike dhe se në tërësi nga paslufta e deri më sot mungon llogaridhënia e pushtetarëve.

Premtime boshe dhe krekosje qeveritare Bankieri Milazim Abazi është i mendimit se dështimi i projektit të investimeve në "Brezovicë" dhe në kombinatin "Trepça" është dështim direkt i ministrave përkatës, por edhe i krejt Qeverisë së Kosovës me në krye Isa Mustafën. Analisti Abazi thotë se në veçanti kjo vlen sidomos për kombinatin "Trepça", të cilin nuk mundën madje as ta shndërrojnë në një Ndërmarrje Publike "për të cilën gjë na kanë mbushur me premtime dhe krekosje boshe ". Analisti Abazi, thotë me bindje të plotë se për shkak të dështimit të këtyre dy projekteve madhore për vendin, sivjet investimet e huaja direkte do të jenë më të ulëtat pas pavarësisë së Kosovës". Eksperti i ekonomisë, Visar Hapçiu, menaxher i Politikave dhe Marrëdhënieve me Qeverinë e Kosovë në Odën Ekonomike Amerikane(AMCH), tha se në rastin konkret, mosrealizimi i suksesshëm i projektit të "Brezovicës", siç dihet, ka të bëjë me pamundësinë e kompanisë fituese që të sigurojë financimin e projektit. Megjithatë, në përgjithësi, shqetë- sues mbetet numri i vogël i investimeve të huaja direkte në vend, që do të duhej të ishte shtytës i zhvillimit ekonomik. Ai shtoi se kjo situatë, mirëpo edhe dështimi i projektit të "Brezovicës" edhe më tej e theksojnë nevojën e të pasurit të Ligjit për Investime Strategjike, në mënyrë që të mundësohet negocimi direkt me investitorë të interesuar për projekte të mëdha, gjithnjë duke pasur kujdes që të respektohen normat më të larta të transparencës dhe llogaridhënies. 

Devalvimi i llogaridhënies publike Eksperti i ekonomisë, Ismajl Kastrati, ishkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë për "Kosova Sot" se nuk ka përgjegjësi për aferën e pasaportave, andaj edhe nuk do të ketë përgjegjësi as për rastet e dështimit të "Brezovicës" dhe "Trepçës". Sipas analistit Kastrati, llogaridhënia e përgjegjësia në Kosovë është relativizuar dhe është përgjithësuar, për shkak të paqartësisë dhe apatisë në të cilën ka rënë opinioni publik. "Aktualisht, nuk është e qartë se çka është përgjegjësi publike. Kjo po ndihmohet nga ata që duhet qartësuar këtë dukuri, pra, nga ambasadorët e Kuintit. Para një kohe kishim deklaratën e ambasadores së atëhershme amerikane, se të gjithë shqiptarët janë të korruptuar. Kjo ndodhi pikërisht në kohën kur flitej se kryeministri aktual ka shtatëdhjetë akuza në Prokurori. Tani, kur me të madhe flitet për aferën " Pronto", pastaj ambasadori i Anglisë, deklaron se të gjithë në Kosovë kanë punësuar me intervenime, duke mos dalluar a është punësim, apo emërim në borde të ndërmarrjeve publike", theksoi më tej ai.(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)