Kuriri serb: Gruevski e shet Maqedoninë për të mbetur në pushtet

  • 30 August 2016 - 10:56
Kuriri serb: Gruevski e shet Maqedoninë për të mbetur në pushtet

Ish-kryeministri maqedonas dhe lider i VMRO-DPPMNE-së Nikolla Gruevski është i gatshëm ta shesë emrin e shtetit të vet, vetëm për të mbetur në pushtet, shkruan portali serb kurir.rs.

Edhe pse paraqitet si nacionalist dhe patriot i madh, ai javën e kaluar ka pasur takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Koxias, me të cilin intensivisht ka negociuar për zgjidhjen përfundimtare të problemit ndërshtetëror që po zgjat tashmë dy dekada e gjysmë, mëson Kuriri.

Marrëveshjen për ndryshimin e emrit, sipas portalit, Gruevski po përpiqet ta përdorë si letrën e fundit për të shpëtuar veten.

Këto pohime nuk befasojnë kur të kihet parasysh se kohë më parë edhe Wikileaks publikoi dokument të vitit 2011 ku thuhet se ish-kryeministri maqedonas Gruevski ka negociuar për ndërrim të emrit të vendit të vet.

Gruevski nga Prokuroria Speciale Publike është akuzuar për korrupsion, vjedhje parash në llogari të shtetit, shkelje të lirisë së medies dhe vendosje të diktaturës në Maqedoni.

(Kosova Sot)