Banka Botërore: Rritja ekonomike në Kosovë më e ulët se e vitit të kaluar

  • 27 September 2016 - 11:15
Banka Botërore: Rritja ekonomike në Kosovë më e ulët se e vitit të kaluar

Zyrtarët e Bankës Botërore të martën kanë prezantuar raportin e tyre më të ri për ekonominë në Evropën Juglindore, Kosovën dhe për rajonin si tërësi i cili fokusohet në performancën dhe perspektivën ekonomike në vendet e Evropës Juglindore si dhe në faktorët që ndikojnë në parashikimet për rritjen ekonomike.

Me këtë rast zyrtarët e BB-së, thanë se për vitin 2016, rritja ekonomike në Kosovë është parashikuar të jetë 3.6 për qind, që i bjen se kjo rritje është më e ulët se 3.9 për qind sa ishte në vitin e kaluar, raporton gazeta Kosova Sot Online.

Kështu u tha gjatë prezantimit vjetor të Bankës Botërore për Kosovën.

 Ekonomisti i BB-së, Agim Demukaj, tha se kjo rritje është solide dhe e ngadaltë dhe se rritja parashihet të jetë 3.7 përqind deri në vitin 2018.

Sipas Demukaj, rritja ekonomike e mjaftueshme për Kosovë do të ishte 7 përqind për zhvillimin ekonomik dhe uljen e papunësisë.

Ai tha se ka rënie të investimeve të huaja për këtë vit si shkak i dështimeve të privatizimit të Brezovicës dhe Telekomit të Kosovës. Ekonomisti, Demukaj tha se buxheti do të ketë për këtë vit dhe vitet e ardhshme presion buxhetor nga numri i madh i veteranëve të ish-gueriles së UÇK-së që sipas Qeverisë së Kosovës janë mbi 60 mijë sish.

(Kosova Sot)