Nishani, i ftuar nderi në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes të SHBA

  • 27 September 2016 - 12:29
Nishani, i ftuar nderi në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes të SHBA

Presidenti i Republikës, njëkohësisht edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani ishte i ftuari i nderit në Sesionin e Presidentëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uashington D. C.

Fillimisht kreu i shtetit shqiptar u prit nga Gjenerali Major Frederick Padilla, Presidenti i UKM (NDU) si dhe nga udhëheqësit e tjerë të këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit e mendimit strategjik dhe përgatitjes ushtarake, me të cilët zhvilloi një takim duke shkëmbyer mendime dhe ide.

Më pas Presidenti Nishani nënshkroi Librin e Miqve dhe u prezantua në Sallën Lincoln për të mbajtur ligjëratën e tij me temë: “Integrimi i Shqipërisë në NATO: Një ndër dy arritjet me rëndësi gjeostrategjike në historinë kombëtare që shërben si faktor kontribuues vendimtar për paqen, stabilitetin demokratik dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”.

Presidenti u shpreh i nderuar që i drejtohej këtij institucioni avangardë të mendimit strategjik dhe me kontribute të spikatura në çështjet e sigurisë në SHBA, NATO-s dhe në nivel global.

(Kosova Sot)