Mustafa: Kodi i jep Kosovës sovranitet ndërkombëtar

  • 29 September 2016 - 13:32
Mustafa: Kodi i jep Kosovës sovranitet ndërkombëtar

Kryeministri i Kosovës, gjatë interpelancës para deputetëve të Kosovës, lidhur me kodin shtetëror telefonik, ka thënë se me këtë marrëveshje Kosova e ka forcuar sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial.

Mustafa tha se ky kod ka rëndësi shtetërore sepse i jepet Kosovës sovranitet ndërkombëtar dhe përbën një prej simboleve të rëndësishme për vendin tonë.

“Kosova në Bruksel ka arrit marrëveshje me Serbinë e cila i siguron Kosovës kodin e telekekomunikacionit shtetëror. Tash kur ne po bisedojmë këtu Edita Tahiri po merr pjesë në implementimin e kësaj marrëveshje. Kosova do ta ketë kodin e saj telefonik dhe ky kod do të jetë ai i cili do t’i heq nga përdorimi tri kodet që janë përdorë deri tani. Ndërkaq kodi shtetëror i Kosovës do ta bëjë Kosovën me kod të vetin duke i hekë nga përdorimi kodet që janë përdorë tash e 17 vite ilegalisht si është ai 377, 386, 381”, tha ai.

Ai ka shtuar se me këtë marrëveshje Kosova e ka forcuar sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial me faktin se organizata ndërkombëtare e telekonominikacionit do t’ia adoptoj Kosovës kodin e saj telefonik.

Sipas tij, Austria tashmë ka aplikuar në janar në emër të Kosovës për të kërkuar nga EBU, t’i ndaj kodin telefonik Kosovës. Ai ka sqaruar se arsyeja pse është dashtë Austria të aplikoi, është se në këtë mënyrë mund të largoheshin pengesat sepse Kosova ende nuk është anëtare e KB-së dhe pengesat që Serbia do të mund t’ia bënte.

(Kosova Sot)