Gjakova vazhdon me buxhet të mbijetesës e jo të zhvillimit ekonomik

  • 29 September 2016 - 16:45
Gjakova vazhdon me buxhet të mbijetesës e jo të zhvillimit ekonomik

Vërejtje të shumta të opozitës për mosrealizimin e projekteve

Nëse 63% të buxhetit duhet të shpenzohet për paga e mëditje, nuk ka zhvillim ekonomik

“Na janë premtuar stadiume, salla kongresesh, ambulanca të reja, unaza e madhe e unaza e vogël, e shumë e shumë projekte të tjera, por asnjë nga këto nuk është realizua në 3 vitet e kësaj qeverie komunale! Ku mbetën premtimet”, pyet këshilltari Agon Batusha nga ‘Vetëvendosje’

Sa herë që bisedohet për para, ose më saktësisht për buxhetin komunal, atëherë lindin mospajtimet më të mëdha në mes të pushtetit komunal në Gjakovë dhe opozitës në këtë komunë. Kjo mbase është edhe e kuptueshme pasi, siç thotë populli, aty ku ka fukarallëk ka edhe mosmarrëveshje, ka fesat. E, tashmë nuk ka dilemë, komuna e Gjakovës është e varfër, bile me pak gjasa që nga kjo varfëri të del së shpejti. Në situatë të tillë, nga buxheti komunal është e vështirë të pritet se mund të bëhet kush e di çka. Mu për këtë arsye, shpresat kryesore të gjakovarëve janë mbështetur në gatishmërinë e donatorëve të huaj që të investojnë në realizimin e projekteve kapitale, për të cilat premtimet nuk mungojnë, por nuk mund të thuhet se, së paku deri më tash, është bërë diçka me peshë, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Me 30 mijë euro nuk zgjidhet problemi i ujit në Rekë të Keqe

Sipas të gjitha gjasave, kështu do të jetë edhe me buxhetin komunal të vitit të ardhshëm, i cili është paraparë të jetë 21,2 milionë euro, ose vetëm rreth 470 mijë euro më i madh se ky i sivjetmi. Me këto para nuk mund të bëhet diç spektakolare, aq më parë nëse dihet se madje 63 për qind të këtyre mjeteve, ose 13,3 milionë euro, janë paraparë të shpenzohen për paga e mëditje të 2.232 punëtorëve buxhetorë, sa është parapa t’i ketë komuna e Gjakovës në vitin e ardhshëm. “Në situatë të tillë jemi të detyruar që të parashohim, pikë së pari, përfundimin e projekteve që tashmë kanë filluar dhe fillimin e disa projekteve që janë më emergjente. Nuk duhet harruar se nga buxheti i vitit të ardhshëm është parapa, që, përfundimisht të shlyhet borxhi i trashëguar nga qeveria paraprake”, ka thënë Teki Shala, drejtor komunal për buxhet e financa në Gjakovë. Mu projektet që janë paraparë të realizohen nga buxheti komunal në vitin e ardhshëm, janë bërë shkas i reagimeve të shumta të opozitarëve, të cilët kanë shumë vërejtje për mospërmbushjen e premtimeve të mëdha që qeveria aktuale i ka dhënë mu në këtë fushë. “Çuditërisht, për vitin e ardhshëm për ujësjellësin e 26 fshatrave të Rekës së Keqe, janë paraparë vetëm 30 mijë euro, e me kaq mjete nuk mund të bëhet asgjë. Shumë herë deri më tash është thënë se kjo është pasojë e mungesës së mjeteve, por unë kujtoj se është fjala edhe për mungesën e vullnetit për angazhim më të madh”, është i mendimit Dervish Tahiri nga AAK-ja.

Në shekullin e 21-të ende flitet për ujësjellës e kanalizim

Këshilltari komunal që vjen nga radhët e lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Agon Batusha, më së shumti vërejtje ka për mospërmbushjen e premtimeve të shumta që janë dhënë nga qeveria komunale. “Na janë premtuar stadiume, salla kongresesh, ambulanca të reja, unaza e madhe e unaza e vogël, e shumë e shumë projekte të tjera, por asnjë nga këto nuk është realizuar në 3 vitet e kësaj qeverie komunale”, ka thënë Batusha, derisa drejtori për buxhet e financa thotë se me këtë buxhet parashihet intensifikimi i zhvillimit ekonomik. “Nuk e di nga po e sheh ai këtë zhvillim, ky është buxhet i mbijetesës. Në shekullin e 21-të ne ende flasim për ujësjellës e kanalizim. Jemi e vetmja komunë e madhe në Kosovë, që nuk kemi qendër rinore, edhe pse dimë të mburremi se rininë e kemi prioritet. Pos parqeve që i ka rregulluar Demosi nuk kemi as parqe të duhura, ndërsa renovimi i parkut në qendër të qytetit u bë histori. Vazhdimisht po flitet për digjitalizimin e komunës, ndërsa ne këshilltarët komunalë nuk e kemi as nga një mikrofon te ulëset tona, nuk kemi pasqyrim se kush për çka ka votuar gjatë marrjes së vendimeve”, është shprehur Batusha. Vërejtje të ngjashme ka edhe Pjetër Ndou (AAK). “Qeveria komunale nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna më shumë se 10 për qind. Mjetet e fituara nga projekti Demos janë të mirëseardhura, por plotësisht të pamjaftueshme karshi nevojave të qytetarëve dhe karshi premtimeve të dhëna. Në këtë mënyrë nuk përmirësohet jeta e gjakovarëve”, ka thënë Ndou. Edhe shumë opozitar të tjerë thonë se 5,22 milion eurot që në buxhetin e 2017-s janë paraparë për investime kapitale, nuk mund të përmbushin as përafërsisht kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Gjakovës.

(Kosova Sot)