Me teleferik deri në Kalanë e Prizrenit

  • 24 October 2016 - 18:46
Me teleferik deri në Kalanë e Prizrenit

PROJEKTI PËR PERLËN PRIZRENASE DISA HERË KA DËSHTUAR

Islamaj: 390 persona e vizitojnë në ditë kalanë

"E di se ka pasur shumë tentativa, e një tentativë ishte edhe unë derisa isha drejtor në vitin 2010 e më herët. Mirëpo, për befasi, gjithmonë ka dështuar si projekt. Është nevojë e këtij qyteti të ketë teleferik", shprehet për "Kosova Sot", ish-drejtori i Urbanizimit, Shani Berisha

Kalaja e Prizrenit përmban në vete një pjesë mjaft të rëndë- sishme të historisë së lashtë dhe mesjetare të këtij qyteti. Shafi Gashi, arkeolog, pohon se në të ardhmen e afërt duhet të shikohet mundësia që kjo kala të restaurohet, ngase ajo do të ketë rolin e madh për faktografinë historike të këtij qyteti. Por, këtë restaurim dhe në kërkim të mjeteve edhe jashtë Kosovë është duke e bërë drejtori i Turizmit Haxhi Seferqaj, që shpjegon se duhet të merren edhe leje të veçanta për të bërë gjurmime. Komisioni i Kuvendit të Komunës së Prizrenit që është themeluar për të implementuar projektin që lidhet me qasjen në Kalanë e Prizrenit, të cilit i prin kryesuesi Kujtim Gashi, ka takuar përfaqësuesit më relevantë të institucione të ndryshme, ekspertë të këtij lëmi, përfaqësues të OJQ-ve dhe medieve lidhur me mundësinë e implementimit të këtij projekti dhe formën sa më praktike e të mirë. Lidhur me projektin e kalasë dhe qasjen atje, Senat Haliti, kryesues i këtij komisioni, jep disa nga versionet e tij dhe të këtij komisioni se si është më mirë të realizohet qasja në Kala të Prizrenit, transmeton gazeta Kosova Sot.

Teleferiku ndihmon ekonominë e Prizrenit

Haliti mendon se qasja më e mirë do të ishte të bëhet teleferik, siç është në Tiranë, për në Dajt. "Kemi bërë të gjitha hulumtimet që hapësira ku mund të vendosen shtyllat rrotulluese nuk e prekin aspak trashëgiminë e këtij qyteti dhe kjo do t'i jepte një përparësi Prizrenit. Sa u përket pikave, ato mund të jenë dy pika: pika e parë mund të jetë nga kompleksi i LSHP-së e deri në kala dhe pjesa e dytë mund të jetë nga "Marashi". Deputeti Nait Hasani lidhur me qasjen në kala mendon se kjo duhet të bëhet për të mirën e qytetarëve, kurse shprehet se kënaqësi e madhe është që pika referuese të jetë pikërisht nga kompleksi i LSHP-së deri tek dera e parë apo kryesore e hyrjes në kala. Nënkryetari i Komunës, Lulzim Kabashi mendon se format tashmë janë të shumta dhe të llojllojshme, ku ai potencon se implementimi i këtij projekti tashmë është domosdoshmëri. Afrim Tejeci, nga Oda Ekonomike me seli në Prizren, pohon se kjo qasje tashmë është nevojë. "Së pari, nëse kjo krijohet domosdo se do të ndihmojë ekonominë e këtij qyteti, ngase turizmi është njëra ndër bazamentet e rëndësishme të Prizrenit". 

Kërkesa daton që nga viti 1974

Kurse, arkitekti i njohur prizrenas, Iftiman Lutfiu, duke folur për këtë projekt, u shpreh: "Ky projekt është nevojë për Prizrenin. Por, ne ende nuk i kemi parametrat e turistëve se sa vizitohet kalaja. Kurse ajo që duhet bërë është fakti se duhet të kemi edhe numrin e vizionit në të ardhmen se sa njerëz në ditë do të kenë mundësi ta vizitojnë kalanë. Dhe, në bazë të kësaj pastaj të rregullohet se cila formë duhet të zbatohet, ajo e teleferikut, ashensorit apo ndonjë formë tjetër", u shpreh ai. Njësoj se Prizrenit i duhet qasja në kala mendon edhe Shpresa Osmanollaj Krapi, si eksperte, dhe Edon Mullafetahu e Ares Shporta nga shoqëria civile. Derisa drejtori i Urbanizmit, Visar Islamaj ka theksuar se kalaja ka 390 vizitorë në ditë. Kërkesa për teleferik në kala të Prizrenit ka filluar tani e një dekadë më herët. Ish- drejtori i Urbanizmit, Shani Berisha, tani kuvendar i pavarur, është shprehur për "Kosova Sot" se kërkesa për teleferik në Prizren është e vjetër që nga viti 1974. "E di se ka pasur shumë tentativa, e një tentativë ishte edhe unë derisa isha drejtor në vitet 2010 e më herët. Mirëpo, për befasi, gjithmonë ka dështuar si projekt. Është nevojë e këtij qyteti të ketë teleferik. Për modelet unë mendoj se ato mund të caktohen edhe me konkurs. Kësaj radhe kam përshtypjen se ky projekt ka marrë përkrahjen edhe nga lart", është shprehur ai. Shton se ky projekt është i kushtueshëm. Miftar Berisha, 70 - vjeçar, mendon se tani e sa vite po presim që të ngrihet ai ashensor, sepse të vjetrit e kanë problem më të madh se si të ngjiten në kala. "Kemi dëshirë të dalim atje në teferiç e ta shohim njëherë Prizrenin në pëllëmbë dore, por nëse këtë e bëjnë qeveria lokale dua t'i përgë- zoj. Por, kjo duhet të bëhet më shpejt e jo pasi të vdes unë", shprehet ai, duke buzëqeshur, me shpresë se kjo dëshirë e tij do të realizohet. 

(Kosova Sot)