Mania e klounëve vrasës pas SHBA-ve përhapet edhe në Europë

  • 26 October 2016 - 09:15
Mania e klounëve vrasës pas SHBA-ve përhapet edhe në Europë

Festa e Hallouinit po afrohet dhe ashtu siç ishte parashikuar mania e kllouneve e kthyer në një shqetësim të madh në SHBA, po përhapet edhe në Europë. Pas episodeve të para të dhunës në Britaninë e Madhe ku pati edhe një të arrestuar, lista zgjerohet me situata të tjera të rrezikshme në Gjermani, Austri e Skandinavi.

Përshkallëzimi i përgjakshëm i luftës së kllouneve, shënoi rastin e fundit mbrëmjen e së martës. Një djalë 14-vjeçar në Gjermani u përball me dy të rinj të veshur si personazhi aspak i pëlqyer, që tundnin një çekiç e përpiqeshin ta frikësonin. 

Por ai reagoi në mënyrë të papritur duke i plagosur me thikë të dy ata. Fundi ishte edhe më befasues, pasi u zbulua se njëri prej kllouneve ishte në fakt një shoku i tij 16-vjeçar.
 
Një i ri 19-vjeçar u sulmua nga 3 persona të maskuar si kllouna, një prej të cilëve e plagosi me një shkop bejsbolli në Schwaz të Austrisë. Po në të njëjtin shtet, këtë herë në Villach një tjetër i ri mbeti i plagosur rëndë pasi ra në një gropë ndërsa përpiqej t’i shpëtonte palaços me buzëqeshjen e stampuar.

Autoritetet e këtyre vendeve janë vënë në alarm dhe ekziston frika se situata mund të dalë jashtë kontrollit me afrimin Hallouinit. 

Raste të kllouneve agresivë janë shënuar edhe në Suedi ku një 19-vjeçar u qëllua në shpatull nga një person i panjohur, i maskuar si palaço ndërsa një grua u kërcënua nga 2 të tillë. 

Në Oslo të Norvegjisë një djalë që po kthehej në shtëpi nga shkolla u ndoq nga një klloun që e kërcënoi me sharrë. Për të frenuar përshkallëzimin e dhunës zinxhiri i dyqaneve të lodrave në Norvegji “Ringo” vendosi të heqë nga shitja të gjitha kostumet e kllouneve në 114 pikat e shitjeve.

(Kosova Sot)