Kërkohet ndërtimi i xhamisë në Kala të Prizrenit

  • 08 November 2016 - 19:47
Kërkohet ndërtimi i xhamisë në Kala të Prizrenit

Xhamia e Kalasë është një prej xhamive të para në qytetin e Prizrenit, e ndërtuar rreth viteve 1450,shkruan gazeta Kosova Sot.
"Qëllimi i kësaj iniciative është arritja e një konsensusi për ndërtimin e xhamisë në Kala. Për këtë qëllim, Iniciativa Qytetare me BI-në kanë filluar edhe mbledhjen e një peticioni dhe takimet me subjekte politike, shoqërinë civile dhe intelektualë të qytetit" , tregon Ilir Gashi, kryesues i Iniciativës Qytetare

Bashkësia Islame në Prizren po kërkon ngritjen e xhamisë në Kalanë e qytetit. Kësaj iniciative i janë bashkuar edhe shoqëria civile në këtë qytet. Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit thotë se kanë kërkuar nga shteti rindërtimin e xhamisë së rrënuar në Kalanë e Prizrenit. KBI thekson se kjo është kërkesë edhe e tyre dhe të qytetarëve të Prizrenit. Megjithëse shprehen se ka kohë që e kanë bërë një kërkesë të tillë, institucionet shtetërore nuk i janë përgjigjur kërkesave të tyre.

Orhan Bislimaj, sekretar i KBI-së në Prizren, tha për "Kosova Sot" se ende nuk kanë pranuar ndonjë përgjigje me shkrim lidhur me kërkesën e tyre. “Xhamia e Kalasë është një prej xhamive të para në qytetin e Prizrenit dhe në Kosovë, e ndërtuar rreth viteve 1450, kur Perandoria Osmane është vendosur në qytetin e Prizrenit. Me vendosjen e tyre në pjesën e Kalasë së Prizrenit aty kanë ndërtuar edhe xhaminë për nevojat e banorëve që kanë jetuar aty”, tha Bislimaj.

 Xhamia u rrënua nga serbët pas vitit 1920

Sipas tij, kjo xhami ka pësuar shkatërrime dhe rrënime në periudha të ndryshme. “Për herë të parë rreth viteve 1681-89 ishte shkatërruar nga sundimi i atëhershëm austro-hungarez. Mirëpo, ajo më vonë, në vitin 1826 ishte ndërtuar për herë të dytë nga një mytesarif i Prizrenit, Mahmud pashë Rrotlla. Kjo xhami pastaj ka vazhduar të jetë në funksion deri në vitin 1912, deri atëherë kur Kosova mbetet e ndarë prej Shqipërisë dhe bie nën okupim të pushtetit serb. Aty fillon një trajtim mizor ndaj objekteve fetare islame, ku të njëjtin fat e ka pasur edhe Xhamia e Kalasë, e cila pas vitit 1920 si dhe objektet e tjera në Kalanë e Prizrenit, kanë përjetuar një kulturocid nga pushteti serbo-malazez i asaj kohe”, thotë Bislimaj. Ai pohon se në kuadër të projektit të restaurimit dhe të rindërtimit të objekteve të Kalasë, nën mbikëqyrjen e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, nuk është paraparë rindërtimi i kësaj xhamie, për të cilën janë evidentuar të gjitha gjetjet e mundshme në gjurmimet arkeologjike, ku edhe themelet e saj ende qëndrojnë në hapësirën e Kalasë.

Kurse arkeologu Shafi Gashi thotë se lidhur me këtë rast, duhet pyetur në Ministri. “Ne atje i kemi dërguar të gjitha kërkesat”, thotë Gashi. Edhe Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, në Prizren shprehet se kërkesën ia kanë përcjellë Ministrisë. "Ne të gjitha kërkesat e Bashkësisë Islame i kemi adresuar në vendin përkatës, pra në Ministri", thotë Hoxha.

Për rastin e xhamisë në Kala të Prizrenit interesohet edhe politika

Ndërsa Orhan Bislimaj njoftoi se KBI në Prizren, duke filluar që nga viti 2010 e pastaj, edhe në vitin 2014 kanë bërë kërkesa me shkrim që Xhamia e Kalasë mos të konservohet, por ajo të rindërtohet, sikurse objektet e tjera të rindërtuara. Ai shtoi se këto kërkesa me shkrim përveç në MKRS, janë dërguar edhe tek Kuvendi Komunal i Prizrenit, tek Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren si dhe tek Departamenti për Trashëgimi Kulturo-Historike, por që nga asnjë nga këto institucione nuk është marrë ndonjë përgjigje. “Për këtë arsye, ne si KBI i Prizrenit së fundi më 12 maj të këtij viti kemi dërguar kërkesë me shkrim tek Ministria e Kulturës që Xhamia e Kalasë të rindërtohet sikurse që janë rindërtuar edhe objektet tjera në atë hapësirë, të cilat kanë qenë me gjurmë shumë më të vogla se kjo xhami, e cila edhe momentalisht ka themelet dhe pak mure në tokë. Por prej asaj kohe që kur është dërguar kërkesa e deri më tani askush nuk na ka kontaktuar dhe nuk është kthyer përgjigje”, tregon Bislimaj.

Për këtë qëllim Bashkësia Islame po kontakton edhe me zyrtarë politikë në Prizren. Së fundmi, ata janë takuar me kryetarin e Nismës, Zafir Berisha, deputet në Kuvendin e Kosovës. Ky i fundit i ka dhënë mbështetje idesë së ringritjes së xhamisë në Kala.

Ndërsa, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha thotë se rindërtimi i Xhamisë së Kalasë ka një rëndësi të veçantë si për Bashkësinë Islame të Kosovës ashtu edhe për qytetarët e Prizrenit. Sipas tij, ky objekt ka një vend të veçantë për nga historia, si të gjitha xhamitë tjera të periudhës osmane. Sipas Berishës, janë qytetarët e Prizrenit ata që e duan xhaminë në Kala, derisa ata vetëm po e përcjellin këtë vullnet të qytetarëve. “Ne jemi vetëm një urë lidhëse e qytetarëve të Prizrenit për ta arritur këtë qëllim, sepse kjo ka një vend të veçantë dhe ka rëndësi më të madhe, sepse është në territorin e Kalasë”, thotë Berisha.

Iniciativa Qytetare përgatit peticion

Mbështetje kësaj ideje i ka dhënë edhe Iniciativa Qytetare, së cilës i prin Ilir Gashi. “Duke marrë parasysh injorimin e vazhdueshëm të kërkesës së BI-së nga ana e MKRS-së dhe institucioneve tjera relevante për rindërtimin e shkatërruar në Kala, e pamë të arsyeshme ta formojë një Iniciativë qytetare, e cila do të jetë në përkrahje të kërkesës së BI dhe qytetarëve të Prizrenit për rindërtimin e xhamisë në Kala. Në përbërje të Iniciativës Qytetare kemi përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, gazetarë, studentë, afaristë dhe qytetarë të profileve të ndryshme. Qëllimi i kësaj iniciative është arritja e një konsensusi për ndërtimin e xhamisë në Kala. Për këtë qëllim Iniciativa Qytetarët me BI kanë filluar edhe mbledhjen e një peticioni dhe takimet me subjekte politike, shoqërinë civile dhe intelektualë të qytetit", thotë Gashi. 

(Kosova Sot)