Reforma e ‘mbretit’ Thaç

  • 12 November 2016 - 08:05
Reforma e ‘mbretit’ Thaç

NJË NISMË DJALLËZORE E KREUT TË SHTETIT

Presidenti synon ta përjetësojë veten në presidencë

Sipas analistëve, qëllimi i vërtetë i reformës zgjedhore është konsolidimi dhe mundësimi i rizgjedhjes së presidentit, përmes lehtësirave ligjore, që do të krijoheshin me Ligjin e ri zgjedhor

Iniciativa e presidentit Thaçi për ta vazhduar reformën zgjedhore, të dështuar në mandatin e kaluar qeverisës nga PDK-ja, ka mbledhur përfaqë- suesit e subjekteve politike edhe këtë të premte, por përsëri me bojkotin e opozitës. Analistët politikë dhe opozita këtë sjellje këmbëngulëse të kreut të shtetit që ta bëjë temë debati reformën zgjedhore, po e vlerësojnë si një veprim joserioz, një lloj cirku dhe monolog, që zhvillohet vetëm brenda koalicionit qeverisës. Është bindje e përgjithshme e analistëve dhe opozitës se kjo lloj reforme zgjedhore është e paramenduar ekskluzivisht për interesa personale të Hashim Thaçit, i cili po tenton që të gjejë mënyrën që me çdo kusht ta luajë rolin e presidentit të përjetshëm, qoftë përmes votimit 50+1 në Kuvend apo edhe përmes blerjes së votave me zgjedhje direkt nga populli. "Faktikisht, me këtë veprim Hashimi po provon me qenë në qendër të vëmendjes se gjoja është një lloj faktori, përndryshe sa i takon reformës zgjedhore, në të cilën ai po thirret, kjo nuk është çështja serioze që i intereson atij, sepse pikërisht kjo reformë, në të cilën ai po thirret, është një tallje e madhe me opinionin", theksoi deputeti i Nismës Zafir Berisha, shkruan gazeta Kosova Sot.

Berisha: Me pallavrat e Thaçit e Hazirit nuk bëhet reformë

Sipas Berishës, qytetarët e Kosovës kanë shumë halle më të mëdha, ngase Kosova është më e paqëndrueshme se kurrë, edhe politikisht edhe ekonomikisht, që nga paslufta. Ai potencoi se edhe aktualizimi i dekriminalizimit të listave zgjedhore, është tallje e madhe e presidentit, ngase pikërisht vetë presidenti Thaçi, sa ka qenë kryetar i PDK-së, e ka propozuar dhe zgjedhur për kryetar komune njeriun e dënuar nga Gjykata, e ai është akoma kryetar komune në Prizren Ramadan Muja. "Një njeri, i cili e ka deformuar, tash po thirret se është i interesuar për të bërë reformë, reforma në fund të fundit nuk bëhet me pallavrat e Hashim Thaçit e të Lutfi Hazirit, sepse pak rëndësi ka pragu zgjedhor a është -5-7 apo 10 për qind, por reformë zgjedhore do të thotë që sistemi zgjedhor të ofrohet te qytetari, që i zgjedhuri të jetë zë i vërtetë i qytetarit, që deputeti të jetë përfaqësues i vërtetë i qytetarit dhe jo si deri tash, kur vetëm në zgjedhje dalin e i marrin votat, kurse 90 për qind jetojnë në Prishtinë. "Faza e parë e reformimit për mendimin tim është që Kosova duhet t'i ketë 7 zona zgjedhore dhe përfaqësuesit në Kuvend të zgjidhen sipas përkatësisë zonale, me sistem gjysmëproporcional, përndryshe të gjitha këto që Hashim Thaçi me njerëzit që po i mbledh rreth vetes vetëm po tallet me opinionin", tha Berisha për "Kosova Sot". Ai ka pohuar se edhe kalkulimet e Thaçit për mënyrën e zgjedhjes së presidentit janë kalkulime personale, sado që do të ishte në interes të demokracisë, që zgjedhja vërtet të bëhet nga populli.

Së pari zgjedhjet, pastaj kodi i ri zgjedhor 

Edhe Ali Berisha, nga AAK-ja, tha se pavarë- sisht që vendi ka pasur dhe ka nevojë për avancimin e legjislacionit zgjedhor, momenti në të cilin presidenti ka ftuar subjektet politike nuk është i qëlluar dhe kjo nismë po bëhet vetëm për interesin personal të kreut të shtetit dhe partnerëve në koalicion. "Kjo reformë zgjedhore është nevojitur të bëhet shumë më herët, kur është dashur të ketë përgatitjet e duhura dhe konsensusin e të gjitha subjekteve politike për nevojën e reformës zgjedhore në këtë kohë. Tani kjo qasje është krejtësisht e vonuar dhe çdo veprim, që po bëhet edhe nga kryetari i shtetit, por edhe nga ana e kësaj Qeverie aktuale, janë veprime të vonuara, sepse tani është cenuar legjitimiteti i tyre", theksoi Berisha. "Fillimisht presidenti duhet të jetë president, i cili përfaqëson të gjitha subjektet politike, popullin e Kosovës e pikërisht në këtë aspekt është bukur i cenuar. Edhe Qeveria e Kosovës ka probleme të shumta, që janë grumbulluar, prandaj sa më shpejt duhet të shkojë vendi në zgjedhje dhe të gjitha proceset të nisen nga fillimi me një Qeveri të re stabile dhe të përgjegjshme, edhe procesi i të gjitha reformave që kërkohen nga shteti", tha Ali Berisha nga AAK-ja

Nismë jolegjitime Analisti politik

 Ali Hertica, e sheh këtë teatër në vazhdim të presidenti krejt për interesin e tij personal për përfitime eventuale në planin afatgjatë si president i përjetshëm. "Tani në këtë kohë kur presidenti po tenton që në çdo mënyrë ta ketë insistim për reformat zgjedhore, tregon se tani është duke u fshehur edhe plani i afrimit të zgjedhjeve ku ai së bashku me partin e tij PDK po mundohet ta trasojë lehtësimin e rrugës për ta vazhduar prapë mbajtjen e pushtetit, edhe pse gjatë këtyre 17 viteve kishte vetëm mjerim vuajte dhe papunësi, e largim të qytetarit drejt Perëndimit. Edhe tentativa e Thaçit për ta vazhduar këtë proces pa pjesëmarrjen e subjekteve politike opozitare nuk e ka legalitetin dhe legjitimitetit demokratik. Mirëpo, duhet kuptuar që e gjithë kjo tentativë vjen nga dëshira dhe ëndrra e tij për një mandat të ri presidencial, qoftë i zgjedhur me shumicën e thjeshtë nga Parlamenti, qoftë përmes zgjedhjes nga populli me mundësi të blerjes së votave dhe keqpërdorimin e tyre. Formula 50+1 është shumë e favorshme për blerjen e lehtë të votave edhe në Kuvend", tha Hertica për "Kosova Sot".

 Analisti Hidajet Ahmeti thotë se iniciativat e Thaçit asnjëherë nuk kanë qenë serioze e as të sinqerta, çdo iniciativë tij është bërë me motive politike, mbi të gjitha, personalitetin e tij të vërtetë e nxjerrin përgjimet e aferës "Pronto". "Mendoj se çdo tentativë tij për të pastruar personalitetin e tij është e kotë, pasi që pasqyra e tij vërtet tregon të kundërtën. Kupola e krimit e udhëhequr nga ky njeri, nuk ka zgjedhur rrugë për t'i realizuar interesat e ngushta partiake. Kupola e krimit e udhëhequr nga ky njeri ka ditur të eliminojë njerëz fizikisht, atëherë kur kanë ardhur në pyetje interesat e ngushta të tij dhe grupit të tij kriminal", u shpreh më tutje ai. 

Shpërdorimi i pozitës për interesa personale

Edhe analisti Naim Kelmendi pohon se asnjë reformë zgjedhore nuk ka kuptim pa pjesëmarrjen e opozitës, pra pa gjithëpërfshirjen e të gjithë spektrit politik, por dhe të shoqërisë civile për të dhënë kontributin në këtë drejtim. "Këtë debat të Hashim Thaçit për këtë reformë zgjedhore, tashmë e ka bojkotuar tërësisht opozita, prandaj asgjë substanciale dhe përmbajtjesore në këtë drejtim nuk mund të dalë nga ky debat, që është më shumë për interesa të vetë Hashim Thaçit. Edhe para zgjedhjeve të vitit 2014 ka nisur një debat për reformën zgjedhore, por pikërisht janë kjo klasë politike që sot është në pushtet, atëbotë PDK-ja në krye me Hashim Thaçin, që atëherë nuk u ka konvenuar reforma zgjedhore, pikërisht ajo e zgjedhjes së presidentin drejtpërdrejt nga qytetarët", u shpreh ai. "Po të ishte kandidat Hashim Thaçi do ishte pikëpyetje e madhe a do të kishte fituar, por këtë e arriti, pra postin e presidentit në marrëveshje me koalicionin me LDK-në, e cila iu bë levë e synimeve të tij për të arritur këtë pozitë. Është vetë ky Hashim Thaçi që krejt mundësitë e pushtetit, tash edhe këtë të presidencës i ka përdorur vetëm për interesa të tij personale, këtë po e bën edhe tash", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)