Oaza e bukurisë thith si me magnet turistët

  • 14 November 2016 - 19:37
Oaza e bukurisë thith si me magnet turistët

Banorët vendës kryesisht janë marrë me zejen e ëmbëltorëve, shkruan gazeta Kosova Sot.
Në kuadër të Luginës së Lumëbardhit përfshihen 13 fshatra, që kryesisht janë të banuara me popullatë të nacionalitetit boshnjak. Qendra e këtyre fshatrave është fshati Reçan. Emelia Rexhepi, deputete e Parlamentit të Kosovës nga subjekti politik NDS, pohoi për "Kosova Sot" se gryka e Lumëbardhit, që ndryshe quhet dhe Zhupa, duhet të bëhet komunë me qendër komunale Reçanin. Ajo mendon se Lugina e Lumëbardhit, siç quhet ndryshe Zhupa, të bëhet komunë, sepse në këtë luginë jetojnë 13 mijë banorë. Ajo thotë se shumica gati absolute e fshatrave janë me popullsi boshnjake. Për këtë gjë banorët e kanë dorëzuar një kërkesë në Qeveri të Kosovë që në vitin 2009 dhe e kanë ripërsëritur në vitet më pas, siç e kanë bërë një të tillë edhe sivjet. "Po luftojmë me të gjitha forcat politike që këtë status t'ia japim Zhupës. Ne befasohemi kur komunat serbe më me pak banorë marrin statusin e komunës, por si duket vullneti i Qeverisë nuk ishte që ne të jemi komunë," pohoi ajo

Tradita e vjetër ruhet me fanatizëm

Kryetari i fshatit Reçan i Luginës së Lumëbardhit Almir Miftari shprehet për " Kosova Sot" se është kërkesë e kamotshme e banorëve të Zhupës, pra Luginës së Lumëbardhit, që Reçanin ta kemi një komunë në vete. "Nuk jemi këtu vetëm boshnjakë, por jemi shoqëri e përzier. Mund të them se Reçani ka 370 shtëpi, nga këto 300 janë boshnjake,kurse tash janë edhe 70 familje shqiptare e turke që kanë blerë këtu prona dhe kanë ndërtuar shtëpi. Reçani besoj se do të mbetet oazë bukurie", thotë për gazetën Miftari. Ai thotë se, për shkak se ky lokalitet është vendi më i bukur i turizmit malor, ajrit të pastër dhe shumë karakteristikave të tjera, struktura e këtyre fshatrave tashmë ka filluar të përzihet. Qendra e Luginës së Lumëbardhit, që kryesisht banorët e quajnë Zhupë, është fshati Reçan. Miftari shprehet se Reçani ka një infrastrukturë të mirë, por nevojat e përditshme domosdo se edhe po shtojnë kërkesa të reja.

Toponimet e shumta janë në gjuhën shqipe

Mifari thotë se banorët e kësaj ane, për shkak të nevojave të mëdha, kanë pasur zejen e ëmbëltorxhinjve. "Edhe sot mund të them se Reçani ka mbi 500 të punësuar anekënd vendeve të ndryshme me zejen e ëmbëltoristëve. Ky rajon njihet për këtë zanat", shprehet ai. Miftari tregon se rrobat e traditës në këtë anë ruhen si veçanti e madhe. Toponimet e shumta në këtë anë janë në gjuhën shqipe. Kurse Emrush Huduti shprehet se Reçani është vend me të gjitha nevojat e një qendre më të madhe dhe më të ndërtuar se disa pilot komuna. "Kemi ambulanca, kemi postën, kemi bankat, kemi të gjithë nevojat që të bëhet një komunë produktive e Kosovës. Nga të gjitha anët e Kosovës dhe të Shqipërisë vijnë në këtë qendër", shprehet ai. Shton se turistët vijnë në këto anë për shkak se ka restorante të bukura dhe më të mirat në gjithë Kosovën. "Kemi ujin, ajrin e pastër dhe shumë të mira," pohon ai për gazetën. Profesor Sadria Bajra, etnolog, tregon se tradita e veshjeve në këtë mes ruhet me fanatizëm. Reçani është njëri ndër fshatrat që në mënyrë fanatike e ruan traditën e kanagjegjit, të dasmës e shumë tradita tjera 

(Kosova Sot)