Opozita u tërhoq nga debati parlamentar për EULEX-in

  • 02 July 2015 - 20:15
Opozita u tërhoq nga debati parlamentar për EULEX-in

Debati parlamentar për EULEX-in të cilin e kishte kërkuar opozita është shtyrë për nesër nga po të njëjtit, me arsyetimin se ka pasur mungesë të një numri të madh të deputetëve dhe kabinetit qeveritar.

Deputetja Albulena Haxhiu nga Vetëvendosja ka tërhequr si pikë të rendit të ditës këtë debat.
Sipas saj, ky debat duhet të zhvillohet vetëm kur ka transmetim të seancës, sepse qytetarët duhet ta dëgjojnë. Madje, ajo thot që në këtë debat është dashur që të jetë i pranishëm Kryeministri Isa Mustafa, Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe Ministri i Brendshëm, Skender Hyseni.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se kjo çështje është dashur të diskutohet qysh në fillim të seancës dhe se tash nuk ka mundësi të bëhet tërheqja e kësaj pike.
“ Na mundemi të debatojmë tashti, ta shtjerrim debatin, nëse ka nevojë për votim atëherë ta lëmë dhe rekomandimet mund t’i qesin në votim në një seancë të radhës. Na me të vërtet jemi në dilema, asnjëherë nuk po i bie taman opozitës”, tha Adem Grabovci.

Edhe shefi i GP të LDK-së Ismet Beqiri, si kolegu i tij nga PDK-ja, i tha kryetarit të Kuvendit se seanca duhet të vazhdojë derisa të shtirret debati.
“ Unë e thash njëherë mendimin, më lejoni edhe njëherë me përsërit, është kërkuar debat, le të flasin çka kanë për të thënë…Nëse e analizojmë është mendim i tyre që është e rëndësishme me u debate që na nashta mendojmë që nuk është dashtë me u ngritë hiç”, tha Beqiri, raporton KosovaPress.
Diskutimi për sistemin e drejtësisë dhe për çështje të tilla sipas deputeti të LDK-së Armend Zemaj nuk është në kompetenca e kuvendit, për çka sipas tij në mandatin e kaluar kur kishte pasur kërkesa e debate të tilla, kishte mbetur një “njollë e zezë” në Raportin e Progresit, duke i thënë kryetarit se kjo vërejtje shkon për të dhe kryesin e kuvendit të cilët duhet t’i shqyrtojnë çështjet që kërkohen të debatohen. E interpretimi që iu bë rregullores së punës për këtë shtyrje që kërkonte deputetja Haxhiu, nuk i pëlqeu nënkryetarit të kuvendit Sabri Hamiti i cili mori fjalën pas kërkesës së Veselit
“Po um thirre edhe duhet, se e kam bezdi të jashtëzakonshme të flas diçka pas asaj që dëgjova këtu. Të gjithë janë deputet shumica po thonë që janë edhe interpretues shumë të mirë të ligjeve dhe të rregullores, po unë po ju them që nashta dinë por e interpretojnë si llastik si donë kur të donë”, tha Hamiti.

Pas tërë këtij diskutimi ku Hamiti tha që kryesia nuk mund të bëj asgjë për të shtyrë këtë pikë të rendit të ditës, deputetja Haxhiu tha se subjekti i saj me mbështetje të opozitës e tërheqin këtë debat, për ta rikthyer në një seancë tjetër.
“Meqë jemi në një situatë të tillë ne si grup parlamentarë me përkrahje të opozitës e tërheqim debatin parlamentarë për EULEX-in dhe sigurisht që do ta procedojmë shumë shpejt”, tha Haxhiu.
Ndryshe në seancën e sotme deputetët shqyrtuan dhe miratuan disa projektligje dhe hodhën poshtë disa raporte.