Eksperti serb i sigurisë: Prioriteti i ISIS-it është krijimi i Shqipërisë së Madhe

  • 04 July 2015 - 19:44
Eksperti serb i sigurisë: Prioriteti i ISIS-it është krijimi i Shqipërisë së Madhe

Ekspert i sigurisë nga Beogradi, Predrag Ceranic, ka paralajmëruar se Ballkani është destinacioni i radhës së ISIS-it, nëse Damasku bie në duart e tyre. Kjo për shkak se ka shumë ballkanas që i janë bashkuar fushëbetejës siriane, dhe do të rikthehen në vendet e tyre duke luftuar për të njëjtën ideologji.

“Nëse Damasku sulmohet nga ISIS-i – dhe një gjë e tillë pritet të ndodhë, ne mund të presim që një konferencë ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, do të lobojë për njohje ndërkombëtare të Shtetit Islamik. Turqia dhe vendet perëndimore do ta udhëheqin këtë lob”, ka thënë Seranic.

Ai ka shtuar se të kthyerit nga Siria, “luftojnë nën një tjetër flamur”.

“Prioriteti i tyre është krijimi i “Shqipërisë së Madhe”, e cila në radhë të parë do të shtrihet në territoret e Serbisë dhe Maqedonisë, dhe së dyti në territorin e Greqisë. Mali i Zi do të kursehet për shkak se ka arritur një marrëveshje me NATO-n dhe do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të saj. Pritet që të krijohet një kalifat i ri me emrin “Transcaucasia”, ku trupat kryesore të shtetit islam do të transferohen nëpërmjet Turqisë”, ka thënë Ceranic.

Ai ka thënë se gjendja e sigurisë në Ballkan është shqetësuese dhe se destabilizimi i Ballkanit Perëndimor do të vazhdojë, për shkak se është një “terren testimi për eksperimente të ndryshme”.