4 Korriku: Kosova feston “e frikësuar”

  • 04 July 2015 - 19:53
4 Korriku: Kosova feston “e frikësuar”

Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 4 korriku, është shënuar me aktivitete të shumta edhe në Kosovë.

Populli shqiptar vazhdon t’i jetë mirënjohës atij të SHBA-së për ndihmën dhënë Kosovës, ndërsa për shkak të ndonjë sulmi eventual terrorist, këtë vit është anuluar koncerti “Faleminderit SHBA”, raporton KTV.

Në përvjetorin e 239-të të krijimit të shtetit amerikan, shoqata “Miqtë e Amerikës” ka ngritur flamurin amerikan në sheshin “Bill Clinton”.

Me këtë rast, drejtori i Ambasadës Amerikane në Kosovë, Jefferey Jamison, u shpreh të jetë i lumtur për këtë nderim. Kurse përfaqësuesi i kësaj shoqate, Agim Rexhepi, pohoi që shqiptarët janë të ndërgjegjshëm për ndihmën e Amerikës.

Ndërsa, në sheshin e kryeqytetit, pranë Teatrit Kombëtar, Gruaja Demokratike e Kosovës, me një aksion simbolik, ka shënuar përvjetorin e pavarësisë së SHBA-së.

Ndërkohë kryeministri Isa Mustafa uroi qeverinë dhe popullin amerikan, me rastin e 4 Korrikut.