Pranga 26-vjeçarit, seks me dhunë me një 15-vjeçare

  • 05 July 2015 - 10:59
Pranga 26-vjeçarit, seks me dhunë me një 15-vjeçare

Një vajzë e mitur nga qyteti i Korçës u përdhunua dje nga një djalë 11 vjet më i madh në moshë. D. Xhika 26 vjeç banues në qytetin e Korçës, pasi kishte kaluar një kohë të mirë paraditen e së premtes me 15-vjeçaren D.R., edhe kjo banuese në të njëjtin qytet, e kishte ftuar vajzën në një banesë në lagjen 14, aty ku dhe ka kryer sipas uniformave blu marrëdhënie seksuale pa dëshirën e vajzës vetëm 15 vjeç.

Policia nuk ka bërë të ditur se në çfarë rrethanash 15-vjeçarja është gjendur në këtë banesë. Por, nisur nga fakti se vajza kur ka bërë denoncimin nuk ka qenë në gjendje të tregojë me saktësi banesën ku ka kaluar disa orë me 26-vjeçarin edhe për policinë nuk përjashtohet mundësia e përdorimit të pijeve alkoolike nga dy të rinjtë, para se ata të hynin në këtë banesë, transmeton shekulli.

Të shtunën në mëngjes 15-vjeçarja u paraqit personalisht në komisariatin e Korçës ku dhe denoncoi 26-vjeçarin, i cili sipas saj e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale duke e dhunuar. 15-vjeçarja sipas burimeve të siguruara, ka bërë me dije se një muaj më parë është njohur me 26-vjeçarin pa treguar në çfarë rrethanash, por nga ajo kohë nuk ishin takuar më me njeri-tjetrin.

“Për herë të dytë e kam takuar të premten”, është shprehur për uniformat blu 15-vjeçarja dhe “kemi qëndruar bashkë në një nga lokalet e qytetit”. Më pas dy të rinjtë gjithnjë sipas policisë kanë shkuar në një banesë e cila nuk është nën pronësinë e 26-vjeçarit. Pas dëshmisë së vajzës policia ka vënë në pranga në banesën e vet 26-vjeçarin përdhunues për veprën penale, “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”.