Zhgënjimi i miqve në elitën e korruptuar kosovare

  • 16 January 2017 - 07:52
 Zhgënjimi i miqve në elitën e korruptuar kosovare

Lepaja: Ka kohë që kjo klasë politike nuk vepron sipas interesave të qytetarëve

A po i merr sinjalet e qarta të izolimit ndërkombëtar kjo klasë politike që po keqqeveris vendin, derisa edhe miqtë më të përkushtuar ndërkombëtarë po ndahen të zhgënjyer nga të bërat e tyre. Ishte së fundi edhe ish-shefi i Misionit të OSBE-së, William Walker, që tha se në Kosovë ka politikanë që nuk kanë hyrë në politikë për të bërë politikë në të mirë të vendit dhe qytetarëve, ndërkohë që vuri në pah edhe faktin se Kosova duhet ta ndërrojë e zëvendësojë klasën politike aktuale kudo në pushtet, pasi që ata kanë qëndruar shumë gjatë në pushtet dhe kanë dëshmuar se nuk punojnë për të mirën e vendit e qytetarëve. Analisti politik, Fadil Lepaja, thotë se izolimi i kësaj klase politika ka filluar kaherë të paralajmërohet pasi që ka devijuar nga obligimet që ka ndaj shtetit. "Po, ka kohë që kjo klasë politike është korruptuar aq shumë sa më nuk vepron sipas interesave të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, por e kanë instrumentalizuar shtetin dhe grupet e qytetarëve, në funksion të interesave të tyre duke e mbajtur kështu vendin në gjendje krize permanente, të izoluar dhe me ekonomi të rrënuar", thotë Lepaja për "Kosova Sot". 

Spahiu: Të merret si shembull Obama e jo Kim II Young-un

Sipas analistit dhe profesorit universitar, Nexhmedin Spahiut, sinjalet për izolim të kësaj klase politike vijnë edhe më herët, nga deklaratat e James Rubinit. "Kjo ka filluar që me deklaratën e James Rubin para 4 vitesh dhe i fundit është William Walker. Vetëm miqtë e Kosovës e thonë hapur. Të tjerët e mendojnë po nuk e thonë. Çka është tepër, tepër është. Shikoni emrat e politikanëve në Evropë. Askund në Evrope nuk ke ta zëmë politikanë që 40 vjet në funksione ballore të vendit si Isa Mustafa, kryetar i rinisë, kryetar i kryeqytetit, ministër (10 vjet), prapë kryetar i kryeqytetit 6 vjet, kryeministër. Po edhe këta që janë që 20 vjet në pushtet tepër është. Shikoni Barack Obama-n. Karriera e tij politike ka filluar më 2005 e po përfundon më 2017. Le të merret shembull Obama e jo Kim II Young-un apo pasardhësit e tij", theksoi Spahiu për "Kosova Sot". Analisti Blerim Burjani vlerëson se kjo qeverisje duhet të kujdeset sinqerisht për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale. "Mungesa e një edukimi normal dhe cilësor bën që Kosova të jetë në krize permanente dhe ka një pasiguri për të ardhmen e vendit. Klasa akademike në vend tani duhet të mobilizohet dhe të bëjë një alternativë të re politike, pra një gjeneratë më e re politike i nevojitet vendit për ta zëvendë- suar këtë klasë politike që deri më tash u pa se nuk është as e gatshme as e interesuar për të zbatuar vullnetin e qytetarëve, por vetëm vullnetin partiak, familjar dhe klanor", theksoi Blerim Burjani. 

Kosovës po i shkaktohen dëme të mëdha

Sipas politologut Bejtullah Ibrahimi, Kosova vazhdimisht i ka marrë dhe po i merr mesazhet e dështimit në të gjitha sferat e udhëheqjes, por ato më serioze janë kur vijnë nga miqtë e përkushtuar, që tani ndihen të zhgënjyer nga kasta politike qeverisëse. "Kjo së fundi erdhi edhe nga miku i madh i Kosovës, ishshefi i Misionit te OSBE-së, William Walker, por jo vetëm kaq, vendi ynë qoftë me raporte të brendshme nga institute, organizata të shoqërisë civile, qoftë ato ndërkombëtare del tepër negativ sa i përket mënyrës se si udhëhiqet me vendin nga krerët e pushtetit në të gjitha nivelet dhe periudhat e saj. Këto reagime në këto momente mendoj se janë shpeshtuar për faktin se Kosova tashmë që dy vite ka hyrë në një fazë tepër kritike të saj, ku realisht fuqishëm po sprovohet sovraniteti dhe shtetësia e vendit nga neglizhenca, apo mosdija e udhëheqësve të vendit, apo ndoshta edhe nga kushtëzimet që i kanë për faktin së janë të zhytur në krim të organizuar, ku besoj se nuk mungojnë as dosjet për ta", theksoi Ibrahimi për "Kosova Sot". Sipas tij, kjo situatë e rënduar me këtë klasë politike në të gjitha nivelet po i shkakton Kosovës dëme të mëdha si në aspektin ekonomik, politik dhe atë të integrimit në familjen evropiane, sepse jemi vendi më i varfër në Evropë, kemi politike klienteliste dhe nepotiste, si dhe jemi larg përfitimeve që ofron Bashkimi Evropian, më saktë- sisht liberalizimin e vizave. Se izolimi ndërkombëtar po bëhet realitet për këtë klasë politike të papërgjegjshme është i bindur edhe politologu Arsim Haziri. "Tashmë në 18-vjetorin e masakrës së Reçakut, Walker skajshmërisht është i zemëruar me gjithë padrejtësitë që i janë shkaktuar vendit. Kjo fatkeqësisht është realizuar, për shkak të elitës kriminale dhe jonacionale, dhe njëherësh kanë përçuar edhe mesazhe të qarta se si politikë s'jemi vendosur për konsolidimin e shtetit dhe institucioneve. Konsideroj se ka arsye të fuqishme pse ai ndien një zhgënjim total, kjo gjen argument mjaft të fuqishëm juridik e fizik. Mbes nën mbështetjen e vlerësimeve të tij, kur thotë se Kosova aktualisht nuk ka dëshmuar se zotëron liderë politikë, të cilët janë për zhvillimin dhe progres të brendshëm dhe të jashtëm. Kosova më shumë se asnjëherë më parë, ka nevojë për rifreskimin e infrastrukturës politike dhe zëvendësimin e saj me një tjetër, e cila do të ishte përgjegjëse para qytetarëve. Kosova përgjatë gjithë kësaj periudhe më shumë shquhet për liderë të korruptuar, për dëmtim të resurseve publike, si dhe për zhvatje të tërësishme të parasë shtetërore. Dhe, duke pasur nën konsideratë gjithë të bëmat, është krijuar edhe perceptimi si vendor ashtu edhe ai ndërkombëtar se Kosova rëndë ballafaqohet me një mungesë të theksuar të lidershipit të pastër politik, i cili shtetndërtimin dhe stabilitetin e brendshëm do t'i kishte për çështje primare. Pra, mos të harrojmë se vendi me më së shumti donacione prej faktorit ndërkombëtar është shndërruar në vendin më të paperspektivë në Evropë. Ky fakt aspak nuk i shqetëson liderët politikë", u shpreh Haziri për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)