Mustafa flet për vrasjen e Tahir Zemajt

  • 06 July 2015 - 15:09
Mustafa flet për vrasjen e Tahir Zemajt

Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është mbajtur sot në Prishtinë Akademi Përkujtimore kushtuar luftëtarëve të lirisë të rënë në betejën e lavdishme të Loxhës: Rrustem Bruqi, Lumni Surdulli dhe Enver Alaj.

Në këtë Akademi, me pietet të lartë është përkujtuar edhe Komandanti i Zonës së III-të të Dukagjinit dhe i Betejës së Loxhës, Kolonel Tahir Zemaj.

Fjala e Mustafës:

Ndihem i privilegjuar që sot, në 17 vjetorin e Betejës së Loxhës, t’u drejtohem me këtë fjalë rasti dhe bashkë me ju, të shpreh nderimin e madh për të gjithë pjesëmarrësit e kësaj beteje, të cilët, të udhëhequr nga Heroi i Kosovës, kolonel Tahir Zemaj, arritën një nga fitoret më të lavdishme të luftës sonë për çlirim.
Në mënyrë të veçantë përkujtojmë me përkulje të rënët në këtë betejë, ata që shënuan emrat e tyre në panteonin e përjetësisë, duke u flijuar për lirinë e atdheut: luftëtarët Rrustem Bruçi, Enver Alaj dhe Lumni Surdulli, që të tre të dekoruar nga Presidenti me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”.
Po ashtu, nderim të veçantë shprehim edhe për luftëtarët dhe eprorët e Brigadës 134, Sali Çeku, Nazif Ramabaja, Fadil Hadërgjonaj, Bajram Stojkaj, Esat Ademi, Cufë Kurtulaj, Rexhë Osaj dhe Shaban Shala, si dhe për të gjithë ushtarët që morën pjesë në fitoren e Betejës së Loxhës.
Beteja e Loxhës shquhet për organizim ushtarak dhe bashkëpunim me banorët e Loxhës dhe të fshatrave përreth. Prandaj, sot, kjo betejë kujtohet në shkëlqimin e saj të plotë. Ajo është sinonim i një fitoreje të arritur nga bashkërendimi i shkëlqyer i strategjisë së prijësve të saj me ushtarët e tyre, të cilët njihnin dhe vlerësonin hierarkinë e gradës ushtarake, njihnin dhe respektonin institucionet legjitime të Kosovës.
Për fat të keq, veprat e mëdha shpeshherë bëhen të kobshme për autorët e tyre. Shuarja e parakohshme e kolonelit Tahir Zemaj është fundi më absurd që mund të kishte një çlirimtar si ai, një Hero i Kosovës. Strategu i fitores në Betejën e Loxhës u vra në kohën e lirisë, në një pritë klasike, që i kishin vënë armiqtë e Kosovës, në fillim janarin e vitit 2003. Bashkë me Tahirin u vranë edhe i biri i tij, Enisi, dhe kushëriri i tyre, po ashtu shumë i ri, aktivisti i devotshëm Hasan Zemaj.
Ky akt qyqar pati indinjuar tërë Kosovën, po edhe miqtë tanë kudo në botë, duke nxitur reagime të menjëhershme, ndër të cilat veçohen ato të presidentit Ibrahim Rugova dhe të Senatorit Bob Doll.
Për meritat e tij të jashtëzakonshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit, si dhe të ndërtimit të institucioneve të Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës dekoroi në korrik të vitit 2010 kolonel Tahir Zemajn me Urdhrin “Heroi i Kosovës”.
Serbia e Millosheviqit kreu në mënyrë të organizuar dhe sistematike krime çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës, të cilat u dënuan nga e gjithë bota demokratike.
Përmasat e këtyre krimeve e shtynë bashkësinë ndërkombëtare të ndërhynte për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja dhe shpopullimi që i kanosej nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe.
Prandaj, asnjë lloj pretendimi për t'i vënë në peshojë ato ngjarje të tmerrshme me krimet individuale, që mund të ketë kryer ndonjë ish-pjesëtar i UÇK-së, nuk mund të ketë kurrfarë baze.
Mirëpo, ne, Republika e Kosovës, si shtet i ri, si shtet evropian i ligjit dhe i së drejtës, duhet të tregohemi të gatshëm për t’i përmbushur obligimet dhe zotimet tona përpara drejtësisë ndërkombëtare, të cilën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë, nuk duhet t’i paragjykojmë si të njëanshme dhe selektive.
Lufta e popullit të Kosovës ka qenë luftë për liri, ka qenë luftë për ekzistencën tonë në këto troje, sepse dhuna dhe terrori serb e kishte sjellë popullin e Kosovës në një situatë hamletiane - të jesh apo të mos jesh!
Dhe, natyrisht, siç do të bënte secili popull tjetër liridashës, populli i Kosovës, pas përpjekjesh të gjata për zgjidhje paqësore, u detyrua t’i rrokte armët në dorë, sepse Serbia nuk la asnjë shteg tjetër.
Falë politikës vizionare të presidentit Rugova, falë kauzës sonë të drejtë çlirimtare, bota e qytetëruar, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vendet e tjera të Aleancës Veriatlantike, ndërmori fushatën e madhe 78-ditëshe ajrore kundër forcave serbe duke e detyruar Serbinë e Millosheviqit të nënshkruante kapitullimin, të nënshkruante humbjen e luftës.
Sot, po këta miq që na ndihmuan të arrinim lirinë e synuar shekuj me radhë, na inkurajojnë që të ballafaqohemi vetë me aktet e liga që mund të kenë kryer individët, që të dëshmojmë se jemi të denjë dhe të aftë për të vënë drejtësi, pa marrë parasysh se sa e dhimbshme mund të jetë kjo për secilin prej nesh.
Kosova duhet dhe është e aftë të ndërtoj një shtet të së drejtës, ta vejë drejtësinë në vend. Veç kërkesës për të zbardhur rastet për të cilat angazhohet drejtësia ndërkombëtare, ne e kemi për borxh të zbardhim të gjitha vrasjet politike të pasluftës.
Këtë ua kemi borxh viktimave, ua kemi borxh familjarëve të tyre, ua kemi borxh bashkëluftëtarëve të tyre dhe ia kemi borxh shtetit të Kosovës. Institucionet tona duhet t’i lirojmë nga arenat ku njëra palë fajëson tjetrën për vrasje dhe krime. Këto çështje duhet t’i zgjidhin organet e drejtësisë.
Heronjtë dhe dëshmorët e Betejës së Loxhës, heronjtë dhe dëshmorët e të gjitha betejave të zhvilluara për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhanë jetën e tyre për një Kosovë të lirë, për një Kosovë të vlerave të mirëfillta demokratike, në të cilën jeta e secilit qytetar, pa dallim kombi, besimi a race, është njëlloj e vlefshme, është njëlloj e pacenueshme.
Këto edhe janë idealet tona, idealet dhe synimet e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat ne do t’i bëjmë realitet, pavarësisht se rruga që kemi para vetes nuk është aspak e lehtë dhe ende kërkon nga ne vendime të rënda, por të domosdoshme.

(Kosova Sot)