Pavarësia e zymtë për familjen e Miradijes

  • 17 February 2017 - 17:35
Pavarësia e zymtë për familjen e Miradijes

Premtimet për sigurimin e një strehe i barti era,shkruan gazeta Kosova Sot.

F estën e parë të pavarësisë e pritëm me gëzim se po vijnë ditë të mira. Mirëpo, për ne e ardhmja mbetet e errët. Kështu shprehet Miradije Parallangaj, e cila këtë 9-vjetor të pavarësisë e pret në varfëri të madhe. Falë ndihmës humanitare kohë më parë që bënë shoqatat humanitare për prindërit Xhemë e Miradije Parallangaj u shërua djali i tyre, Elioni, jashtë vendit. Elioni vuante nga uji i mbledhur në veshka. Ai tani është shëruar, por i duhet që për barëra për Elionin të blejë çdo muaj nga rreth 300 euro. Nëna e Elionit, Miradije Parallangaj, që jeton në një depo me lagështi dhe pa kushte elementare shpjegon për "Kosova Sot": "Po jetojmë me 100 euro ndihmë sociale. 300 euro na duhen vetëm për djalin që t'ia blejmë terapitë", është shprehur ajo. Shumë e emocionuar dhe me lot për fytyre Miradija tregon se nga ajo që ka përjetuar është sëmurë edhe vetë me bazë nervore dhe nuk po arrin t'i blejë ilaçet. "Brengë e kemi Elionin, edhe pse ai tashmë është shëruar. E dërgojmë në spital, por prapë duhet ta kthejmë në këto kushte të rënda ku jetojmë", është shprehur ajo.

Burri i operuar nga kanceri në fyt, nuk mund të punojë

 "Burri s'mund të punojë, është operuar nga kanceri në fyt. Unë jam e sëmurë, djali i madh e ka të hequr njërën veshkë. Edhe Elioni ishte shumë i sëmurë, por tash për fat të mirë është shëruar me kontributin e humanitarëve", është shprehur ajo. "Patëm premtime për një strehë, por siç duket u harrua ai premtim", ankohet Miradije Parallanga. Ajo tutje shton se në 9-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, e vetmja e mirë që ka ndodhur në familjen e saj është shërimi i djalit, problemet e tjera mbesin ato që kanë qenë edhe më parë. "S'kemi as bukën e gojës dhe s'di si të gëzohemi. S'kemi as pse i gëzohemi kësaj jete as kësaj feste. Jemi duke jetuar në këtë depo, por edhe ajo është në plan të rrënohet", thekson Miradija.

Pa ushqim të mjaftueshëm

Miradija tregon se nëse i largojnë nga ajo depo, nuk e di se ku do të shkonte ajo me gjithë familjen. Brengoset se në këto kushte Elioni prapë do të sëmuret. "Unë më shumë ha lot se bukë në jetën time", është shprehur ajo. Shton se si fëmijë ata ballafaqohen me mungesën e çdo gjëje. "Si të rriten këta fëmijë, kur s'kanë ushqim të mjaftueshëm. Nuk kemi asgjë, ama asgjë për t'iu ofruar kushte më të mira këtyre fëmijëve", thekson ajo. Jeta e ka rrënuar shëndetin e Miradijes nga sëmundjet e familjarëve dhe nga kushtet e rënda. Karshi moshës që kishte, ajo dukej shumë më e vjetër. "Si të gëzohemi për festën e pavarësisë kur nuk kemi as bukë për të ngrënë", shprehet ajo. Tutje shton: "Fëmijët nuk hanë pavarësi, por duan bukë", tregon Miradija. Kjo familje ka nevojë për çdo gjë. Për të gjithë ata që duan ta ndihmojnë familjen e Miradijes ajo ka në dispozicion numrin e telefonit që është 045 273 637. Miradija shpreson se shoqatat humanitare do t'ia sigurojnë një kulm mbi kokë, ndryshe do ta kenë shumë të vështirë.  

(Kosova Sot)