Bushati në Izrael: Koalicion të gjerë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

  • 21 February 2017 - 22:42
Bushati në Izrael: Koalicion të gjerë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë pune në Izrael ku kreu takime me Ministrin e Mbrojtjes Avidgor Lieberman, Ministrin për Bashkëpunimin Rajonal dhe Komunikimin Tzachi Hanegbi, si dhe konsultime të veçanta për bashkëpunimin dypalësh dhe çështjet e sigurisë me zv. Ministrat e Punëve të Jashtme, Tzipi Hotolevy dhe Michael Oren.

Në takimin me Ministrin Liberman, bisedimet vunë në pah bashkëveprimin efektiv midis dy vendeve në fushën e sigurisë, zhvillimet pozitive në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe vullnetin e dyanshëm për zgjerimin e tij me projekte konkrete në fushën e teknologjisë së lartë, bujqësisë, turizmit, energjisë apo administrimit të ujrave. Biseda midis dy ministrave u fokusua mbi zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme, sfidat e përbashkëta të sigurisë në Mesdhe, bashkëpunimin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rolin e tyre të patjetërsueshëm për dy vendet respektive. Ministri Liberman falënderoi qeverinë shqiptare për dialogun e vazhdueshëm dhe për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Izraelit në forumet ndërkombëtare. 

Në takimin me Ministrin për Bashkëpunimin Rajonal dhe Komunikimin Tzachi Hanegbi, biseda u fokusua mbi rëndësinë që Shqipëria dhe Izraeli i japin krijimit të plaformave të bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve për të ndërtuar në rajonet respektive ura komunikimi në funksion të ndërtimit të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Në konsultimet politike me zv. Ministrat Hotolevy dhe Oren, palët u ndalën në përpjekjet e koalicionit të gjerë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, projektet energjetike në Mesdheun lindor dhe rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në Europën Adriatike. Palët shkëmbyen mendime në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe marrëveshjen bërthamore me Iranin, për të cilat Ministri Bushati theksoi se qëndrimi i Shqipërisë është në linjë me Bashkimin Europian dhe në përputhje me angazhimet tona si vend anëtar i NATO-s.

Bashkëbiseduesit izraelitë ripërsëritën mirënjohjen e popullit të izraelit për popullin shqiptar për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe informuan Ministrin Bushati se në librat shkollorë të historisë në shtetin e Izraelit është përfshirë tashmë një kapitull i veçantë që tregon këtë akt të pashembullt të shqiptarëve. Në përfundim të vizitës së tij në Izrael, Ministri Bushati mbajti një leksion të hapur në Qëndrën për Studimet e Sigurisë pranë Universitetit Bar-Ilan, mbi “Kontributin e Europës Juglindore në sigurinë e Mesdheut”. Ministri Bushati nënvizoi se “asnjë projekt i sigurisë europiane nuk mund të konceptohet pa një parametër mesdhetar”. Në këtë kontekst, “bashkëpunimi në fushën e sigurisë energjetike mund të na ndihmojë që ta transformojmë ndërvarsinë midis brigjeve të Mesdheut në një stabilitet dhe prosperitet afatgjatë”, u shpreh ministri Bushati. 

(Kosova Sot)