Prokurorët paguhen kot, amnistojnë pushtetarët e korruptuar

  • 13 August 2017 - 07:50
Prokurorët paguhen kot, amnistojnë pushtetarët e korruptuar

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se hezitimi dhe neglizhenca e prokurorëve dhe gjyqtarëve për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë është i pajustifikueshëm dhe i papranueshëm, derisa, sipas tyre, ky edhe është treguesi më i keq se gjykatësit dhe prokurorët në Kosovë as që kanë vullnetin e as etiken profesionale për t'u përballur me krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa në anën tjetër marrin paga të majme nga buxheti i shtetit. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se përse nuk po shkarkohen prokurorët dhe gjyqtarët që hezitojnë ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë, e që edhe ambasadori amerikan në Kosovë thotë se Prokuroria Speciale po heziton apo heqë dorë nga ndjekja e hetimi, kur ka të bëjë me zyrtarët e lartë publikë, që janë të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar. Pra, nëse prokurorët nuk janë në gjendje të luftojnë korrupsionin te nivelet e larta të shtetit dhe lidhjet e tyre me mafio-oligarkët ekonomikë të bizneseve monopoliste e të pista, atëherë pse duhet të qëndrojnë ata në Prokurori të Shtetit e të paguhen thuaja kot së koti me paga të majme, e sidomos ata prokurorë në PSRK!?

Image

 

Miftari: Institucionet e drejtësisë janë të pafuqishme në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit

Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se hezitimi dhe neglizhenca e prokurorëve dhe gjyqtarëve për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë është i pajustifikueshëm dhe i papranueshëm, derisa siç tha kjo zaten edhe është treguesi më i keq se gjykatësit dhe prokurorët në Kosovë as që e kanë vullnetin e as etikën profesionale për t'u përballur me krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa në anën tjetër marrin paga të majme nga buxheti i shtetit. Sipas tij, ata të PSRK-së por edhe gjyqtarët nuk janë në gjendje ta luftojnë korrupsionin e niveleve të larta të shtetit apo krimin e mafio- oligarkëve ekonomikë të bizneseve monopoliste e të pista dhe shtron pyetjen pse atëherë ata duhet të qëndrojnë në prokuroritë e shtetit e të paguhen koti, kur këto ndërmarrje të tyre kundër krimit dhe korrupsionit ua garanton ligji dhe e kanë detyrim ligjor. "Fatkeqësisht e kemi këtë gjendje që e ka thënë ambasadori amerikan Greg Delawie se Prokuroria Speciale po heziton apo heq dorë nga hetimi dhe ndjekja penale, kur ka të bëjë me zyrtarët e lartë publikë, që janë të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar. Fatkeqësisht ky konstatim i ambasadorit amerikan tregon edhe për këtë realitet të gjendjes së Prokurorisë Speciale, pra duke mos pasur vullnet ta luftojë krimin e organizuar e korrupsionin, derisa janë në pyetje zyrtarë të lartë publikë, edhe pse ata kanë bërë shkelje të veprës penale. Kështu që me këtë gjendje që kemi nuk mund të flitet për një drejtësi efikase në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend", ka theksuar Kelmendi. Sipas tij, institucionet e drejtësisë janë të pafuqishme në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.

Image

 

 

Smaka: Mungon Ligji për përgjegjësinë funksionale

Analisti Naim Miftari thotë se problemi i gjyqësisë dhe prokurorisë në përgjithësi, përfshirë edhe atë speciale në Kosovë është se nuk kemi as prokurori dhe as gjyqësi të pavarur politikisht, ngase të gjithë janë të varur politikisht nga pushteti dhe të gjithë këta prokurorë, siç tha, janë të zgjedhur prej kryeministrave, ministrave, kryetarëve të partisë dhe ata nuk e mbrojnë interesin e ligjit, por e mbrojnë interesin e atyre që i kanë dërguar aty në atë post. "Përgjigjja është se faktikisht nuk kemi drejtësi të pavarur. Drejtësia vepron vetëm te njerëzit fukarenj, të cilët ndoshta dënohen për një shumë të vogël parash ndërsa në anën tjetër për ata që bëjnë tregti milionëshe nuk guxojnë të preken nga askush dhe janë të paprekshëm. Mirëpo, deklarata e ambasadorit amerikan është e drejtë, por unë e di shumë mirë se Ambasada amerikane e di shumë mirë se gjykatat, politika në Kosovë është e kriminalizuar dhe po të duan ata mund ta rregullojnë problemin e korrupsionit në organet e sigurisë veçse duhet për të bërë presion më të madh si tek kryetari i shtetit, ashtu edhe tek kryeministri", ka theksuar Miftari. Ai tutje ka shtuar: "Gjërat në Kosovë nuk janë sekrete pasi ato dihen, pra duhet të jenë më të sinqertë edhe të bashkësisë ndërkombëtare, sepse ajo e di shumë mirë se në Kosovë nuk ka drejtësi", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari. Profesori i së drejtës, Riza Smaka, ka veçuar se këto janë pasoja të mungesës së ligjit për përgjegjësinë politike dhe atë funksionale që qeveria nuk e ka përgatitur si duhet dhe nuk ia ka prezantuar si duhet kuvendit, dhe ky i fundit nuk e ka miratuar në mënyrë që të aplikohej ligji në fjalë. "Natyrisht se personat funksionarë publikë të administratës publike, në këtë rast prokurorët publikë do të trajtoheshin në procedurë disiplinore dhe do të shkarkoheshin pos të tjerash eventualisht në rastet e konstatuara se ekzistojnë dyshime të bazuara për krimet e bëra nga mos bërjet apo nga bërjet. Do të thotë kjo duhet të bëhet vetëm që qeveria duhet ta ketë në agjendë këtë ligj, pra Ligji për përgjegjësinë politike dhe funksionale dhe më pastaj të aplikohej ligji, sepse sot nuk ka ligj, prandaj edhe po ndodh sot kjo", u shpreh Smaka. Ai shtoi se prokurorët dhe gjyqtarët nuk tregojnë kurrfarë performance madje edhe neglizhencë e indolencë, indiferencë dhe asgjë kurrkujt. "E merr pagën dhe privilegjet e shtetit që nuk i meriton dhe ky është abuzim i rëndë", spikati për gazetën "Kosova Sot" profesori i së drejtës Riza Smaka.

Image

 

(Kosova Sot)