< Pazari për Specialen, shpikje e Thaçit - Lajme - Kosova Sot
Pazari pėr Specialen, shpikje e Thaēit

Pazari pėr Specialen, shpikje e Thaēit

Loja e pistë e presidentit, në prag të ngritjes së aktakuzave të reja

Drejtësia merret me prova, jo me kompromise politike

Nt: “Kosova ishte e detyruar ta pranojë këtë gjykatë, por ajo që është tani amatoreske ishte besimi se bashkësia ndërkombëtare do të bëjë pazare dhe këmbime në këtë temë. Janë mashtruar pa nevojë, kur dihet qartë se s’ka lojë me rend dhe ligj, apo me gjykata të këtij lloji të rëndë. Veprat për të cilat priten të akuzohen kosovarët janë të ashpra, të pamëshirshme me të drejtën ndërkombëtare, të pafalshme dhe të pakëmbyeshme me procese të tjera, siç ka menduar Thaçi dhe përplot amatorë, me rendin dhe ligjin”, theksoi Blerim Burjani

Pas marrjes së lajmit se në vjeshtën e vitit që vjen Gjykata Speciale do t’i vërë në bankën e të akuzuarve edhe eksponentët kryesorë të ish-UÇK-së, duke përfshirë këtu edhe figurat e larta politike të PDK-së dhe jo vetëm, janë paguar dhe shpërblyer pjesëtarë të nëntokës dhe shantazhues mediatikë, të cilët po përpiqen të dezinformojnë qytetarët dhe bashkësinë ndërkombëtare se gjoja arrestimi i figurave të tilla të larta politike të vendit mund ta destabilizojë vendin. Mirëpo, analistët politikë nuk besojnë në një shpjegim të tillë. Ata besojnë fuqishëm se tani edhe qytetarët janë lodhur nga të gjithë liderët aktualë politikë dhe as që do të lodhen fare po që se të njëjtit do të sillen para drejtësisë nga Gjykata Speciale. Mirëpo politika me argatët e vet, sipas analistëve, nëpërmes dezinformimit, shantazhit dhe formave të tjera kriminale, po bën të “shantazhohet” edhe bashkësia ndërkombëtare me ndërprerje të dialogut, trazira ndëretnike e shumë të pavërteta të tjera, por sidomos Gjykata Speciale, që të mos prekin nivelin e lartë të politikës në Kosovë. Madje, po konsiderohen plotësisht të pavërtetë zotimi dhe angazhimi, sipas të cilëve po thuhet se  figurat e larta politike po i ndalin segmentet politiko-religjioze për të vepruar në vend, sepse realisht janë figurat e larta politike në Kosovë që mbajnë nën kontroll nëntokën dhe paligjshmërinë në Kosovë dhe nuk ndalin dhe nuk merren fare me segmente religjioze, por vetëm me hajni dhe krim të organizuar. Për më tepër qëndron fakti se “spastrimi” i detyruar nga figurat e larta politike në Kosovë vetëm sa do të mund t'i hapte Kosovës një kapitull të ri, ku forcat e reja, si brenda partive, por edhe partive të reja do të mund të vinin në shprehje, e jo të bllokoheshin, kërcënoheshin apo shantazhoheshin nga po këto figura të larta aktuale politike që e kanë pushtetin në dorë bashkë me nëntokën kriminale.

Pasojat e shantazhit politik

Analisti politik Florim Zeqa thotë se fillimisht për opinionin duhet sqaruar një gjë, që Gjykata Speciale është produkt i figurave politike të shantazhuara, të korruptuara dhe të kriminalizuara, të instaluara në majat e pushtetit, të cilat pikërisht deri më tani, me qëllim që të shpëtojnë lëkurën e tyre nga "Specialja" kanë nënshkruar edhe marrëveshje të dëmshme për vendin dhe inversin e qytetarëve, kurse tani po vazhdojnë me përhapjen e dezinformatave dhe të shantazhit. “Me miratimin e amendamenteve kushtetuese në Kuvendin e Kosovës për Gjykatën Speciale, fillojnë edhe spekulimet mediatike, dezinformatat, shantazhet me ndërprerje të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, thirrjet për trazira ndëretnike e shumë të pavërteta të tjera, se gjoja Gjykata Speciale nuk do të prekë nivelin e lartë të politikës në Kosovë, figura të cilat mbajnë nën kontroll nëntokën e paligjshme, krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë në trajtën e haraçit qeveritar për bizneset e vogla dhe të mesme, ngase në Kosovë nuk bëhet fjalë për makro-biznese që do të gjeneronin me mijëra vende të punës për të rinjtë kosovarë”, potencoi Zeqa për “Kosova Sot”.

Ethet e vjeshtës

Një konstatim të ngjashëm e nxjerr edhe analisti Ali Hertica, i cili thotë se ethet e Gjykatës Speciale po fillojnë me temperaturat e ulëta të vjeshtës së këtij viti.“Tani po duket që  filloi vjeshta e furtunës së fillimit të veprimit nga Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, që është krijuar në Hagë, duke e marrë bekimin edhe nga vetë Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën trysninë e liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, dhe militantët e tij partiakë, së bashku me aleatët e subjekteve të tjera politike për t’i zhveshur figurat kyçe të UQK-së nga lufta e cila ishe heroike, por që u manipulua nga vetë nëntoka dhe figurat e larta politike dhe ushtarake”, u shpreh ai. “Kjo gjykatë do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999-2000, të ngritura ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa dallim funksioni. Me drejtësinë duhet dhe do të ballafaqohet  secili i akuzuar që është i involvuar në këto akuza, po qe se janë vërtet ashtu siç thuhet nga Gjykata Speciale dhe kjo do të përfshijë  edhe shumë bashkëpunëtorët nga disa subjekte të tjera  politike”, tha Ali Hertica.
Ai nuk beson që me veprimin e kësaj gjykate mund të kapitullojë politika kosovare, por ajo vetëm mund të pastrohet dhe të reformohet më shpejt dhe më lehtë. Ndërsa analisti Blerim Burjani, njohës i së drejtës, thotë se është fakt i pamohueshëm që dallimi i publikimit të akuzave të para do të jetë sfidues dhe tronditës për skenën politike.“Kosova ishte e detyruar ta pranojë këtë gjykatë, por ajo që është tani  amatoreske ishte besimi se bashkësia ndërkombëtare do të bëjë  pazare dhe këmbime në këtë temë. Janë mashtruar pa nevojë, kur dihet qartë se s’ka lojë me rend dhe ligj, apo me gjykata të këtij lloji të rëndë. Me vepra për të cilat priten të akuzohen kosovarët janë të ashpra, të pamëshirshme me të drejtën ndërkombëtare, të pafalshme dhe të pakëmbyeshme me procese tjera, siç kanë menduar Thaçi dhe përplot amatorë me rendin dhe ligjin. Të gjithë e dinë se gjykatat pa marrë parasysh llojin janë të pavarura dhe bazohen me fakte dhe politika s’ka lidhje me këtë e as ndonjë proces tjetër”, theksoi Blerim Burjani.

Ata që e sollën, të përballen me Gjykatën

Analisti Skënder Mulliqi vlerëson se kjo skenë aktuale politike është bërë e padurueshme dhe nuk i solli gjë të hairit këtij populli dhe Kosovës për gati dy decenie dhe faza e tranzicionit ka mbetur pezull së kastat politike në pushtet nuk janë të interesuara që të përmbyllet ashtu si duhet.“U punua mbrapsht në secilin segment të jetës dhe të punës. Kosova u ballafaqua me telashe të vështira, siç janë krimi i organizuar, korrupsioni, papunësia enorme, gjendja e keqe ekonomiko-sociale, varfëria e skajshme, zbrazja gjithnjë e më e theksuar e Kosovës. A nuk janë këto argumente të bollshme se në çfarë derexhe e ka sjellë Kosovën kjo elitë politike e padijshme, e padinjitetshme dhe lakmitare e të mirave materiale. Partitë politike gjithmonë e mashtruan elektoratin, duke premtuar shumë e duke mos realizuar gati asgjë’, u shpreh ai.“Të gjitha këto krijuan parakushtet për formimin e Gjykatës Speciale nga bashkësia ndërkombëtare, e cila nuk mund t’i ikën përgjegjësisë për gjendjen jo të mirë politike, ekonomike dhe të sigurisë. Gjykatën e prunë vetë dhe vetë le të përballen me të. Pasi që organet tona të drejtësisë nuk e kanë dhënë kontributin e duhur në vendosjen e rendit dhe të ligjit, përballja me Gjykatën Speciale për krime të luftës ishte e pashmangshme . Ata që do të vihen në bankën e të akuzuarve nuk kanë të drejtë që krejt luftën e UÇK-së ta identifikojnë më ta, kur dihet se në një formë apo tjetër të gjithë e ndihmuan luftën çlirimtare”, theksoi Mulliqi. “Spastrimi i skenës politike ishte dashur të bëhet ndryshe, me votë të lirë,  por kjo nuk ndodhi dhe nuk po ndodh se njerëzit e politikës dhe të biznesit janë bërë vetë ligji dhe janë bërë vetë shteti”,  tha Mulliqi për “Kosova Sot”.

“Puna e gjykatës do të jetë e pavarur nga politika dhe çdo tentativë për të abroguar apo për të penguar punën e saj do të ishte shumë e dëmshme për Kosovën”, tha Skënder Mulliqi

“Këta kanë menduar se mund të ketë si kundër-këmbim liberalizim të vizave dhe forma të tjera. Realisht kjo ishte grackë për të themeluar këtë gjykatë, pa marrë parasysh se kjo gjykatë s’ka fakte as nuk do të mund të vërtetojë asnjëherë pretendimet e saj”, potencoi Blerim Burjani

“Vetëm një ‘spastrimi’ i detyruar i skenës politike nga figurat e larta politike Kosovës do të mund t'i hapte një kapitull të ri, ku forcat e reja progresive, si brenda partive, por edhe partive të reja, do të mund të vinin në shprehje, e jo të bllokoheshin, kërcënoheshin apo shantazhoheshin nga po këto figura të larta aktuale politike që e kanë në dorë bashkë me nëntokën kriminale çdo pore të jetës në gjysmështetin e Kosovës, përfshirë komplet sistemin e drejtësisë, i cili nuk po guxon të merret fare me ta”, theksoi Florim Zeqa

 

(Kosova Sot)

 

19 orë e 55 minuta më parë