< Qeveri "kineze" në kurriz të buxhetit - Lajme - Kosova Sot
Qeveri "kineze" nė kurriz tė buxhetit

Qeveri "kineze" nė kurriz tė buxhetit

Miliona euro shkojnë për akomodimet partiake të padobishme për biznesin

Qeveria "glamuroze" e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, është më e madhja e pasluftës dhe me numër enorm të ministrive, të zëvendëskryeministrave e zëvendësministrave dhe kabineteve dhe kjo paraqet një barrë të madhe për buxhetin e varfër të Kosovës. Kjo Qeveri e koalicionit PAN dhe AKR, do të ketë numër të madh të ministrive apo saktësisht do të ketë 22 ministri, kurse numri i zëvendësministrave ende nuk dihet saktësisht. Me këtë numër rekord të ministrive, Qeveria e Republikës së Kosovës e mban rekordin në Evropë. Ndërsa, analistët e kësaj fushe janë të mendimit se kabineti është fryrë vetëm për të punësuar dhe për të rehatuar militantët partiakë të koalicionit aktual. Ekspertët e ekonomisë thonë se as kjo Qeveri nuk dallon nga qeveritë e kaluara, ndërsa ka disa ministri që merren me dikaster ekonomik, por gjithçka bëhet së koti, ngase nuk kemi as shenjat më të vogla për një gjë të dobishme nga të emëruarit politikë.

Image

Poste për të rehatuar partitë

Eksperti i ekonomisë, Florim Rudhani tha për "Kosova Sot" se e veçanta e kësaj Qeverie është se Qeveria e Republikës së Kosovës për nga numri i ministrive e mban rekordin në Evropë. "Ndaj, formimi i kësaj Qeverie galopante ka qenë një gabim i madh, sepse është barrë për buxhetin e varfër të Kosovës", u shpreh ai. "Është gabim, sepse, si dihet, rreth 1 mijë e 474 euro është paga e një ministri, pa llogaritur këtu mëditjet, dhe kjo tregon se për çdo muaj nga buxheti i Kosovës vetëm për pagat e ministrave do të ndahen mbi 30 mijë euro. Veç saj dihet se edhe më shumë buxhet nga praktika e deritashme shpenzohet për të gjithë zëvendësministrat e stafin tjetër politik", vijoi më tutje Rudhani. "Këtë çështje e ka shpjeguar kryeministri Haradinaj, sipas të cilit kjo Qeveri me aq shumë ministri është bërë për shkak të numrit të vogël të votave që e kanë pasur subjektet politike në këtë koalicion, i cili, sikurse që dihet, është i përbërë nga disa parti", tha ai. Sipas tij, as kjo Qeveri nuk dallon nga qeveritë e kaluara ku Qeveria ka shumë ministri që merren me dikaster ekonomik, ngase deri më sot nuk kemi as shenjat më të vogla për një gjë të dobishme nga të emëruarit politikë e qeveritarë. Analisti Rudhani shpreson se shumë shpejt do të zvogëlohet numri i ministrive, ngase e tëra kjo është bërë për pazare politike dhe për të rehatuar militantët partiakë të këtij koalicioni dhe nuk ka asnjë dyshim se e tëra kjo është një barrë shumë e madhe për buxhetin e Kosovës, derisa ekonomia e brishtë e vendit po vendnumëron. 

Vetëm me ekspertë ecet përpara

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku tha për gazetën "Kosova Sot" se kuantiteti në ekonominë e një shteti asnjëherë nuk ka dhënë më tepër se sa kualiteti. "Po të kishim një Qeveri me numër më të vogël të njerëzve e ministrive në këtë Qeveri do të duhej që të ishin kyçur njerëzit dhe ekspertët me aftësi të kalibrit evropian, sepse Kosova ka kuadro të shkolluara që do të mundeshin ta udhëheqin nëpër ministri e Qeveri jo vetëm Kosovën, por tërë Evropën", u shpreh ai. Afaristi Maloku është i mendimit se ekonomia udhëhiqet me ekonomistë dhe me kuadro të kësaj fushe dhe nuk udhëheqin nga njerëzit jokompetentë. "Në këtë Qeveri ka qenë dashur që të futen edhe njerëzit dhe ekspertë jopartiakë dhe që nuk janë militantë të partive politike", potencoi ai. 

LDK-ja zotohet të reduktojë ministritë

Përfaqësues të partive politike nga tabori opozitar shprehen njëzëri se është koha që të reformohet administrata publike, ku parashihet edhe zvogëlimi i ministrive dhe jo në asnjë mënyrë që të kemi një Qeveri aq galopante. Ata janë të mendimit që kabineti qeveritar të jetë funksional dhe efikas dhe mos të jetë një fontanë dëshirash të partive politike, por në përputhje me realitetin financiar në vend. Ishdeputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Morina (LDK) vlerësoi se numri i madh i ministrive po bëhet vetëm për të rehatuar militantët e këtij koalicioni qeveritar. "Ky numër aq i madh i ministrive, por edhe i pozitave të tjera të larta politike, si janë zëvendëskryeministrat, ministrat, këshilltarë etj., është tepër i madh dhe është ndërtuar si i tillë ky sistem për të rehatuar një numër të madh të elitës partiake, e cila jeton nga politika dhe përfiton nga ajo", potencoi ai. "Jam i bindur se kur LDK-ja do të qeverisë së shpejti me vendin qysh në fillim të mandatit të saj qeverisës ajo do të zvogëlojë numrin e ministrive dhe posteve të tjera. Sepse, urgjentisht duhet që ta ulim numrin e ministrive", vlerësoi Morina. 

Image

Ekonomia në nivelin më të ulët

Ndërkohë, eksperti i ekonomisë, Nehat Emrullahu tha për "Kosova Sot" se për një Qeveri të suksesshme nuk paraqet rëndësi të madhe numri i ministrive dhe le t'i marrin 100 veta kur punojnë. "Nuk na pengon numri i këtyre ministrive dhe zëvendëskryeministrave e zëvendësministrave, me rëndësi është që të krijojnë rezultate pozitive", u shpreh ai. Por, Emrullahu ka kritikuar se deri më tash në secilën Qeveri të Kosovës ka pasur shumë ministri për sektorin e ekonomisë, derisa për ekonominë nuk është bërë asgjë. "Ndaj, vlerësoj se ekonomia e Kosovës është në nivelin më të ulët të mundshëm ", potencoi ai. Ndërsa, Selatin Kaçaniku ("Konsumatori") tha për "Kosova Sot" se zëvendëskryeministrat, zëvendësministrat, zëvendësit, ministritë, këshilltarët, protokollet e kabinetet edhe mobiliet e automjetet e shpikura të koalicioneve pushtetndarëse po i kushtojnë shumë, tepër shumë qytetarit konsumator taksapagues - gjenerues kryesor i buxhetit të Republikës së Kosovës. "Këto " shpikje " nuk janë pjesë e kontratës me qytetarin, elektoratin, as marrëveshje për koston e tyre nga buxheti me qytetarin konsumator taksapagues. Po këta janë përgjegjës edhe për mbipopullimin për 2/3-at e të punësuarve në administratën dhe Ndërmarrjet Publike", theksoi ai. 

(Kosova Sot)   

5 orë e 6 minuta më parë