< Qeveria mbipopullohet me kushërinje e miilitantë - Lajme - Kosova Sot
Qeveria mbipopullohet me kushėrinje e miilitantė

Qeveria mbipopullohet me kushėrinje e miilitantė

Ekzekutivi u shndërrua në ent punësimi e shpërblimi për partiakët

Nuk kalon një ditë pa u emëruar një zëvendësministër. Kabineti qeveritar jo vetëm që nuk po e redukton numrin e ministrive e të emëruarve të lartë, por e ka bërë shtimin edhe për një ministri, është stërngarkuar me numër enorm të zëvendësministrave, numri i të cilëve arrin në 60 veta aktualisht. Analistët politikë theksojnë se me këto veprime ky ekzekutiv ka tejkaluar të gjithë kufijtë. Sipas tyre, Qeveria u shndërrua në një ent të madh punësimi, në një agjenci shpërblimi për militantët e partive klienteliste në pushtet, dhe për mafio-biznesmenët që paturpshëm blejnë pozita për njerëzit e vet, për partiakët që dështuan të marrin vota nëpër komuna. Edhe partitë që deri dje ishin në opozitë, e iu bashkuan PDK-së në formacionin e koalicionit PAN, sipas analistëve, i kanë harruar kritikat e tyre të deridjeshme dhe vetëm sa po bëjnë gara për të kapur sa më shumë pushtet me synimin e zhvatjes dhe plaçkitjes së buxhetit të shtetit dhe gjithçka që ka mbetur nga pasuria publike e shtetit! Tani shtrohet pyetja: A po bëhet lufta për pushtet dhe për politikë vetëm për të kapur poste, detyra dhe për të siguruar pushtet, privilegje, para e pasuri, qoftë ai edhe president, kryeministër, deputet, kryetar e sekretar komune, gjyqtar, prokuror dhe avokat? Pse të gjithë ata të cilët i marrin këto poste të larta punësojnë në shtet, në institucionet e tij, vetëm fisin, të afërmit e vet: vëllezër, motra, dajë, teze, nipa, mbesa, halla, axhallarë, kushërinj, pra klanin farefisnor të tij, si dhe sejmenët dhe servilët, paranë, mercenarët dhe të korruptuarit? Përgjigjja nga analistët është se të gjitha këto vijnë si pasojë e ndërtimit të një politike të mentalitetit klientelist, kurse shteti i Kosovës, me këtë model të politikës që e shkatërroi vendin, nuk ka ku të shkojë tutje, përveç në shkatërrim dhe humnerë.

Dinozaurët e buxhetit

Sipas analistit Florim Zeqa, dukuria e fryrjes së Qeverisë me zv. kryeministra, ministra, zv.ministra dhe këshilltarë të pafund nuk ka të ndalur as me Qeverinë "Haradinaj". "Kosova e vogël dhe e varfër, me numrin e ministrive, zv. ministrave dhe këshilltarëve të pafund, ua kalon të gjitha qeverive të vendeve të rajonit, e madje edhe vendeve më të zhvilluara të bashkimit evropian. Bie fjala, në Itali, në shtetin me mbi 60 milionë banorë, qeveria e këtij vendi i ka vetëm 13 ministri dhe vetëm një zv.kryeministër (ministrin e Punëve të Jashtme). Ndërsa në Qeverinë e Kosovës, e kemi pothuajse dyfishin e ministrive, trefishin e zv.kryeministrave, pesëfishin e zv.ministrave dhe numrin e pafund të këshilltarëve! Sa më i gjerë koalicioni, aq më të mëdha kërkesat për punësime në Qeveri", u shpreh ai. "Pas 17 shkurtit 2008-të, të gjitha qeveritë pa dallim, për më tepër se institucioni qeverisës i vendit, ngjasojnë në ent të madh punësimi dhe shpërblimi për militantët e partive klienteliste në pushtet, punësimin e dajave e tezeve, miqve e shokëve e deri të dashnorët e liderëve partiakë, ministrave dhe deputetëve! Qeveritë megalomane të Kosovës janë shndërruar në dinozaurë të buxhetit të shtetit, duke plaçkitur gjithçka që ka mbetur nga pasuria publike e shtetit tonë", vijoi më tutje ai. "Kësisoj, lufta për pushtet nga partitë politike po bëhet e ashpër, vetëm për të kapur poste, detyra dhe për të siguruar pushtet, privilegje, para e pasuri qoftë ai edhe president, kryeministër, deputet, kryetar e sekretar komune, gjyqtar, prokuror dhe avokat. Të gjithë ata të cilët i marrin këto poste të larta punësojnë në shtet, në institucionet e tij, vetëm fisin, të afërmit e vet: vëllezër, motra, dajë, teze, nipa, mbesa, halla, axhallarë, kushërinj, pra klanin farefisnor të tij, si dhe sejmenët dhe servilët, paranë, mercenarët dhe të korruptuarit. Me këtë model të keq të politikës dhe logjikë uzurpuese të shtetit, politikanët me (pa) vetëdije janë duke e shkatërruar vendin dhe shpresat e qytetarëve për jetë në vendin e tyre", tha Zeqa për "Kosova Sot".

Image

Grupet e interesit po e shkatërrojnë shtetin

 Prof. Muhamet Kelmendi, njohës i të gjitha përpjekjeve për ndërtimin e ri të shtetit të Kosovës, ish-deputet i legjislaturës së parë të pasluftës, thotë se sidomos në vendet e tranzicionit, sikur është Kosova, krijimi i grupeve të interesit, në bazë të lidhjeve fisnore, lokale apo krahinore, është dukuri mbi të cilën ndërtohet i tërë pushteti shtetëror. E tani, sipas tij, këtë sëmundje të rëndë po e vuan edhe Kosova."Në Kosovë janë krijuar grupe të mëdha të interesit. Këso grupe kemi në Presidencë, në Qeveri, në veprimtaritë private ekonomike dhe financiare, në polici, në gjykata dhe në prokurori. Madje, grupe të tilla të interesit ka edhe në parti politike, prej nga po krijohen grupe të interesit edhe në Kuvendin e Kosovës", u shpreh Kelmendi. Sipas tij, janë tri baza mbi të cilat mund të gjenden vendet e punës: 1. Lidhjet krahinore, lokale, fisnore, partiake, 2. Interesat ekonomiko-financiare dhe 3. Amoraliteti si formë e punësimit."Mbi këto tri baza kemi punësim në Presidencë, në Qeveri dhe në Kuvend, kudo në pushtetin shtetëror. Madje mbi bazën e tillë mënjanohen edhe kualifikimet adekuate për vendet e punës. Shembull konkret kemi kryeprokurorin Aleksandër Lumezi dhe natyrisht kemi shumë Lumez-a të tjerë në prokurori, në polici dhe nëpër gjykata. Gjendja e tillë mund të rregullohet vetëm në qoftë se e fusim sistemin e pastërtisë së figurave, të cilët duhet të punësohen apo vetëm janë të punësuar. Dhe në këtë drejtim pa e bërë përzgjedhjen e kuadrit, spastrimin e Prokurorisë dhe gjyqësorit nga figurat e tilla të dëmshme nuk do të kemi ndërtim de jure të shtetit, pra nuk do të kemi shtet ligjor të Kosovës", potencoi Kelmendi.

Image

Zhvatja u bë traditë partiake

Analisti Ymret Reshiti pohon se ajo që e ka karakterizuar këtë qeveri nga mënyra e formimit është vetëm interesi personal i partive politike. "Përveçqë participimi i shumë partive politike në këtë Qeveri ndikon në brishtësinë e saj, kjo Qeveri dallohet edhe për akomodimin dhe rehatimin e familjarëve dhe njerëzve të oligarkisë. Praktika e punësimit të familjarëve në sektorin publik ka bërë që në Kosovë të krijohet sistemi i qeverisjes nepotike. Kjo armatë e familjarëve në sektorin publik është e rrezikshme për demokracinë kosovare dhe shtetin e së drejtës. Politikanët e Kosovës politikën e shohin jo vetëm si burim të pasurimit të tyre financiar, por edhe si burim i punësimit të familjarëve të tyre. Kjo tregon se nuk kemi demokraci në Kosovë, por autokraci të cilën e përbën mafia politike", u shpreh ai. Sipas tij, kjo klasë politike mafioze e ka shndërruar shtetin si pronë private të familjeve të tyre dhe oligarkëve. Analisti politik Reshat Badallaj thotë se ky mentalitet i krijimit të institucioneve, me qëllim të zhvatjes së buxhetit të shtetit, të mbledhur nga taksapaguesit e Kosovës, është praktikë që ka vazhduar pa asnjë ndërprerje që nga përbërja e parë e qeverisë së pasluftës e deri te kjo e fundit."Pas luftës lindën pa meritueshëm për Kosovën qeveri kuislinge, qeveri hajdutësh, që u lidhën me bandat më mafioze serbiane për të pasuruar personalisht dhe trashën xhepin e tyre personal, duke u bërë pasanikë më të mëdhenj se sheikët arabë e deri dje ishin leckaman të këputur", u shpreh ai. "Qeveritë që dolën nga lufta ishin qeveri kusarësh, tyxharësh, banditësh, që interesat e tyre i vinin mbi interesat kombëtare dhe shtetërore, duke vjedhur shtetin, duke shitur toka duke u lidhur me kanalet mafioze të nëntokës, duke punësuar jo vetëm të familjes së tyre... krejt me qëllim që ta forcojnë pushtetin e tyre që të mos bien nga froni, të forcojnë pushtetin që t´i kenë duart e lira për të vjedhur dhe për të mos i trazuar askush", theksoi Badallaj.

Të uritur për pozita

Analisti Faton Mehmeti thotë se faktikisht tek ne njerëzit nuk i bashkohen një partie politike për parime, për t'iu shërbyer qytetarëve, por vetëm për interesa personale dhe materializohen pasi partitë e marrin pushtetin."Partitë politike shikohen si mundësi për të arritur qëllimet personale që në shumicën e rasteve janë: pasurimi brenda një kohe të shkurtër dhe pa asnjë mund, gëzimi i privilegjeve dhe favoreve të panumërta që i gëzojnë përmes ligjeve në fuqi .Çdo qeveri që nga paslufta ka shërbyer si ent punësimi për militantë e partive në pushtet dhe janë pikërisht këta militantë që përmes shantazheve, kërcënimeve dhe formave tjera arrijnë të sigurojnë edhe vota që të mbesin në pushtet. Edhe kjo qeveri, si të tjerat, po shërben si ent punësimi. Mbi 60 zv. ministra deri tani, është nonsens dhe anormale që të ndodhë në një vend me më pak se 2 milionë banorë", u shpreh ai."Ardhja e AAK-së në pushtet ka ndikuar shumë që të jetë kaq i madh ky numër, duke qenë në opozitë për 10 vjet, tani dëshiron të forcojë radhët e saja me punësimin e njerëzve, të cilët do të jenë peng i kësaj partie për ta votuar, që të mbesin në punë. Kjo metodë që përdoret është e tejkaluar për botën e qytetëruar dhe ndodh vetëm në vendet e pazhvilluara dhe me mendësi primitive të qeverisjes", theksoi Faton Mehmeti. Ai ka thënë se për nga numri i popullsisë që ka Kosova dhe resurset e zhvillimit ekonomik, Kosovës nuk i nevojitet qeveri më e madhe se me 7 ministri dhe pa asnjë zv. ministër. "Nuk duhet pasur asnjë zv.ministër, pasi janë të panevojshëm dhe krejt të padobishëm. Parazitë janë këta njerëz që marrin këso poste, njerëz të pamoralshëm dhe të padinjitetshëm", tha Faton Mehmeti.

Image

U bëmë gazi i botës

 Sipas Ragip Guraziut, me këtë skemë megalomane të përbërjes së kësaj qeverie dhe këtë mentalitet të mbrapshtë 18-vjeçar në ndërtimin e institucioneve klienteliste, Kosova mund të shkojë drejt shkatërrimit dhe humnerës dhe assesi në një shtet stabil zhvillimor e funksional."Sipas ngjarjeve që po ndodhin për pak ditë edhe kjo qeveri u shndërrua në një ent të madh punësimi dhe kryesisht agjenci shpërblimi për militantët e partive klienteliste në pushtet dhe për mafio-biznesmenët që paturpshëm blejnë pozita për njerëzit e vet, për partiakët që dështuan të marrin vota nëpër komuna dhe të cilët u bënë hiq më pak se mbi 60 zv.ministra, me një numër që vazhdon të rritet pa fund si proces, përmes të cilit partitë po bëjnë gara për të kapur sa më shumë pushtet, me synimin e zhvatjes dhe plaçkitjes së buxhetit të shtetit dhe gjithçka që ka mbetur nga pasuria publike e shtetit!", potencoi ai. Sipas tij, lufta politike qenka bërë për pushtet vetëm për të kapur poste, detyra dhe për të siguruar pushtet, privilegje, para e pasuri, qoftë ai edhe president, kryeministër, deputet, kryetar e sekretar komune, gjyqtar, prokuror dhe avokat." Turpi nuk ka të ndalur dhe u bëmë gazi i botës. Të gjitha qeveritë e deritashme, që yrnekun e tyre e pranoi edhe qeveria e tanishme që për disa ditë sa po qeveris shtetin e Kosovës, gjurmët e tyre po shkojnë drejt gjurmëve të të gjitha qeverive të mëparshme, ata të cilët i marrin këto poste të larta punësojnë në shtet, në institucionet e tij vetëm fisin, të afërmit e vet: vëllezër, motra, dajë, teze, nipa, mbesa, halla, axhallarë, kushërinj, pra klanin farefisnor të tij si dhe sejmenët dhe servilët, paranë, mercenarët dhe të korruptuarit", tha Ragip Guraziu.

(Kosova Sot)

22 orë e 42 minuta më parë