Kelmendi: Justifikim i turpshëm për ryshfetin dhe korrupsionin

  • 11 November 2017 - 14:39
Kelmendi: Justifikim i turpshëm për ryshfetin dhe korrupsionin

Analisti Naim Kelmendi thotë se nëse Qeveria rritjen e buxhetit për KGJK-në dhe për KPK-në e shikon si arsye që me rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ata të mos korruptohen dhe të mos inkriminohen, kjo e vërteton katërçipërisht amoralitetin e sistemit gjyqësor aktual në Kosovë, degradimin dhe falimentimin e tij."Kjo vjen edhe si një justifikim shumë i turpshëm për korrupsionin, për ryshfetin dhe për mbrojtjen e krimit dhe të aferave korruptive të gjyqësorit në Kosovë", u shpreh ai.
"Gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë në Kosovë sado t'ua rrisësh atyre rrogat mos të mendojë ndokush se kjo do t'i ndreqë ata dhe do t'i shërojë prej sëmundjes së shitblerjes së të drejtave të qytetarëve, prej shërbimit për krimin e parasë së pistë dhe të allishverisheve të tjera. Vetëm ndëshkimi ligjor dhe minimalisht dëbimi dhe pastrimi i gjyqësorit prej gjyqtarëve dhe prokurorëve aktual, mundësisht dëbimi i të gjithë atyre prej sistemit të drejtësisë dhe zëvendësimi i tyre me juristë të rinj të papërlyer në afera korruptivoabuzive dhe kriminale, zëvendësimi i juristëve, gjyqtarëve e prokurorëve aktualë me profesionistë të përgjegjshëm dhe jopolitikë do të bënte të mundur futjen e drejtësisë në Kosovë në binarët e zbatimit të ligjit", vijoi më tej Kelmendi."Vetëm një VETTING i këtyre përmasave në drejtësi do të mundësonte edhe VETTING-un e politikës kosovare", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi.

(Kosova Sot)