Vuçiqit i propozohet një zgjidhje: Kosova dhe Serbia shtete të pavarura brenda një Unioni

  • 18 November 2017 - 21:18
Vuçiqit i propozohet një zgjidhje: Kosova dhe Serbia shtete të pavarura brenda një Unioni

Vladan Kutlesic ka qenë bashkëpunëtori i Slobodan Miloshevicit. Gjatë vitit 1999 kur po mbahej konferenca e Rambujesë, Kutlesic që mbante postin e Zëvendëskryeministrit federal ishte dërguar atje për bisedime me palën kosovare.

Juristi i njohur serb Vladan Kutlesic sipas instruksioneve, asokohe ka mundur të flas vetëm për autonomi, por tani ka evoluar.

Ai ka përmendur një propozim të avancuar për Kosovën që e ka tërhequr edhe vëmendjen e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili u tregua realist duke lënë të kuptohet se ky propozim nuk do të pranohet në Kosovë.

Gjatë javës që po lëmë pas ai tha se po të kishin qenë të mençur në Serbi do ta kishin bërë para 20 vitesh. Por çfarë ka propozuar Kutlesic?

 

Në një bisedë për gazetën e Beogradit “Blic” ai ka thënë se propozimi i tij nënkupton një Union Real ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ngjashëm me atë të Serbisë dhe Malit të Zi që kishte funksionuar 3 vjet.

Sipas këtij propozimi, Kosova dhe Serbia do të ishin shtete të pavarura por me disa lidhje ndërmjet vete, siç është dogana dhe tregu i përbashkët.

Kosova do të kishte ulëse në OKB ngjashëm me rastin e Ukrainës në kohën e BRSS'së.

 

Ndërkohë, sipas tij në dy vendet mund të përdoreshin valuta të ndryshme.

Me këtë propozim Veriu i Kosovës do të gëzonte autonomi sikurse edhe Manastiret serbe me të cilët do të administronte Enti i Serisë për mbrojtje të monumenteve.

 

Duke e elaboruar ulësen për Kosovën në OKB, Kutlesic ka thënë se dy vendet do të bënin marrëveshje obligative që mos të votonin kundër njëra-tjetrës në organizata ndërkombëtare.

Propozimi i profesorit serb bëhet në kuadër të dialogut që ka nisur në Serbi për Kosovën.

Vuçiq të enjten që shkoi duke folur për Kosovën ka thënë se BE po i kërkon Serbisë një dokument obligativ - marrëveshje me Kosovën, për t’i mundësuar Beogradit anëtarësim në BE.

(Kosova Sot)