Shahini: AKB-ja kërkon treg të lirë

  • 21 November 2017 - 13:00
Shahini: AKB-ja kërkon treg të lirë

Lideri i AKB-së, Agim Shahini, për "Kosova Sot", tha se Qeveria "Haradinaj" nuk e krijoi, por e ka trashëguar një situatë të brishtë politike që e ka lënë anash situatën ekonomike në vend. "Kjo edhe ka bërë që në nismë të punës së saj kjo qeveri të jetë e fokusuar me agjendën politike dhe të ballafaqohet me probleme të tipit të asociacionit e demarkacionit, duke e lënë për momentin anash çështjen ekonomike", u shpreh ai.

Sipas Shahinit, duke filluar nga viti i ardhshëm, kjo qeveri do të jetë e fokusuar e tëra në problemet ekonomike të vendit."Bazuar në premtimet e bëra, jam shumë i bindur se vetëm kjo qeveri do të zhdukë monopolet në shumë fusha të ekonomisë, duke krijuar kushte të barabarta për një treg dhe ekonomi të lirë, që do të jetë e barabartë për të gjitha bizneset e vendit, duke mos i lejuar askujt privilegje", u shpreh ai."Shpresoj se me këtë edhe do të hapen rrugë për investitorët e huaj dhe se me këtë qeveri do të ketë edhe sundim të ligjit", vlerësoi Shahini.

(Kosova Sot)