Kelmendi: Gjykatë kundër shqiptarëve

  • 24 November 2017 - 13:29
Kelmendi: Gjykatë kundër shqiptarëve

Profesori i së drejtës , Muhamet Kelmendi thotë se vizita e Trendafilovës gjithsesi është një paralajmërim serioz për afrimin e kohës së ngritjes së aktakuzave të para për krime lufte, sado që ato do të jenë të padrejta dhe në dëm të shtetit të Kosovës. Kelmendi shprehet kritik pse Kuvendi i Kosovës nuk mori iniciativë për plotësimndryshim të ligjit, qoftë për trajtimin e baraspeshuar të dyshimeve për krime lufte, qoftë edhe për t'i dhënë kompetenca kësaj gjykatë që të trajtojë edhe krimet e rënda dhe korrupsionin, të cilin nuk po arrin ta gjykojë as EULEX, e të mos flasim për gjykatat dhe Prokurorinë e Republikës së Kosovës.

" Vizita e kryetares së Gjykatës Speciale në Kosovë tash në prag të hapjes së aktakuzave është domethënëse. Ajo kështu tregon se kjo gjykatë do të fillojë nga puna dhe se do të jetë shumë e dhimbshme. Më vjen shumë rëndë, por më duhet ta them se kështu si është krijuar dhe i janë përshkruar kompetencat e fushëveprimit, kjo gjykatë është anormale dhe ka vetëm tendenca antishqiptare. Kuptohet se si të tillë nuk e respektoj. Është e rrugës që mbi dhunën dhe gjenocidin serbomadh të kishte gjykatë dhe gjykim të drejtë. Ndryshe, dihet botërisht nga e gjithë bota e civilizuar që i kishim edhe aleatë, se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe ishte në anën liridashëse, e nuk ishte pushtues", u shpreh ai.

"Tash, kjo gjykatë do të merret vetëm me shqiptarët. Gjykata Speciale nuk shqyrton krimin dhe korrupsionin, oligarkinë kriminale ekonomike mafioze. Ajo shqyrton vetëm gjoja krimin shqiptar ndaj serbëve. Krimi dhe korrupsioni mbeten të paprekura. Do të kemi edhe më tej dukuri kriminale. Tani, për të bërë diçka kundër kësaj dukurie lypset një Vetting në polici, në prokurori dhe në gjykata. Kërkohet gjithashtu edhe një ligj mbi pastërtinë e figurave politike nga krimi etj. Mirëpo, se kur do të bëhet kjo mbetet të presim", tha Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)