Në të ardhmen, do të ketë më pak shqiptarë se sot!?

  • 30 July 2015 - 23:37
Në të ardhmen, do të ketë më pak shqiptarë se sot!?

Kombet e Bashkuara kanë publikuar raportin “Prospekti i popullatës botërore”. Sipas këtij raporti, 48 shtete në botë do të përjetojnë rënie të popullatës mes viteve 2015-2050.

Bullgaria do të ketë rënie prej 27,9 për qind, që pasohet nga Rumania (22,1 për qind), Ukraina (21,7 për qind), Moldavia (20,3 për qind), Bosnja e Hercegovina (19,5 për qind), Letonia (19,1 për qind), Lituania (17,5 për qind), Serbia (17,2 për qind), Kroacia (16,2 për qind), Hungaria (15,6 për qind) dhe Japonia (15,1 për qind).

Evropa po përballet me mplakje të banorëve, ndaj dhe 24 për qind e popullatës tashmë është e vjetër 60 vjet, e në vitin 2050 kjo përqindje do të arrijë 34 për qind.

Në këtë raport nuk figuron Kosova. Por, aty figuron Shqipëria, transmeton Telegrafi. Sipas raportit, Shqipëria ndër vite kishte këtë popullatë: 1.263 milionë (1950) dhe 2.897 milionë (2015). Ndërsa, projeksionet për të ardhmen janë: 2.954 (2030), 2.710 (2050) dhe 2.710 milionë (2100).

Në raport gjendet edhe projeksioni për Maqedoninë që momentalisht ka 2.078 milionë banorë. Më 2050 aty do të jenë 1.938 banorë, ndërsa më 2100 - 1.487 milionë. Serbia në raport thuhet se ka 8.851 milionë banorë (natyrisht, meqë OKB nuk e njeh Kosovën, aty është futur edhe popullata e Kosovës, sepse popullata e Serbisë sipas regjistrimit të vitit 2011 është 7.2 milionë banorë), ndërsa më 2050 do të ketë 7.331 milionë banorë dhe 5.334 milionë ë 2100. Mali i Zi momentalisht ka 626 mijë banorë. Më 2050 aty do të jenë 574 mijë, ndërsa më 2100 do të jenë 437 mijë banorë, transmeton Telegrafi.

Kosova, sipas regjistrimit të vitit 2011, ka 1,734 milionë banorë. Në shtetet e sipërpërmendura, jetojnë shqiptarët. Ndërsa, projeksionet për shkallën totale të natalitetit këto vende i qesin se do të kenë më pak banorë në të ardhmen. Po ashtu, nataliteti në Kosovë po bie çdo herë e më shumë dhe këtë e kanë vërtetuar edhe në Entin e Statistikave të Kosovës.

Të dhënat statistikore tregojnë se nataliteti në Kosovë, në vitin 1981, ka qenë rreth 30 për qind, për të shënuar rënie në 24 për qind në vitin 1990. Ndërsa, në vitin 2013 shtimi natyror në Kosovë ishte rreth 12 për qind. Dhe, ky trend i nataliteti vazhdon të bie.

Pra, bazuar në projeksionet për Shqipërinë, që janë sot të përafërta me Kosovën dhe duke pasë parasysh ato për shtetet në rajon ku jetojnë shqiptarët, atëherë mund të themi se në të ardhmen, nëse nuk ndryshon gjendja e tashme e natalitetit, do të ketë më pak shqiptarë.