Sheshel: Le të plasin dushmanët, s'kam më kancer

  • 04 December 2017 - 15:56
Sheshel: Le të plasin dushmanët, s'kam më kancer

Lideri i radikalëve serbë, i akuzuari nga Gjykata e Hagës për krime lufte, Vojislav Sheshel, i cili u lirua nga burgu i Hagës pasi iu diagnostifikua kanceri në zorrën e trashë dhe metastaza në mëlçi, thotë se ia ka dalë që tërësisht ta mposhtë sëmundjen e rëndë dhe se tani është krejtësisht i shëndoshë.

Sheshel, një nga shovinistët më të mëdhenj serbë, për gazetën “Kurir” ka treguar se para dhjetë ditëve ka bërë skanerin dhe se të gjitha analizat dhe rezultatet i kanë lënë mjekët me gojë hapur – nga kanceri dhe metastazat s’është gjetur asnjë gjurmë.

Ai ka treguar se sëmundjen e ka mposhtur me ushqim të shëndetshëm.

“Fiku është një fryt nga parajsa... Ma sjellin nga Mali i Zi dhe kur është sezoni i fiqve më së shumti i ha ata. Dimrit patjetër nga një apo dy shega, të cilat gjithashtu janë të shkëlqyeshme. Përndryshe, edhe më tej çdo mëngjes para vaktit pi 3-4 gllënjka lëng aronie siberiane, pastaj lëng të freskët nga rrepa e kuqe, karota, molla, xhenxhefili, majdanozi, selinoja... Edhe lulëkuqja është një mrekulli në vete... Ha shumë pemë dhe sallata të freskëta të perimeve, kurse s’e kam përjashtuar krejtësisht as mishin”, ka treguar ai.

Sheshel vë në dyshim mjekët e Hagës të cilët ia dhanë diagnozën për kancer dhe ku e pranoi vetëm një cikël të kimioterapisë.

“Ajo ishte e tmerrshme, kush e di se çfarë terapie më jepnin. Ata edhe më kishin shlyer, më patën dhënë vetëm disa muaj jetë. Me plotë kuptimin e fjalës më hodhën në një bunker, ku as rrezja e dritës s’depërtonte, vetëm beton përreth. Ata që vinin të më japin terapinë mbanin maska... I kushtëzova se duhet t’i heqin maskat nëse duan ta marr terapinë. As nuk e di pse hodhën në atë bunker kur kjo as që ishte sëmundje ngjitëse. Vetëm kanë dashur të më torturojnë”, ka thënë Shesheli.

Lideri i radikalëve serbë është 63-vjeçar dhe tri vitet e fundit ka luftuar me kancerin.

(Kosova Sot)