Miftari: Prokuroria Speciale dështim i madh

  • 09 January 2018 - 12:31
Miftari: Prokuroria Speciale dështim i madh

Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, duke parë dështimin e madh që po e përcjell vendin në fushën e sundimit të ligjit, në funksionimin improvizues të institucioneve të drejtë- sisë, prokurorive dhe gjykatave, thotë se faktikisht në vendin tonë kemi fare pak ose nuk kemi aspak drejtësi. Dështimin më të madh Miftari e sheh tek Prokuroria Speciale, e cila ka barrën më serioze të luftës kundër krimit të organizuar. "Në tërë këtë zinxhir të dështuar juridik prokurorët e ashtuquajtur specialë janë dështimi më i madh juridik në Kosovë dhe problemi qëndron se shumica e prokurorëve specialë janë edhe vetë pjesë e krimit të organizuar politik dhe ekonomik, ku detyra e tyre zyrtare bie ndesh me praktikat dhe veprimet e tyre. "Detyra selektive zyrtare e prokurorëve dhe gjyqtarëve tanë dirigjohet nga parasistemet politike, nga klanet që janë lidhur ngushtë me mafinë dhe nëntokën politike, shpeshherë të lidhur ngushtë edhe me zyrtarët ndërkombëtarë që vendin tonë po e përdorin vetëm si shkallë për t'u pasuruar privatisht, në mënyrë të paligjshme, pa marrë parasysh detyrën që e bëjnë në vendin tonë. Nga kjo vjen shpesh edhe frika e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të merren seriozisht me rastet serioze, gjë që vazhdimisht është e pranishme, si rasti i megamilionerëve Devolli, që janë vetëm dorë e zgjatur e politikanëve të korruptuar të pushtetit që kanë gllabëruar pothuajse shumicën e pasurisë shoqërore të Kosovës… Pastaj vjen rasti tjetër, ndalimi i hetimeve serioze të aferës së pasaportave të Kosovës, ku Drita Hajdari, prokurore speciale e Kosovës, e cila në vend se t'i ndjekë fajtorët institucionalë të pushtetit, me urdhër nga lart, i ndërpreu hetimet, i devalvoi dhe në fund u dënua grupi i Natalia Veliut, e cila punonte për dikë nga krerët e shtetit. Por prokuroria as gjyqësia nuk patën guxim dhe as qëllim të ndjekin fajtorët e vërtetë që ishin krerë shteti dhe të politikës. Pastaj vjen afera e vizave italiane, ku u ndërprenë hetimet e larta për shkak të ndikimit nga qarqet dhe klanet politike, pastaj KEK-KEC, 'Trepça', PTK, 'Z-Mobile' e shumë e shumë afera qindra milionëshe të tjera korruptive, në të cilat drejtësia e shtetit tonë nuk pati guxim as dëshirë që t'i ndjekë multikriminelët milionerë", theksoi ai për "Kosova Sot". Sipas tij, këta multimilionerë kriminelë janë të lidhur ngushtë me politikanët e korruptuar vendorë, por edhe ndërkombëtarë

(Kosova Sot)