Kadrijaj: Fraksionistët, rrugës së FER-it dhe LDD-së

  • 18 January 2018 - 12:32
Kadrijaj: Fraksionistët, rrugës së FER-it dhe LDD-së

Sipas analistit politik Mustafë Kadrijaj, pasojë e shkatërrimit që po i ndodh brendapërbrenda VV-së është sëmundja kanceroze e futur aty nga Shpend Ahmeti me grupin e FER-it. Prandaj, Kadrijaj e sheh fatin e VV-së pjesë që mbështet Shpend Ahmetin, të ngjashëm me atë të LDD-së së Nexhat Dacit."Shkatërrimin kaq të shpejtë të 'Vetëvendosjes' nuk e kam pritur, duke menduar që ende është parti opozitare, duke parë rritjen e madhe që pati në vitin 2017, por kjo po ndodh tani në bazë të praktikës që partitë mbasi të marrin pushtetin shtohen edhe apetitet për pozita dhe për pasuri të paligjshme. Por, si duket, qeverisja në Prishtinë mjaftoi që të ndahet shapi prej sheqerit brenda 'Vetëvendosjes', krahu profiter si dhe krahu ideal. Është pritur nga krah i ish-partisë FER, sepse edhe ashtu FERi ka qenë mish i egër për 'Vetëvendosjen', por në mënyrë perfekte e ka shfrytëzuar 'Vetëvendosjen', por është absurde që FER-i të arrijë të infektojë edhe disa zyrtarë që kanë kontribuar në 'Vetëvendosje', siç është Visar Ymeri, që të hedhë poshtë sakrificën dhe t'i harrojë ato shufra që ia ka dhënë policia e Kosovës, duke mbrojtur kauzën e 'Vetëvendosjes', por si duket joshja nga grupi i Shpend Ahmetit e bëri t'i harrojë idealet", potencoi ai."Në fakt largimi i krahut të Shpend Ahmetit e pastron 'Vetëvendosjen', por me këtë ndarje 'Vetëvendosje' nuk do të jetë më partia më e madhe opozitare dhe do të ketë pasoja të riparueshme. Sidoqoftë, 'Vetëvendosje' prapë do të jetë parti parlamentare, sepse vota e 'Vetëvendosjes' sillet me figurën e Albin Kurtit, por jo me vota si në zgjedhjet parlamentare në vitin 2017, ndërsa krahu i Shpend Ahmetit, i Dardaneve dhe i Visar Ymerit, do të ketë epilogun si të FER-it e të LDD-së së Nexhat Dacit dhe PREK-ut të Bujar Bukoshit, sepse në Kosovë praktika ka treguar që këto derivate politike nuk kanë pasuar suksese e aq më shumë kur dihet që krahu i Shpend Ahmetit dhe i Dardanëve kanë interesa materialiste", tha Mustafë Kadrijaj për 'Kosova Sot'.

(Kosova Sot)