Meha: Ivanoviq kreu shumë shërbime për Serbinë

  • 18 January 2018 - 12:33
Meha: Ivanoviq kreu shumë shërbime për Serbinë

Analisti Xhevat Meha, për gazetën " Kosova Sot" tha se vrasja e Oliver Ivanoviqit është kryer në mënyrën më profesionale, gjë të cilën e kryejnë shërbimet e sekrete me përvojë. "Si e tillë, kjo vrasje është kryer për të dhënë shumë efekte, ku vetëm disa nga këto po i përmendi: Krijimi i jostabilitetit, hapja e konflikteve ndëretnike përmes hedhjes së fajit tek shqiptarët, vendosja e barrikadave në procesin e bisedimeve e të ngjashme, të cilat është lehtë të identifikohen dhe të dihen edhe nga qytetarët e zakonshëm", u shpreh ai. "Një efekt dua të ceku këtu, që jo shumë individë mund ta vërejnë. Oliver Ivanoviqi ka kryer shumë shërbime për shtetin e Serbisë në të kaluarën, mirëpo erdhi momenti kur shteti i Serbisë nuk kishte më interes për shërbimet e tij. Si rezultat i kësaj, ky filloi të flasë dhe të bëjë publike të palarat e individëve të tjerë që kanë punuar për shtetin e Serbisë. Kjo ishte e mjaftueshme për likuidimin e tij", u shpreh Meha. "Kjo porosi më tepër u dërgohet shumë shqiptarëve që kanë kryer shërbime për shtetin e Serbisë, por që kohën e fundit kanë filluar të ngurrojnë në ofrimin e shërbimeve, dhe porosia për ata apo ato është e qartë, ju pret vrasja", shpjegon më tutje ai. Sipas Mehës, vrasja e Oliver Ivanoviqit është vetëm fillimi i një serie të veprimeve të cilat Serbia mund t'i kryejë në Kosovë deri në qershor të këtij viti.

(Kosova Sot)