Me Pacollin në krye, diplomacia kosovare PO VAZHDON ZHYTJEN NË HUMNERË

  • 20 January 2018 - 10:04
Me Pacollin në krye, diplomacia kosovare PO VAZHDON ZHYTJEN NË HUMNERË

ANALISTËT KOMENTOJNË SE MPJ-JA ËSHTË BËRË STREHË E BIZNESMENËVE DHE MILITANTËVE PARTIAKË

Aliu:Diplomacia jonë është si mos më keq!

"Sot kemi një Qeveri, ku asnjë vartës institucional nuk është në vendin e duhur, e më së keqi është e katandisur MPJ-ja, e cila në vend se të ishte ministri e fortë dhe e dinjitetshme, është bërë punësuesi më i madh në Kosovë dhe një hotel i mirë për ministrat, e sidomos tani për atë që tenton të jetë "Mugabe" i Kosovës, Behgjet Pacolli",tha për gazetën "Kosova Sot" politologu Gurakuç Kuçi
Analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe fushës së politikës janë të mendimit se diplomacia kosovare nën drejtimin e ministrit të Jashtëm aktual, Behgjet Pacolli, po dështon tërësisht. Sipas tyre, sorollatjet e tij të vazhdueshme nëpër botë, pa ndonjë plan strategjik konkret dhe të artikuluar qartë, nuk po i sjellin Kosovës kurrfarë rezultatesh. Sipas analistëve, zëvendëskryeministri i parë i vendit, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme z. Behgjet Pacolli këto rrugë- time po i shfrytëzon vetëm për interesa private, ku përfshihen edhe përpjekjet për shfrytëzimin e pasurive nacionale të vendit, siç është kombinati "Trepça". Analistët kanë thënë se janë matematikat e Rrahim Pacollit dhe Behgjet Pacollit që ashtu siç e kanë marrë hisen e madhe në fushën e kompanive të sigurimit dhe të bankave, tani të marrin edhe kombinatin " Trepça", por edhe Hotelin "Grand", si edhe shume asete të tjera vitale të shtetit të Kosovës. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të politikanëve të apostrofuar (Behgjet dhe Rrahim Pacollit), gazeta nuk ka marrë përgjigje.
Ministria e Jashtme, si mos më keq!

Politologu Gurakuç Kuçi tha për "Kosova Sot", se diplomacia e Kosovës është e dështuar që nga fillimi. "Mund të shprehemi me plot bindje që Kosova as nuk ka diplomaci dhe as nuk di të zbatojë diplomacinë që e bëjnë vendet mike për Kosovën", u shpreh ai. "Kjo nuk d.m.th. që Kosova nuk ka njerëz që nuk dinë ta bëjnë këtë, por ata njerëz nuk i lënë oligarkët, të cilët kërkojnë vetëm njerëz servilë, pa identitet personal, të padijshëm, njerëz me varësi parazitë. E njëjta gjë, apo edhe më keq po ndodh edhe tani me MPJ-në", ka vlerësuar ai. Politologu Kuçi tha se sot kemi një Qeveri, ku asnjë vartës institucional nuk është në vendin e duhur, e më së keqi është e katandisur MPJja, e cila në vend se të ishte ministri e fortë dhe e dinjitetshme, është bërë punësuesi më i madh në Kosovë dhe një hotel i mirë për ministrat, e sidomos tani për atë që tenton të jetë "Mugabe" i Kosovës, Behgjet Pacolli. Ndërsa kolumnisti Bislim Aliu për gazetën "Kosova Sot" u shpreh se diplomacia kosovare vazhdon të mbetet në vendnumërim, pa ndonjë përparim dhe me të meta të shumta. "Nuk është parë ndonjë përparim në këtë drejtim dhe diplomacia jonë është si mos më keq, pasi nuk ka profesionalizëm dhe nuk emërohen njerëz të duhur në diplomacinë tonë", potencoi ai. "Edhe nën drejtimin e Behgjet Pacollit, diplomacia jonë nuk ka ndonjë përparim, madje kemi mbetur shumë mbrapa në këtë drejtim. Kemi pasur dështime, kemi vërejtje të shumta", ka theksuar Aliu.

Politika e jashtme, improvizuese

Analisti Hidajet Ahmeti tha për " Kosova Sot" se politika e jashtme duhet të punojë e të veprojë brenda kornizës së reciprocitetit, por jo nënshtrimit e servilizmit, të cilat nuk ndihmojnë të ndërtohen raporte të shëndosha bilaterale e multilaterale në mes shteteve. "Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në stagnimin e procesit të njohjes së shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të mëdha ndërkombëtare. Një ndër faktorët kyçë, që i ka ndihmuar procesit të stagnimit të njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat e fuqishëm ndërkombëtarë, lidhet me instalimin e politikave të dëmshme publike, të cilat kanë pasur si qëllim interesat personale e klienteliste", u shpreh ai. Sipas Ahmetit, Ministria e Punëve të Jashtme më shumë prin për shpenzime enorme nga zyrtarët e kësaj ministrie, me vizitat e tyre të luksit, e të cilat nuk sjellin as suksesin me të vogël për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. "Pa marrë parasysh grumbullin e institucioneve apo aktorëve shtetërorë që ndikojnë në diplomacinë shtetërore, barra për dështimin e kësaj bie mbi ministrat, të cilët kanë udhëhequr me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e posaçërisht aktualitetin e funksionimit të kësaj ministrie, e që udhëhiqet nga zoti Pacolli", potencoi ai. "Njëri ndër faktorët e dështimit të realizimit të misionit të politikës së jashtme është edhe moskoordinimi adekuat i ministrive të tjera për t'i çuar proceset përpara. Mbi të gjitha nuk ka një strategji afatgjate për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në raport ndërkombëtar, e që të kishte impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare", vlerësoi Ahmeti. "Organizatat ndërkombëtare funksionojnë brenda kornizës institucionale e me misione të caktuara ndërkombëtare, të cilave politika duhet t'u përshtaten shtetet pretendente, por jo misionet e organizatave ndërkombëtare të tjetërsohen duke iu përshtatur politikave të brendshme të shteteve", shpjegoi ai. Sipas tij, Kosova si shtet nuk ka vepruar e punuar brenda kornizave institucionale e politikave të caktuara të organizatave ndërkombëtare, por brenda politikave ditore, të cilat nuk na dërgojnë në adresën e caktuar.

(Kosova Sot)