Aliu: Pajtim për të amnistuar të keqen

  • 23 January 2018 - 13:46
Aliu: Pajtim për të amnistuar të keqen

Analisti Bislim Aliu tha për "Kosova Sot", se ka kohë që opozita në Kuvendin e Kosovës nuk po e luan rolin e vet në Kuvend. "Prandaj, e kemi një opozitë shumë të dobët në Kuvendin e Kosovës, duke i dhënë hapësirë opozitës që të bëjë çfarë të dojë. Kuvendi është institucioni më i lartë ligjvënës i shtetit, por për fatin e keq të qytetarëve, Kuvendi ka rënë në gjumë të thellë, sepse në Kuvend fare nuk dihet se kush është pozitë e kush është opozitë", u shpreh ai. "Në realitet, të dyja palët e kanë të njëjtin mendim, se në Kuvendin e Kosovës nuk ka nevojë që të hapen dhe të debatohet për tema të nxehta, si është krimi i organizuar, korrupsioni, mosluftimi i monopoleve në shumë fusha të ekonomisë, pastaj mos të dihet fajësia. Prandaj, e kemi këtë situatë si e kemi në Kuvendin e Kosovës, sepse të dyja palët janë fajtore, si pozita që sundon, ashtu edhe opozita që po hesht, dhe e kanë bllokuar punën e mirëfilltë të Kuvendit", vijoi më tutje Aliu. "Kuvendi si organi më i lartë ligjdhënës absolutisht nuk po e luan rolin e vet që duhet ta ketë", theksoi ai. "Ndaj, shtrohet pyetja se kush mund ta zgjidhë e ta tejkalojë këtë situatë. Këtë munden ta bëjnë vetëm kur të vijnë njerëz të rinj në skenën politike dhe që do ta ngritin zërin shumë më tepër dhe do të merreshin me problemet e shtetit e qytetarëve, ekonomisë dhe sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit", potencoi Aliu.

(Kosova Sot)