Si u bë Katari i vogël shtet i pasur në rajonin arab?

  • 23 January 2018 - 18:58
Si u bë Katari i vogël shtet i pasur në rajonin arab?

NË MESIN E SHTETEVE TË GJIRIT PERSIK, LUANTE ROLIN E VËLLAIT TË VOGËL

Tani, ky shtet është në luftë për jetë

Për emirin e Katarit paratë thuajse kanë blerë çdo gjë. Derisa ishte adoleshent, ai ëndërronte që të bëhej Boris Becker i Botës arabe, prandaj prindërit e tij e kishin angazhuar këtë yll gjerman të tenisit, që t'i mbante orë mësimi birit të tyre. Një fanatik i vërtetë i sportit, ai më pas bleu një klub futbollistik francez, Paris Saint-Germain, i cili vitin e kaluar pagoi 263 milionë dollarë për një sulmues brazilian - duke u bërë kështu tarifa më e lartë e transferimit në historinë e futbollit. Ai ndihmoi që Katari ta merrte përsipër organizimin e Kupës botërore të vitit 2022, me një kosto prej rreth 200 miliardë dollarësh, që paraqet një angazhim të madh për një vend, i cili më parë nuk ishte kualifikuar ndonjëherë për këtë turne. Tani, në moshën 37- vjeçare, emiri, Sheik Tamim bin Hamad al-Thani, ka ndeshur në një problem, i cili nuk mundet, thjesht, të zgjidhet me para. Që nga qershori, Katari i vogël ka qenë cak i një bojkotimi ndëshkues ajror dhe detar, të udhëhequr nga fqinjët e tij më të mëdhenj, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Brenda natës, avionët dhe anijet e mallrave, që ia kishin mësyrë Katarit, u detyruan që ta ndryshonin kursin, lidhjet diplomatike u ashpërsuan dhe kufiri i vetëm tokësor i Katarit, ai me Arabinë Saudite, që kalon nëpër shkretëtirë, u mbyll me përplasje. 

Grindjet në botën arabe

Tamim ka akuzuar vendet fqinje, duke thënë se atyre nuk iu pëlqen pavarësia e Katarit, meqë një gjë të tillë e konsiderojnë rrezik. Ky bojkot doli të ishte sulmi i parë në kuadër të një kampanje gjithëpërfshirëse nga princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, e cila e ka elektrifikuar Lindjen e Mesme. Princi saudit e ka formësuar qasjen e administratë të Trumpit në Lindjen e Mesme, gjë që mund të ketë ndikime të shumta, sidomos në ngritjen e çmimit të energjisë, në përfundimin e përpjekjeve paqësore midis çifutëve dhe palestinezëve, si dhe në rritjen e gjasave të luftës kundër Iranit. Në shtator, gjatë një takimi normal të Ligës Arabe në Kajro, diplomatët sauditë dhe ata të Katarit këmbyen sharje, si "qen i çartur", si dhe akuza rreth tradhtisë dhe keqtrajtimit të deveve. Ky konflikt i ka të gjitha karakteristikat e një konflikti midis familjeve. Banorët e Katarit, ata të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, janë pasardhës të fiseve të njëjta nomade, kanë religjionin e njëjtë dhe hanë ushqime të njëjta. Prandaj, grindja e tyre ka karakteristikat e grindjes midis kushërinjve, por kushërinjve tepër të pasur, ama.

Përgatitjet e Katarit për Kupën botërore

Kjo krizë mori një kthesë alarmante javën e kaluar, kur Emiratet akuzuan avionët luftarakë të Katarit për keqtrajtimin e dy avionëve të udhëtarëve të Emirateve, derisa ata kalonin Gjirin Persik. Zyrtarët e Katarit mohuan këto akuza, si të rreme dhe, dolën me akuzat e tyre kundër Emirateve, duke thënë se avionët ushtarakë të këtij shteti, tanimë dy herë kanë shkelur hapësirën ajrore të Katarit. Për Arabinë Saudite, Emiratet (por edhe për Bahrejnin dhe Egjiptin, që iu bashkuan bojkotit të tyre), Katari është një shtet i njerëzve të bezdisshëm, të cilët janë të helmuar nga pasuria e tyre, e cila duhet të zvogëlohet. Në anën tjetër, Tamim ka fjalë miradije për vlerat demokratike të vendit të tij. Ai thotë se, për 50 vjet, do të shihet se "Al Jazeera" e ka ndryshuar tërë idenë e fjalës së lirë në regjion. Por, duket se demokracia mbaron me kaq. Në vitin 2012, një poet nga Katari është dënuar me burg të përjetshëm, për shkak se kishte ofenduar familjen mbretërore (Tamim më pas e fali atë, në vitin 2016). Edhe pse punëtorët e huaj përbëjnë 90% të tre milionë banorëve të këtij shteti, ata kanë të drejta të vogla, kështu që edhe përgatitjet e Katarit për Kupën botërore janë përcjellë me akuza të shumta rreth shkeljes së të drejtave të njeriut, të punëtorëve të huaj. Në tetor u miratua një ligj, i cili mund të sjellë përmirësime në këtë fushë. 

Image

 

(Kosova Sot)