Dënohet me burg i akuzuari për vrasjen në Deçan - Lajme - Kosova Sot
Dėnohet me burg i akuzuari pėr vrasjen nė Deēan

Dėnohet me burg i akuzuari pėr vrasjen nė Deēan

Gjykata Themelore e Pejës e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 13 vjet burgim Shaip Zukajn, i akuzuar për vrasjen e Zymer Dervishajt dhe vënien në rrezik të jetës se Adil Thaçit në vitin 2011, në Tregun e Gjelbër të Deçanit.

Tre ditë më parë, i akuzuari e pranoi fajësinë për vrasjen dhe shprehu keqardhje për rastin.

Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Shaip Zukaj është dënuar edhe për armëmbajtje pa leje me 2000 euro gjobë, duke u obliguar që ketë shumë ta paguajë brenda 90 ditësh.

Në rast të mospagesës brenda afatit kohor, kjo gjobë të dënuarit i shndërrohet në dënim me burg.

Në aktgjykimin e shpallur sot nga Gjykata Themelore e Pejës, Shaip Zukaj u gjet fajtor për vrasjen e Zymer Dervishajt dhe vënien në rrezik të jetës se Adil Thaçit dhe personave të tjerë më 1 shtator 2011 në Deçan.

“Shaip Zukaj shpallet fajtor për shkak se më 01/09/2011 rreth orës 12:30 në Deçan, në Tregun e Gjelbër, në terracën e qebaptores “Besarti”, privon nga jeta të ndjerin Zymer Dervishaj dhe në ketë rast vë në rrezik jetën e shumë personave dhe atë të dëmtuarit Adil Thaçi. Në atë mënyrë që me qëllim të privimit nga jeta të Muharrem Dervishajt, për motive të hakmarrjes ka shtënë disa herë me armë automatike të kalibrit 7.62× 39 milimetra, me ç’rast privon nga jeta Zymer Dervishajn dhe plagos rëndë të dëmtuarin Adil Thaçi, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore dhe me zë të lartë shqipton fjalët: “Unë jam Shaban Belegu” dhe largohet në shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Me çka ka kryer veprën penale vrasje e rëndë, nga neni 146, paragrafi 4, i Kodit Penal të Kosovës”, u tha në aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Themelore e Pejës.

Zukaj u dënua edhe për mbajtje pronësi të paautorizuar të armëve.

Si rrethanë lehtësuese në shpalljen e dënimit, gjyqtarja e rastit, Lumturije Muhaxheri, tha se janë marr për bazë, pranimi i fajësisë nga Shaip Zukaj, falja e gjakut dhe pajtimi me të dëmtuarit, dhe mos kërkesa për kompensim të dëmit.

Po ashtu, ndaj këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankesë brenda afatit kohor prej 15 ditës.

Të dënuarit Shaip Zukaj në vuajtje të dënimit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Shaip Zukaj kishte qëndruar në arrati për disa vite derisa u arrestua në shtetin e Belgjikës dhe më pas u ekstradua në Kosovë.

 (Kosova Sot)

 

4 orë e 1 minuta më parë
21/02/18