Specialja synon spastrimin e politikës kosovare - Lajme - Kosova Sot
Specialja synon spastrimin e politikės kosovare

Specialja synon spastrimin e politikės kosovare

A KA RREZIK QË NËNTOKA KRIMINALE E KOSOVËS TË KORRUPTOJË GJYQTARËT E GJYKATËS SPECIALE?

Analistët: Në Kosovë mund të blesh drejtësinë, politikën, parapolitikën dhe gjithçka tjetër mund të blihet me para

"Sigurisht që do të ketë raste që do të provojnë ta blejnë edhe drejtësinë ndërkombëtare, në këtë rast në Gjykatën Speciale dhe sigurisht që të tillën mbase nuk do të mund t'i dënojnë. Mirëpo, duhet të jemi shumë të sigurt që nëse kjo gjykatë vepron seriozisht, ajo ka për t'i marrë ata në proces gjyqësor, qoftë edhe nëse arrijnë ta blejnë atë drejtësi ndonjëri nga ata, por të akuzuarit do të spostohen për një kohë të shkurtër apo të gjatë nga politika dhe të tillët do ta humbin gjithë primatin e deritanishëm në politikë. Nga ky aspekt unë mendoj se interesi i qarqeve ndërkombëtare është kryesisht për t'i larguar nga pushteti dhe politika, për të krijuar mundësi për krijimin e një kaste të re politike", vlerësoi Jeton Kelmendi për "Kosova Sot" 

Duke marrë parasysh faktin se në Kosovë klasa politike e inkriminuar bashkë me nëntokën kriminale që nga pas lufta e deri më sot janë pasuruar aq shumë, saqë pushtetarët e nivelit të lartë bashkë me mafio-oligarkët i kanë "strehuar" miliardat në parajsa fiskale, analistët politikë nuk e përjashtojnë edhe rrezikun që njerëzit e akuzuar e të tejkorruptuar ta blejnë drejtësinë edhe në Gjykatën Speciale. Kjo dilemë bazohet në faktin se ka rrezik që gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar të UNMIK -ut dhe EULEX -it do ta shesin drejtësinë për para dhe të korruptojnë edhe Gjykatën Speciale, pasi paratë që janë në gjendje t`ua paguan mafia e politikës dhe nëntokës janë shuma marramendëse deri edhe miliardëshe! Dyshimi në një mundësi të tillë sa vjen e bëhet më i bazuar edhe duke u bërë një përmbledhje e rezultateve se si ka qenë sistemi i drejtësisë në Kosovë, që nga përfundimi i luftës nën mbikëqyrjen dhe i kontrolluar nga UNMIK -u dhe EULEX -it, e ku del se rezultatet nuk janë kurrfarë, pikërisht për shkak se nëntoka kriminale me politikanët e niveleve të larta, parapolitika, dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale nuk kanë çmim që nuk e paguajnë! Po ashtu, dilema vjen e forcohet akoma më shumë nga fakti se gjithmonë, gjykatës e prokurorë të UNMIK-ut dhe EULEX-it, vetëm pasi ta kenë përfunduar mandatin apo janë larguar nga puna, kanë folur për dështimet, proceset e kurdisura, shitje të lëndëve, korrupsion marramendës të këtij personeli e që pikërisht nga këto misione është dashur të hetohen, të gjykohen dhe të dënohen.

Gjykata politike

Kur të merren parasysh të gjitha këto dështime dhe afera të kaluara, me arsye dyshohet edhe në rrezikun që diçka e tillë të përsëritet edhe në Gjykatën Speciale, që sërish të blihen prokurorët dhe gjyqtarët nga nëntoka kriminale e Kosovës, ku bëjnë pjesë pushtetarë të nivelit të lartë me mafio-oligarkë dhe të amnistohen ata që planifikuan, urdhëruan, nuk penguan dhe bënë krime që sanksionohen si shkelje e ligjeve të luftës dhe të së drejtës humanitare. Rezultati final i kësaj Gjykate dhe qëllimi i faktorit ndërkombëtar, sipas analistëve politikë, do të arrihet, e ai është largimi nga skena politike dhe krijimi i mundësive më të mëdha për iniciativa të reja politike në Kosovë, derisa Gjykata Speciale do të merret me të akuzuarit që do të jenë pjesë e lidershipit të tanishëm në shumicën e partive politike. "Në radhë të parë Gjykata Speciale është një Gjykatë politike, për vetë faktin që ajo bëhet për krime të luftës vetëm 18 vjet pas luftës, qëllimi i saj është si qëllim parësor që ta heqë prej kësaj skene politike një klasë politike dhe t'ia lëshojë rrugën një klase tjetër politike. Tani, kush do të jenë viktimat e kësaj, Gjykatës Speciale, mbetet për t'u parë, porse a do të ketë gjykime të drejta dhe a do të ketë manipulime sikur që ka pasur deri më tani, edhe kjo mbetet të shihet, sepse nuk mund të hyjmë në ato detaje", u shpreh Nexhmedin Spahiu. "Po të ishte qëllimi që drejtësia të realizohet, ajo drejtësi do të ishte realizuar me kohë, menjëherë pas luftës, kur UNMIK-u e ka pasur një pushtet absolut dhe ka mundur të bëjë çfarë ka dashur, nëse do të kishte qenë i vullnetshme edhe për ta bërë një gjë të tillë, e për çka dihet që nuk ka qenë. Për fat të keq ,edhe këtë nuk e ka bërë dhe ka lënë pezull shumë çështje, të cilat e pengojnë edhe sot e kësaj dite zhvillimin e Kosovës, qoftë për lëshimet e bëra për shkaqe korruptive, qoftë për shkaqe strategjike apo të një politike tjetër të madhe", tha Spahiu për "Kosova Sot".

"Qytetarët e Kosovës janë ballafaquar me realitetin e hidhur, ku nëntoka kriminale e Kosovës arriti t'i korruptojë edhe gjykatësit e prokurorët ndërkombëtarë, fillimisht të UNMIK-ut, e pastaj edhe të EULEX-it. Tanimë është evidente se disa nga këta gjykatës e prokurorë të EULEXit do të jenë pjesë e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë. Kjo gjë ka ngritur dyshime se të njëjtët individë apo ndoshta edhe të tjerët mund të korruptohen nga një numër i të akuzuarve potencialë, për të cilët dyshohet se kanë krijuar parajsa fiskale me shuma milionëshe e miliardëshe", tha Azem Osmani për "Kosova Sot"

Goditja ndaj sundimtarëve

"Nuk është shumë problem se a do të dënohen apo jo, sa është problem dhe qëllim që ata të spostohen nga politika, kryesisht ata keqbërës që po vazhdojnë ta mbajnë peng Kosovën", tha Jeton Kelmendi për "Kosova Sot" 

Se qëllimi final është deklasimi i plotë e një pjesë nga më të korruptuarat dhe të inkriminuarat e klasës së tanishme politike nëpërmes Gjykatës Speciale, e thotë edhe analisti tjetër politik Jeton Kelmendi. "Mendoj se këta njerëz, të cilët po i frikësohen Gjykatës Speciale, sigurisht që janë njerëz që i kanë kaluar edhe disa instanca të tjera të drejtë- sisë, Gjykatat e UNMIK-ut, Gjykatat e EULEX-i, por edhe Gjykatat e Kosovës, kështu që sigurisht se ka nga ta që edhe kanë arritur në të kaluarën të bëjnë ndikim të madh në drejtësi, sidomos nga pasuria e tyre e llahtarshme dhe njerëzit shumë lehtë në atë aspektin konkret të të menduarit, edhe shprehin dyshimin që kur ke mundësi të blesh ekonominë, blen drejtësinë dhe blen politikën, parapolitikën dhe blen sigurinë, gjithçka që mund të blihet me para e që kjo është e mundshme sidomos në Kosovë", u shpreh ai. "Sigurisht që do të ketë raste që do të provojnë ta blejnë edhe drejtësinë ndërkombëtare, në këtë rast në Gjykatën Speciale dhe sigurisht që të tillën mbase nuk do të mund t'i dënojnë. Mirëpo, duhet të jemi shumë të sigurt që nëse kjo Gjykatë vepron seriozisht, ajo ka për t'i marrë ata në proces gjyqësor, qoftë edhe nëse arrijnë ta blejnë atë drejtësi ndonjëri nga ata, por të akuzuarit do të spostohen për një kohë të shkurtër apo të gjatë nga politika dhe të tillët do ta humbin gjithë primatin e deritanishëm në politikë", theksoi ai. "Nga ky aspekt unë mendoj se interesi i qarqeve ndërkombëtare është kryesisht për t'i larguar nga pushteti dhe politika, për të krijuar mundësi për krijimin e një kaste të re politike", vlerësoi Kelmendi për "Kosova Sot".

UNMIK-u dhe EULEX-i dështuan

"Supozojmë se disa emra, që sot kanë poste të larta në politikë dhe institucione, mbase i kanë emrat në raportin e Dik Martit, mbi bazën e të cilit edhe është themeluar Gjykata Speciale, kështu nuk përjashtohet asnjë mundësi se do të jenë të arrestuar nga kjo Gjykatë, për krimet e supozuara", tha analisti Naim Kelmendi për "Kosova Sot"

Një mundësi e tillë e blerjes së drejtë- sisë edhe nga Gjykata Speciale nuk shihet skenar i përgatitur me kohë edhe nga analisti Naim Kelmendi. Ai beson që së pakut kjo drejtësi ndërkombëtare do të jetë e painfektuar nga krimi dhe korrupsioni dhe do të nxjerrë vetëm verdikte të drejta. "Siç dihet, mbase tash edhe mund të konstatohet se jo vetëm UNMIK-u në Kosovë, por edhe Organizata Ndërkombëtare për Drejtësi dhe Sundim të Ligjit në Kosovë - EULEX-i, thuajse ka dalë i dështuar në misionin e vet të deritashëm, për funksionin për të cilin është në Kosovë. Ka pasur dhe mjaftë afera korruptive kur janë korruptuar gjyqtarët apo prokurorët me miliona euro dhe i kanë mbyllur rastet e ndjekura apo janë shpallur të pafajshëm akëcilët të akuzuar, të njohur dhe për publikun, por do të thosha se me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë apo të Dhomave të Specializuara, që është formuar me ligje të Kosovës, por me seli në Hagë, edhe pse shumë e padrejtë për të gjykuar krimet e supozuara një etnike të periudhës së luftës në Kosovë, puna qëndron aty", theksoi ai. "Besoj që nuk do të mund të predisponojmë ndonjë dyshim se akëcilët që do të jenë subjekt i kësaj Gjykate për t'u gjykuar, mund të kenë mundësi për të korruptuar gjyqtarë e prokurorë të kësaj Gjykate, në anën tjetër ,siç është thënë nga promemorja e kësaj Gjykate, ku çdokush që do të jetë subjekt i akuzuar nga Gjykata nuk nënkupton në asnjë rast amnistim për shkak të pozitës politike që mban, por nëse është në listën e të akuzuarit për t'u përballur me drejtësinë, ai do të përballet me drejtësinë", vijoi më tej Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, pozita politike, sado e nivelit të lartë qoftë ajo, nuk e liron nga ballafaqimi me drejtësinë, askënd.

(Kosova Sot)

8 orë e 34 minuta më parë
25/02/18