Modeli 'Llalla", edhe për prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar kosovarë

  • 19 February 2018 - 07:22
Modeli 'Llalla

ISH-KRYEPROKURORIT TË SHQIPËRISË DHE FAMILJES SË TIJ U NDALOHET HYRJA NË SHBA, NJËJTË KËRKOHET EDHE TE NE

KAPITI:"Peshqve të mëdhenj" të krimit dhe të korrupsionit duhet t'u ndalohet hyrja në SHBA

"Duhet t'u ndalohet hyrja në SHBA të gjithë zyrtarëve kosovarë, prokurorët dhe gjyqtarët, të dyshuar për afera korruptive e kriminale. Në Kosovë askush nuk jep përgjegjësi për dështimin e drejtësisë për 10 vjet të pavarësisë, ku si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë kanë degraduar tërësisht të gjitha segmentet shtetërore. Kjo kastë e prokurorëve nuk ka shanse të hetojnë dhe as të hapin raste penale të krimit të organizuar të pushtetarëve të nivelit të lartë, qoftë në nivelin qendror apo atë komunal, për faktin se e kanë në dorë tërë sistemin e drejtësisë parapolitika, pushtetarët e nivelit të lartë të lidhur me mafiooligarkët e nëntokës kriminale", është shprehur analisti Florim Zeqa për gazetën "Kosova Sot"

Duke parë nivelin alarmant të krimit dhe të korrupsionit, që ka kapur të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës, nga niveli lokal deri në majat e nivelit qendror, dhe duke përfshirë në këtë piramidë edhe sistemin e sundimit të ligjit, prokurorinë, gjykatat dhe policinë, analistët politikë dhe ekspertët e kësaj fushe konsiderojnë se për të pastruar më shpejt shtetin nga këto klane kriminale, përveç zbatimit të Ligjit të VETTING-ut, do të duhej pa vonesë që edhe në Kosovë të ndiqet modeli i izolimit ndërkombëtar të të korruptuarve të jakave të bardha, si në Shqipëri, ku SHBA- të ia ndaluan hyrjen ish- kryeprokurorit të akuzuar për korrupsion! Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi publikisht në faqen zyrtare të sekretarit të Shtetit se u ndalon hyrjen në SHBA ish- prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, dhe familjes së tij, bazuar në informacionin se ish-zyrtari është përfshirë në korrupsion të përmasave domethënëse.

Opinionistët e gazetës mendojnë se i njëjti model duhet t'i imponohet edhe kastës kriminale të Kosovës, të ndalen të gjithë zyrtarët kosovarë, prokurorët dhe gjyqtarët, të dyshuar për afera korruptive e kriminale dhe të mos lejohet udhëtimi i tyre jashtë vendit. Një kërkesë të tillë e shtron edhe analisti Florim Zeqa."Patjetër se duhet ndjekur shembullin e Shqipërisë për ndërmarrjen e masave konkrete, ku SHBA-ja ua ndaloi hyrjen ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, dhe familjes së tij, të akuzuar për korrupsion! Mirëpo, për dallim nga Shqipëria, duhet të ndalen të gjithë zyrtarët kosovarë, prokurorët dhe gjyqtarët, të dyshuar për afera korruptive e kriminale. Pasi në Kosovë askush nuk jep përgjegjësi për dështimin e drejtësisë për 10 vjet të pavarësisë, ku si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë kanë degraduar tërësisht të gjitha segmentet shtetërore.

Kjo kastë e prokurorëve nuk ka shanse të hetojnë dhe as të hapin raste penale të krimit të organizuar të pushtetarëve të nivelit të lartë, qoftë në nivelin qendror apo atë komunal, për faktin se e kanë në dorë tërë sistemin e drejtësisë parapolitika, pushtetarët e nivelit të lartë të lidhur me mafio-oligarkët e nëntokës kriminale. Është pikërisht kjo arsyeja pse politikanët kosovarë preferojnë që nëse kanë punë me drejtësinë të gjykohen nga prokurorët dhe gjyqtarët vendorë, të cilët i mbajnë në grusht dhe diktojnë tërësisht çdo veprim të tyre, e assesi nuk e preferojnë të gjykohen nga gjykatat ndërkombëtare", është shprehur analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot".

Kjo garniturë e prokurorëve të korruptuar, sipas tij, as që mund ta marrin me mend që të sjellin në bankën e të akuzuarve politikanët e kalibrit të lartë, si: president, kryeministër, ministra, kryetarë komunash, kryeparlamentar, apo mafio-oligarkë të inkriminuar."Sa më parë të ndodhë ndërhyrja ndërkombëtare në sistemin e drejtësisë së vendit më të varur në rajon, aq më parë qytetarët do të lirohen nga prangat e uzurpatorëve të lirisë dhe izolimit ndërkombëtar', theksoi analisti politik Florim Zeqa për "Kosova Sot".

Politika, prokurorët dhe gjyqtarët po ua nxijnë jetën qytetarëve të Republikës sonë

Analisti Azem Osmani është shprehur për gazetën "Kosova Sot" se për të përmirësuar gjendjen e degraduar në sistemin e drejtësisë duhet ndërmarrë hapa radikalë dhe të gjithanshëm."Shembulli më i mirë është rasti i ndalimit të hyrjes në SHBA të ish-kryeprokurorit të Shqipërisë, Adriatik Llalla, i akuzuar për korrupsion në përmasa domethënëse. Ndalesa të tilla duhet të ketë edhe në Kosovë për zyrtarët e akuzuar apo edhe të dyshuar për korrupsion.

Kjo gjë duhet të ndodhë patjetër, jo ndalesa vetëm të një individi, por të gjithë strukturës së përfshirë në kriminalitet e korrupsion. Po të ndodhte ky hap nga SHBA dhe BE, do të ishte një presion i madh ndaj tyre dhe lehtësim për hapat e mëtutjeshëm në largimin e kësaj strukture nga institucionet, qofshin të drejtësisë, por edhe të institucioneve tjera. Tani kemi një shembull praktik e të freskët se në momentin kur krerëve më të lartë të Kosovës nuk iu dha viza për hyrje në SHBA dhe Britani të Madhe, ata u zmbrapsën nga përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale", është shprehur ai.

(Kosova Sot)