Mafioziteti u shndërrua në kulturë politike!

  • 19 February 2018 - 09:27
Mafioziteti u shndërrua në kulturë politike!

POLITIKA E INKRIMINUAR I BËRI AZILANTË NË PERËNDIM QYTETARËT TANË

Haziri: Kosova nuk ofron asnjë mundësi suksesi, nuk ofron asnjë mënyrë për ta shijuar botën e suksesit

"Mafioziteti fatkeqësisht po shndërrohet në kulturë politike. Mburrja dhe krenaria jonë janë bërë sportistët, njerëzit e kulturës dhe të artit, si dhe këngëtarët, të cilët janë bërë ambasadorët më të mirë të dy shteteve shqiptare, por jo edhe politikanët", është shprehur për "Kosova Sot" analisti Skënder Mulliqi

Klasa politike kosovare e pasluftës e shqelmoi shansin e saj të jashtëzakonshëm që Kosova e pati pas shpalljes së pavarë- sisë të zhvillohet ekonomikisht. Analistët ndërkaq vlerësojnë se e tëra kjo ndodhi ngase që nga 17 shkurti 2008, por edhe me herët, u vodhën dhe u zhvatën me qindra miliona e deri miliarda euro për 10 vjet në kontinuitet. Sipas tyre, paratë e vjedhjeve, ato të tenderëve, monopoleve dhe krimit të organizuar, përfunduan në xhepat e kontot e mafio-oligarkëve të inkriminuar dhe shërbëtorëve partiakë, klanorë, medialë e biznesorë.

Ndaj shtrohet pyetja se si u bë që nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës të paktën mbi dyqind mijë kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian? Këto janë shifrat zyrtare, pa llogaritur sa mijëra që nuk janë lajmëruar. I madh e i vogël përpiqet se si të ikë nga ky vend i pashpresë, i sunduar, i zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion të jashtëzakonshëm. Analistët shtrojnë pyetjen se si u bë që kosovarët e Kosovës së pavarur janë të gatshëm të braktisin gjithçka për të shpëtuar nga diskriminimi, padrejtësitë, abuzimet, nënshtrimi, pasiguria, mjerimi social, papunësia rekord dhe varfëria ekstreme dhe pse në Kosovë nuk ka perspektivë për të rinjtë? A është shembulli më i mirë Rita Ora, Dua Lipa e shumë të tjera, që po qe se do të mbeteshin në Kosovë maksimumi që do të mund të bënin do të ishte të bëheshin "asistente" të pushtetarëve të inkriminuar, ndërkaq jashtë Kosovës kanë arritur majat e suksesit?

Kelmendi: Klasa politike dëshmoi se nuk di, por edhe nuk do të qeverisë mirë

Eksperti i Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se kasta politike në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, e deri më sot sigurisht se ka dëshmuar se nuk do e ndoshta nuk di, por edhe nuk do ta mirëqeverisë vendin, duke filluar nga kreu i shtetit e deri tek ai shërbëtori i institucionit qeveritar e ka mendjen se si të përfitojë në mënyrë të paligjshme, duke filluar nga tenderët nga paratë e investuara gabimisht nga investitorët e huaj apo në të gjitha fushat e jetës në Kosovë.

"Të gjitha qeveritë e deritashme e kanë keqpërdorur pozitën në mënyrë të qëllimshme dhe e tëra kjo nuk u bë rastësisht, se kemi të bëjmë me njerëz të pangopshëm, që janë pronarë të shumë milionëve dhe dita ditës ata i rritën apetitet e tyre duke synuar që të kalojnë në miliarderë", është shprehur ai. Kelmendi theksoi se ka rënë optimizmi në opinion dhe tek qytetarët shumica e të cilëve e shohin perspektivën e tyre duke lëshuar Kosovën dhe duke shkuar në Perëndim. "Kjo gjendje nuk ndryshon derisa në pushtet të qëndrojnë këta persona: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Isa Mustafa, sepse këta janë njerëzit që e kanë dërguar Kosovën para humnerës", është shprehur ai. Shton se "burgu për të apostrofuarit do të ishte gjëja më e mirë që do t'u ndodhte qytetarëve." 

Mulliqi: Kjo klasë politike nuk e ka dhënë provimin për të mirë

Analisti Skënder Mulliqi për "Kosova Sot" theksoi se kjo klasë politike është zhytur në forma të ndryshme në korrupsion dhe krim të organizuar, të cilat fenomene po e shkatërrojnë Kosovën."E patëm rastin historik për të bërë ashtu si na ka hije, shtetin e dytë të shqiptarëve në Ballkan. U keqpërdor pozita shoqërore më të madhe në të gjitha nivelet e pushtetit. U abuzua me paranë publike, lulëzuan kontrabandat e ndryshme. U pasuruan vetëm njerëzit në pushtet, njerëzit e parapolitikës, militantë partiakë…", është shprehur ai. Shton se kjo logjikë abuzive është duke ndikuar keq edhe te gjenerata e re, se pa punuar duhet arritur deri të pasurimi. "Mafioziteti fatkeqësisht po shndërrohet në kulturë politike. Mburrja dhe krenaria jonë janë bërë sportistët, njerëzit e kulturës dhe të artit, si dhe këngëtarët, të cilët janë bërë ambasadorët më të mirë të dy shteteve shqiptare. Sukseset që po i arrijnë ata në arenën ndërkombëtare janë për çdo lëvdatë", është shprehur Mulliqi. Analisti Arsim Haziri theksoi për "Kosova Sot" se Kosova përderisa është nën udhëheqjen e kësaj gjenerate liderësh e ka të pamundur për të krijuar e për të ushtruar në mënyrë të paanshme legjislacionin vital.

Burjani: Kosova e ka për detyrë që të heqë qafe politikanët matrapazë

Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Blerim Burjani, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se ata që i bënë dëme shtetndërtimit duhet të largohen nga skena politike dhe pushteti, e me këtë do të arrihej qëllimi i shkapjes së shtetit nga korrupsioni, politika matrapaze, nepotiste e familjare. "Shteti i Kosovës tash e ka një detyrë më të lehtë, që të heqë qafe politikanët matrapazë dhe analfabetë dhe t'i zëvendësojë me profesionalë dhe intelektualë dhe me njerëz të pakorruptuar. Ky është obligim tash i klasës intelektuale dhe në veçanti i qytetarëve", është shprehur ai. "Kosova është vend pa perspektivë. Madje edhe disa prej sukseseve të shqiptarëve në botën e jashtme të fushave të ndryshme nuk do të ishin të munduara sikur të kishin qenë në Kosovë. Kosova nuk ofron asnjë mundësi suksesi, nuk ofron asnjë mënyrë për ta shijuar botën e suksesit", është shprehur analisti Arsim Haziri për "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)