Miliarderët kërkojnë vendstrehim NGA APOKALIPSI I MUNDUR

  • 23 February 2018 - 18:43
Miliarderët kërkojnë vendstrehim NGA APOKALIPSI I MUNDUR

PËRGATITEN PËR RENDIN E RI BOTËROR 

Nga Kanzasi, deri te Zelanda e Re dhe Havai, miliarderët janë duke blerë shtëpi për t'i ikur apokalipsit 

Peter Thiel, miliarderi që qëndron prapa kompanisë "PayPal", është në mesin e gjigantëve të teknologjisë, që kërkon një vend të mirë për të ikur, në rast të një apokalipsi të mundur. Paramendojeni një situatë: bota mbetet pa ushqim, nuk ka ujë të pijshëm dhe sistemi bankar pëson kolaps. Çka do të bënit? Nëse jeni miliarder, mund t'i hipni avionit, apo helikopterit privat, apo edhe veturës së blinduar, për të shkuar në strofullin tuaj, duke u përgatitur për rendin e ri botëror. Dhe, një vend në veçanti, me mijëra kilometra larg Koresë Veriore, ISIS-it dhe të gjitha tensioneve sociale në Evropë dhe në SHBA, nga disa njerëz është duke u parë si vend ideal 'i sigurt' për miliarderët: Zelanda e Re.

Image

Miliarderi që mori shtetësinë e Zelandës së Re 

Peter Thiel, miliarderi i kompanisë "PayPal", është në mesin e atyre gjigantëve teknologjikë, që e shohin Zelandën e Re si vend të mirë për të shkuar në rast të një apokalipsi. Ai ka blerë për 13.5 milionë tokën prej 193 hektarësh në brigjet e liqenit Uanaka, edhe pse, aktualisht, ndërtesa e vetme aty, është një hangar. Ai ka marrë edhe shtetësinë e Zelandës së Re, në një proces i cili nuk është në dispozicion për qytetarët e rëndomtë. Kjo puna e Zelandës së Re është bërë e njohur për pasanikët, kështu që, nëse thua se je duke blerë shtëpi në Zelandë të Re, menjëherë ta shkelin syrin. Që në vitin 2011, Thiel kishte deklaruar se nuk kishte gjetur vend tjetër, më të përshtatshëm për të ardhmen, sesa Zelandën e Re. Kjo deklaratë ishte bërë në kuadër të kërkimit të shtetësisë, e cila më pas iu dha pa probleme. Ky vend ka një qeveri më të relaksuar, ka sasi të mëdha të ujit të pijes dhe ajrin prej më të pastërve në botë. Një gjigant tjetër i teknologjisë që kishte blerë shtëpi atje, ishte Kim Dotcom.

Image

Edhe regjisori hollivudian, Cameron bleu "strofull" post apokaliptik 

Në vitin 2016, Sam Altman, njëri prej sipërmarrësve më me ndikim në Luginën e Silikonit, tha se ka një marrëveshje me Thielin që, në rast të ndonjë krize të madhe, t'i hipin avionit privat dhe të shkojnë në pronën e Thielit në Zelandë të Re. Ndër pasanikët e tjerë amerikanë, që kanë blerë shtëpi atje, janë së fundmi edhe pionieri i fondeve të kufizuara, Julian Robertson, si dhe regjisori hollivudian, James Cameron. Trendi i blerjes së 'strofujve' post apokaliptikë hyri në modë pas 11 shtatorit të vitit 2001, pas sulmeve në SHBA. Ka zëra se disa prona, që zyrtarisht janë deklaruar si shtëpi pushimesh, në fakt të jenë strehimore në rastin më të keq të mundur. Kështu, themeluesi i kompanisë "Facebook", Mark Zuckerberg, bleu një patundshmëri prej 750 akreve në Havai, derisa shoku i tij miliarder, Larry Ellison, themeluesi i kompanisë "Oracle", bleu 98% të ishullit të gjashtë të Havait për nga madhësia, ishullit Lanai. Pasanikët e tillë janë duke u munduar që të përgatiten në çdo aspekt, duke ndërtuar shtëpi të qëndrueshme edhe ndaj sulmeve bërthamore, ku i kanë të gjitha të mirat, duke filluar nga pishina, palestra, kinemaja, etj. Projekti "Condo" në Kanzas ishte një strehimore e dikurshme e nëndheshme, e cila tani është shndërruar në një kompleks apartamentesh luksoze, me të gjitha të mirat, duke përfshirë edhe një spital të vogël. Ai ka edhe kamera të sigurisë, rrethoja elektrike, vend për snajper dhe një burg, për të vendosur vizitorët e paftuar. Një plan më ekstrem në këtë drejtim, vjen nga Elon Musk, i cili ka formuar një kompani të udhëtimit në hapësirë dhe planifikon që të shkojë për të jetuar në Mars. Sipas tij, deri në vitin 2060, në Mars do të mund të jetojnë 1 milion njerëz. 

(Kosova Sot)