Rama i tregon Juncker ndryshimet e rëndësishme që ka pësuar Shqipëria

  • 25 February 2018 - 19:47
Rama i tregon Juncker ndryshimet e rëndësishme që ka pësuar Shqipëria

Pas një takimi me presidentin e Komisionit Evropian, kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë për shtyp krah tij, duke bërë të ditur se çfarë bisedoi me Jean- Claude Juncker.

Rama tha se nga takimi i fundit që pati me Junkcer në dhjetor, kanë ardhur ndryshime pozitive në Shqipëri, veçanërisht sa i përket reformës në drejtësi. Kjo e fundit ishte një prioritet i KE-së për celjen e negociata me Shqipërinë për integrimin e saj në Bashkimin Evropian.

Një mik të kahershëm të shqiptarëve, e quajti Rama presidentin e KE-së, teksa e quajti vizitën e tij në momentin më të mirë të mundshëm. Kjo, sepse vjen pak kohë përpara marrjes së vendimit për rekomandimin e KE për çeljen e negociatave me Shqipërinë, dhe pak kohë pas publikimit të strategjisë së re të zgjerimit.

“Ne u takuam në dhjetor në Bruksel, dhe sot pata mundësinë dhe privilegjin ta informoj nga afër presidentin për zhvillimet e reja, ecurinë e reformave dhe sigurisht vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar të jetë nga njëra anë në një proces intensiv përafrimi me BE përmes punës së përditshme këtu në vendin tonë, dhe nga ana tjetër një aktor konstruktiv për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe garantimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në gjithë Rajonin.

KE ka rekomanduar qysh në nëntor të 2016-ës çeljen e negociatave të anëtarësimit duke nënvizuar domosdoshmërinë e çuarjes përpara të reformës në drejtësi dhe zbatimin konkretisht të procesit të vettingut.  

Në momentin e daljes së rekomandimit ne ende nuk kishim kaluar ligjin për vettingun, gjë që ka ndodhur, dhe nuk kishim nisur punën konkrete për vettingut, gjë që po ndodh.

Sot 17 prokurorë dhe gjykatës të niveleve më të larta të gjyqësorit janë tërhequr nga procesi i vettingut, pra faktikisht nuk do të jenë më pjesë e sistemit. Një tregues i qartë që vettingu ka filluar të funksionojë si një shtysë e rëndësishme drejt realizimit të objektivit të një sistemi drejtësie të ri dhe të pavarur.

Presim në javët në vazhdim edhe çeljen e çështjeve konkrete nga ana e vetë komisioneve të vettingut. Nga takimi ynë i fundit kanë ndodhur gjëra të rëndësishme. Ka hyrë në proces operacioni kombëtar kundër krimit të organizuar, Forca e Ligjit, ka hyrë në proces reforma e derregullimit, lehtësimin e barrës së burokracisë mbi qytetarët, me efekt të drejtpërdrejtë luftën e korrupsionit në të gjitha shërbimet e shtetit.

Gjithashtu, ndryshimi i prokurorit të përgjithshëm dhe celja e një sërë dosjesh që prej kohësh flinin në prokurori”, tha Rama. 

(Kosova Sot)